Ftesë për telashe 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 04.06.2024 17:00 04.06.2024 17:00 Blerim Shala Të dielën e kaluar, Alleksandar Vuçiq, presidenti i Serbisë, u ri-fuqizua dhe ri-mandatua (edhe pse për një post të tillë nuk ka mandat kush), si sundimtar i Serbisë. Koalicioni parazgjedhor i tubuar rreth emrit të tij, i fitoi bindshëm zgjedhjet lokale në Serbi, duke përfshirë këtu edhe ato për pushtetin në Beograd. Në këtë mënyrë ndodhi një përqendrim i paparë i krejt pushtetit të mundshëm, në të gjitha nivelet, në atë lokal, qendror qeveritar dhe qendror presidencial në duart e një politikani të vetëm, të Alleksandar Vuçiqit. Për këtë shkak, ky meriton që kualifikohet si një Sundimtar i mirëfilltë i gjithë një shteti dhe krejt një populli. Përmasat e këtij pushteti janë të pashoqe në Serbi. Edhe në kohën/ epokën (thënë më mirë), të Sllobodan Millosheviqit, i cili me Serbinë ka sunduar për 13 vjet (Vuçiq tashmë ka hyrë në vitin e 13-të), si President i saj dhe President i RFJ-së (Republikës Federale të Jugosllavisë), ka pasur më shumë rezistencë politike, mediatike dhe shoqërore kundër tij. Pastaj, Millosheviq nuk ka qenë kaq i fuqishëm sa Vuçiq. Nuk duket që në një të ardhme të afërt dikush nga qarqet e lodhura opozitare mund ta sfidojë pushtetin e Alleksandar Vuçiqit. Me pak rreshta pra, ky mund të jetë përshkrimi i gjendjes politike dhe shoqërore në Serbinë e sotme, fqinjin verior të Kosovës. Natyrisht, këtu mund të shtohen, në shpjegim të situatës në Serbi, statistika të ndryshme të cilat konfirmojnë armatosjen e vazhdueshme të këtij shteti, kinse me qëllim të forcimit të mbrojtjes së Serbisë, megjithëse askush nga shtetet fqinje nuk mund të paraqet kërcënim të sigurisë për te. Serbia, thuaja nga të gjitha anët kufizohet me shtetet e Aleancës Veri-Atlantike, dhe askush nuk ke ndërmend të nisë luftë të re këndejpari. Tek e fundit, dihet kush i ka nisur historikisht luftërat në 112 vitet e fundit në këto anë të Ballkanit. Megjithatë, dimensioni ushtarak, i cili natyrisht është reflektim i vetë identitetit të Serbisë së sotme të Alleksandar Vuçiqit, nuk është aspekti më problematik, më kërcënues, më i rrezikshëm për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit. Pakti NATO nuk do të lejojë më që të ketë luftë këndejpari, veçmas në rrethanat të cilat në Evropë mbretërojnë prej shkurtit të vitit 2022, kur Rusia nisi luftën kundër Ukrainës. Kjo dihet. Por vet karakteri i këtij pushteti në Serbi, apo, ky identiteti primar i tij, objektivisht, paraqet një sprovë të madhe për të gjitha shtetet fqinje të Serbisë, veçmas për Kosovën, për shkak të raporteve të njohura politike dhe në vijim të mungesës së një Marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve. Vetëm në dy mënyra këto marrëdhënie, të cilat janë të njohura për të gjithë, mund të hynë në një fazë të panjohur në historinë e raporteve Kosovë – Serbi, të një fqinjësie të mirë dhe të respektimit të dyanshëm: Me këtë Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, ose me hyrjen e Serbisë në Paktin NATO. Aktualisht, as njëri dhe as tjetri opsion nuk duken të arritshme në një periudhë afatmesme kohore. Serbia e Alleksandar Vuçiqit nuk dëshiron të hyjë në Paktin NATO. Në anën tjetër, nuk ka as shenja që ky pushtet në Beograd synon ta bëjë një Marrëveshje të mirëfilltë dhe të plotë politike me Prishtinën zyrtare. Normalizimi i raporteve me Kosovën nuk është në agjendën e Alleksandar Vuçiqit. Sundimtari i Serbisë dëshiron të quhet lider i të gjithë serbëve, pa marrë parasysh ku jetojnë ata, përfshirë këtu edhe Kosovën. Siç e ke marrë në dorë fatin e shtetit të tij dhe popullit që jeton në te, ai synon që të jetë pronar edhe i fatit të të gjithë serbëve që jetojnë në këto anë të Evropës. Ky është plani i tij. Kjo është politika e tij. Nuk ka fare dyshim që një politikan i kësisojt është ftesë për telashe të mëdha për atë mësymjen e Perëndimit, në te dy anët e Atlantikut, që ta krijojë një stabilitet afatgjatë në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor. Por, kryeqendrat kryesore të Perëndimit, nuk kanë këtu mundësi të zgjedhin: Ato janë të detyruara të punojnë me Alleksandar Vuçiqin. Nuk ka tjetër. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.