Filmi ‘The Zone of Interest’ i Jonathan Glazer 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 12.03.2024 09:10 12.03.2024 09:10 Blerim Shala ‘The Zone of Interest’ i regjisorit Jonathan Glazer është film i gjymtë. Dhe kjo gjymtësi, na e shfaqë për herë të parë, plotëninë e të keqes absolute të quajtur Holokaust, gjegjësisht Auschwitz. Ky film, i cili bazohet pjesërisht në romanin me po të njejtin titull të shkrimtarit anglez Martin Amis, del matanë asaj anës të ndritshme të së keqes, apo, të gjithë asaj tragjedie rrënjësore të kampeve të përqëndrimit e cila ka mbërri tek ne me dëshmitë e të mbijetuarve, qindra libra dhe edhe më shumë filma, dhe shkon tek ana e errët e kësaj të keqe, e cila shumë rrallë është zdritur në libra dhe në filma. Po të ishte vetëm kjo arritje e filmit të Glazer, mbase, do të mjaftonte. Sepse në këtë mënyrë, filmi ‘The Zone of Interest’ është një gjetje e veçantë. E gjetjet e kësisojta janë gjithnjë e më të rralla në artin e filmit, por edhe në artin në përgjithësi, në këtë anën perëndimore të qytetërimit. Ndryshe, titulli i filmit dhe i romanit përkon me konceptin nazist ‘interessengebeit’ (‘Zona einteresit’) me të cilën burokracia e Hitlerit mbulonte Auschwitz-in, por edhe të gjithë zonën përreth tij, në të cilën nuk mund të kishte qasje askush pos xhelatëve dhe viktimave. Pak fakte: Ngjarja e ‘The Zone of Interest’, është vendosur në vitet 1943, 1944, në Auschwitz, por jo brenda vetë kampit namëkeq të përqëndrimit. Kjo është risia e madhe, befasuese dhe brutale (siç do të kuptohet gjatë filmit). Secili prej nesh që e shikon filmin e Glazer, zatën, e di çka ka ndodhë në këtë stërhumnerë të njerëzimit të Shekullit XX. Gjatë gjithë filmit, megjithatë, regjisori na e bën me dije çka po ngjanë në kamp: trenat vijnë dhe shkojnë, britmat e viktimave të sapoardhura përzihen me urdhërat kumbues të oficerëve nazistë dhe me lehjet e qenve, tek tuk dëgjohen të shtënat e vrasjes, shtëllungat e debdura të tymit dalin prej krematoriumeve së bashku me zhurmën e djegies së kufomave. Por, e tëra kjo nuk ka shfaqet në ‘plan të parë’. Asnjëherë. Shikuesi i cili nuk e ka të njohur përmbajtjen e filmit, pret që herët apo vonë, në rrjedhë e sipër të këtij rrëfimi, Glazer do t’i dërgojë kamerat aty ku po ndodhë krimi marramandës dhe frymëndalës i nazistëve ndaj viktimave të mbledhura nga të katër anët e Evropës. Kjo nuk ndodhë asnjëherë. Këtu na shpërfaqet ajo gjymtësia (e qëllimtë, gjithsesi) e cila u përmendën në krye të këtij shkrimi. Në qendër të filmit ‘The Zone of Interest’ është një shtëpi, një oborr, një pishinë, një kopsht me lule të lloj-llojshme, një jetë e një familjeje, një natyrë e bukur me gjelbërim verës dhe borë dimrit, me lumenj, me bukuri. Dhe të gjitha këto lidhen me Rudolf Höss-in, Komandantin e Auschwitz-it, gruan e tij të quajtur Hedwig, dhe pesë fëmijët e tyre. Familje ideale. Në shikim të parë. Me të gjitha të mirat. Shtëpinë e tyre e ndanë nga kampi vetëm një mur i mbushur me tela gjemborë. Kaq afër llogorit jeton familja Höss. Rudolf Höss, si një ‘ndërmarrës’ (i suksesshëm, shumë i suksesshëm madje), ka dëshirë të jetojë fare pranë ‘vendit të punës’, tek i cili përditë në mëngjes shkon me një kalë race. Puna e tij është shfarosja e njerëzve. Në masë. Një ndëshkim i pashoq i qindra mijëra hebrenjëve (statistikat flasin për një milion hebre të vrarë këtu), dhe evropianëve të tjerë që nuk kualifikoheshin dot të jetojnë në Rendin nazist. Ai e kryen këtë punë, me të cilën e ka ngarkuar regjimi i Hitlerit, me efiçencë, përkushtim dhe gjakftohtësi të paparë, gjithnjë duke kërkuar që makineria e zhdukjes së viktimave të mbledhura në Auschwitz, të përsoset tutje. Kjo kuptohet edhe në një takim ‘biznesi’ të cilin ky, në dhomën e punës të shtëpisë së tij familjare, e bën me përfaqësuesit e ndërmarrjes Topf and Sons, që është përgjegjëse për ndërtimin e krematoriumeve. Ata i ofrojnë Höss-it versionin më të ri, më të perfeksionuar të krematorimit, i cili është edhe më i suksesshëm se sa pararendësit e tij. Por gjatë këtij prezentimi, asnjëherë nuk përmendet kund që këtu bëhet fjalë për likuidimin në masë të njerëzve. Në gjuhën e sotme të përmirësimeve të softwer-ëve kompjutorik, këtu kemi të bëjmë pra me Krematoriumin 3.0. Ky është një krematorium i up-date-uar. Ferri zatën duhet të funksionojë në mënyrë perfekte. Nuk bën ndryshe. Ky Ferr kësaj radhe e kishte emrin Auschwitz. Ferri zatën në historinë e Botës ka shumë emra. Parajsa, asnjë të vetëm. Çdo mësymje e Njeriut për ta ndërtuar Parajsën këndejpari është kthyer në Ferr, në fund. Këtë dimë ta bëjmë mirë. Edhe pa na ndihmuar fare Zoti. Pokaq seriozisht si e merr detyrën e tij, ashtuqë ‘Kompania’e tij të jetë ‘fitimprurëse’ për Gjermaninë e Adolf Hitlerit, njëlloj Rudolf Höss është i përkushtuar për familjen e tij, e cila jeton të thuash në oborrin këndej Ferrit të kampit të përqendrimit. Ai e do shumë familjen e tij, dhe është një baba i përkushtuar. E bija e tij Brigitte Höss shumë vite më vonë do t’i deklarojë një gazetari që i ati i saj ka qenë një baba i përsosur. Në film asnjëherë nuk e ndimë ate duke shajtur dhe bërtitur. As duke u marrë, në hapësirën familjare, me punën që ka. Ai ka ndarë reptësisht punën e tij nga familja. Për më shumë, atë e shohim duke i lexuar përralla fëmijëve të tij kur nuk i zë gjumi. Njëra prej tyre është përralla e quajtur ‘Hansel and Gretel’, ku një shtrigë digjet në furrë. Duket që furrat e vdekjes nuk i ndahen dot Rudolf Höss-it. Glazer në rrjedhën e filmit përcjell me kamerë jetën plot kënaqësi dhe lumturi të familjes Höss në rrethinën e Auschwitz-it, ku ta merr mndja që e gjithë bukuria e kësaj Bote ka gjetur vend, me fusha, pyje, lisa, lumenj, me një gjelbërim përrallor të denjë për një Parajsë. Ai, gruaja dhe fëmijët notojnë dhe peshkojnë. Kënaqen me ushqimin e gatuar kur dalin në natyrë. E shijojnë çdo vakt. Këndojnë dhe vallëzojnë. I festojnë ditëlindjet. Familja Höss është një familje e lumtur. E cila ka ndërtuar Parajsën për vete, diku dhjetëra metra në fqinjësi të Ferrit, në vitin 1943, kur Evropa, thuaja e tëra është në flakë. Kush ka mundur të paramendojë a imagjinojë dot që Parajsa dhe Ferri janë fqinj të parë, siç del në filmin ‘The Zone of Ineterest’, dhe siç ka qenë realitet, në jetë, në vitet 1943, 1944 në Auschwitz, me familjen Höss dhe me kampin e përqëndrimit? Parajsa, në religjionet e njohura një-zotëse (monoteiste), është gjithmonë lartë, dhe Ferri është përherë poshtë. Është pra një raport vertikal, nëse mund të thuhet ashtu, midis Parajsës dhe Ferrit. Dhe një Amshim i tërë kohor dhe një hapësirë e pamatshme ndanë këto gjendje skajshmërisht të ndryshme, të cilat për besimtarët reflektojnë relacionin e Njeriut me Zotin dhe të Njeriut me vetëveten. Këtu, në këtë film, vertikalja e moçme dhe tradicionale zëvendësohet me një horizontale, dhe me një bashkëjetesë të çuditshme midis Parajsës dhe Ferrit, midis tabllove përrallore të jetës së familjes Höss, në një ambient të denjë për bukuritë e paskajshme të Parajsës (siç e imagjinojmë ne), dhe atyre thellësisht tronditëse ku njerëzit vriten me gaz dhe digjen në furra, pamje këto poaq të njohura të Ferrit (siç e hamendësojmë ne). Por Ferri, në realitet, na ka dalë shumë më i keq se sa e kemi paramenduar. Çka ndodhë kështu dhe këtu me gjithë atë traditë religjioze evropiane, me të gjithë atë frymë të trashëguar për gati dy mijë vjet të plota, ku të mirët e meritojnë jetën e përhershme në qetësi, në atë Botën tjetër të bardhë, e të këqinjtë digjen pa fillim dhe pa fund në atë Ferrnajën futë të zezë? Si është e mundur që Rudolf Höss (dhe familja e tij), përkundër të gjitha të këqijave që ju shkakton viktimave të Auschwitz-it, jeton në paqe me vetëveten dhe me gjithë Botën, dhe i gëzohet jetës për çdo çast, teksa në anën tjetër të shtëpisë së tij, në llogorin e vdekjes, njerëzit i kalojnë nëntë rrathët e Ferrit pa pasur asnjë faj të vetëm, pos atij (‘faji’) që kanë lindur me një identitet fetar apo etnik, në një kohë dhe në një vend të gabuar? Vet fakti që Höss dhe më të afërmit e tij arrijnë të jetojnë kaq afër kampit të përqëndrimit, pa pasur asfarë problemi me ndërgjegjen e tyre, duke injoruar zhurmën e krematoriumeve, dhe duke fjetur me gjumë të thellë, është dëshmia më e mirë e atij nocionit të ‘Banalitetit të së keqes’ të filozofes Hannah Arendt, e cila shkakton debate sot e kësaj dite, sepse lidhej me mënyrën se si ka funksionuar një Adolf Eichmann, arkitekti i destruktivitet më të madh evropian të Holokaustit (të Holokaustit), dhe se si ka operuar i gjithë sistemi nazist. Këta vetëm kanë kryer punën e tyre dhe kanë qenë lojal ndaj shtetit dhe pushtetit. Secili prej nesh që e ka parë filmin ‘The Zone of Interest’, do të mund ta pyeste veten, pa qenë ta zëmë fare pjesë e një makinerie vrastare naziste, pa i bërë gjë të keqe askujt në Botë, a do të mund të jetonte kështu fare pranë Auschwitzit, në një ambient të këtillë që krahasohet me Parajsën. Dihet përgjigja. Zatën, Linna, nëna e Hedwiges, gruas së Rudolp Höss-it, e cila vjen mysafire të familja Höss, ndyrshe një naziste e përbetuar, nuk mund të qëndrojë gjatë në këtë shtëpi, sepse natën nuk mund të flejë fare për shkak të përcëllimës së krematoriumeve ku digjeshin trupat e të mbyturve në dhomat me gaz. Ajo merr valixhet dhe ikë vrap me një mëngjes nga e bija dhe familja e saj, madje pa u përshëndetur fare, duke lënë prapa një letër të shkurtët Hedwiges, përmbajtjen e së cilës nuk e marrim vesh por e nënkuptojmë. Ajo, një naziste e moçme, ishte tmerruar prej jetës së Höss-ëve dhe vdekjes në kamp. Ajo nuk mund dot të jetonte në orbitën e ’Banalitetit të së keqes’. Asaj i kishte mbetur në trup dhe në shpirt një grimë njerëzillëk. Hedwig, e bija e Linna-s, tash e sa kohë ishte adaptuar në tërësi në rrethanat kur ajo, burri i saj dhe pesë fëmijët e tyre, i gëzoheshin çdo momenti të jetesës në këtë shtëpi, në oborrin e tyre, në fushat, malet dhe lumenjtë përreth, e cila jetesë ishte fituar për shkak të ‘sukseseve’ të Rudolf Höss-it, në komandimin me llogorin e vdekjes. Hedwing është aq e ndieshme me fëmijët e saj, ajo është aq e përkushtuar për lulet e lloj-llojshme në kopshtin e saj, aq shumë kujdeset për burrin e saj, dhe njëkohësisht është e pashpirt ndaj shërbyeseve polake në shtëpi, njërës prej të së cilës madje i kërcënohet që burri i saj saora mund ta shndërrojë në hi. Kjo shërbyese del tinëza natën për të shpërndarë molla në pikat e ndryshme rreth kampit të përqëndrimit për banorët e këtij Apokalipsi lokal. Ndryshe, i gjithë filmi shquhet, fund e krye, me përballjen e skajshmërive të shumta. Këtu nuk ka dhe nuk mund të ketë mes. Jeta dhe vdekja, Parajsa dhe Ferri, gjelbërimi i gjallë dhe hiri i të vrarëve, bukuria dhe shëmtia, ndieshmëria dhe indiferenca, arsyeja dhe marrëzia, lumturia dhe vuajtja, sillen dhe mbështillen prej çasteve të para të filmit deri në epilogun e tij. Vet fillimi i filmit na shfaq këtë kundërthënie të papajtueshme. Tablloja në pesë-gjashtë minutat e para të tij është krejt e errët, me një muzikë në sfond. Pastaj, nisin të dëgjohen zërat e njerëzve dhe cicërimat e zogjëve, teksa terri vazhdon të qëndrojë. Në vazhdim, përnjëherët para nesh shpërthen drita e një dite të bukur teksa e gjitha familja Höss, e gëzon një piknik në një fushë të gjelbërt. Rudolf dhe Hediwg Höss, nuk kanë ansnjë dyshim që e kanë merituar këtë jetë me të gjitha të mirat, dhe se krejt çfarë kanë bërë këtu në shtëpinë e tyre në Auschwitz, ju takon atyre dhe pasaardhësve një herë e përgjithmonë. Megjithatë, idila e tyre pëson një goditje të paparashikuar kur pushteti nazist e avanson Rufolf Hössin, duke e emëruar ate si Zëvendës-Inspektor të kampeve në përqëndrimit, në vendin Oranienburg, afër Berlinit. Höss intervenon në të katër anët tek miqtë e tij në pozita të larta, për të mbetur në Auschwitz, sepse aq shumë e ka lidhur fatin e tij personal dhe atë të familjes me jetën e tij këtupari, saqë ai dhe gruaja e tij duan me çdo kusht të mbeten në këtë vend. Por, Höss i duhet pushtetit nazist në Berlin, sepse ‘Zgjidhja finale’ (për çështjen hebreje në Evropë, siç e kishte pagëzuar Hitleri), ende nuk ishte kryer. Duhej bërë edhe më shumë ‘punë’ në këtë aspekt. Duhej vrarë edhe më shumë hebrej. Mundësisht, duhej të vriteshin të gjithë hebrenjtë e Evropës. Hedwig, gruaja e tij dhe fëmijët, mbeten në Auschwitz. Ata nuk duan ta braktisin shtëpinë e tyre. Höss dhe komandantët tjerë të kampeve të përqëndrimit, i shohim pastaj teksa mbajnë mbledhje të veçantë kushtuar ‘kontingjentit’ të ri të hebrejve të Evropës, apo, 700 mijë vetave që jetonin në Hungari, e cila tani i kishte kaluar në mbikëqyrje të plotë Gjermanisë. Këtu, në këtë mbledhje për fare pak minuta kuptojmë se si ka funksionuar makineria e zhbërjes së hebrenjëve në Evropë: Prej lokalizimit ku jetojnë ata, grumbullimit të tyre, dërgimit me trena na kampe, deri te shfarosja e tyre. Vet Höss emërohet në krye të këtij Operacioni të ri. Pastaj, e shohim Höss-in me oficerët e tjerë nazist duke e shijuar një koktej me të gjitha të mirat, si pas një arritjeje të madhe në ‘businessin’ e tyre që ka të bëjë me vuajtje, me mjerim, me dhimbje, me vdekje. Por ky, siç shihet në tabllot nga kjo ndejë, nuk ndihet mirë, apo, disi duket si një i huaj në mesin e tyre. Mendjen e ka te gruaja, te fëmijët, te shtëpija e tij atje në Auschwitz, ku do të kthehet së shpejti. Madje, në një bisedë telefonike me bashkëshorten e tij, në një moment flet me përbuzje për kolegët e tij, duke thënë që me ëndje do ta përdorte gazin kundër tyre. Höss më në fund nisë të zbres shkallëve të këtij Pallatit të anktheve të njerëzve dhe popujve të tërë, teksa vjell disa herë. Mbase, organizmi i tij i tregon se çfarë është jeta e tij, cila është politika e Gjermanisë naziste. Këtë ky do ta kuptojë vetëm disa vite më pas. Regjisori Jonathan Glazer, ndryshe vet hebre, këtu na e shfaqë një tjetër gjetje të tij. Përnjëherësh, kapërcehen dhjetëra vite dhe ne gjindemi (si shikues), në muzeun e Auschwitz-it, ku ndodhë pastrimi rutinor i hapësirave të këtij muzeu. Shohim mbetjet e veshjes dhe mbathjes së shumë viktimave të këtij llogori. Ky është komunikimi i jonë i vetëm me brendinë e këtij kampi. Me muzeun e tij. Pastaj kamera i kthehet sërish Rudolf Höss-it, i cili vazhdon lëshimin e tij poshtë shkallëve. Këtu merr fund filmi. Fati i Höss-it është i njohur. Ai do të burgoset nga anglezët në vitin 1946. Komandanti i Auschwitz-it do të jetë dëshmitar në Gjykimin e Nuremberg-ut ndaj prijësve të mbetur gjallë të Nazizmit. Për më shumë, Höss do të jetë oficeri i parë nazist i cili do të dëshmojë për përmasat e krimit kundër njerëzimit të pushtetit nazist. Höss i cili kur e kishte marrë detyrën e tij si Kryekasapi i Auschwitz-it, kishte thënë që është krenar që do t’i prijë makinerisë më shkatërrimtare të njerëzimit, tani, në Nuremberg do të jetë oficeri i parë që do të shfaqet i penduar, por që megjithatë, do të shtojë se ai ka qenë vetëm një dhëmbëz në një makineri të madhe të shfarosjes që e kishte krijuar Raihu i Tretë. Për përvojën e tij si Komandant i Auschwitz-it, Höss do ta shkruajë librin e tij të kujtimeve, të titulluar: ‘Komandanti i Auschwitz-it: Autobiografia e Rodolf Höss’. Në këtë libër, Höss pos tjerash shkruan: ‘Sot e kuptoj që shfarosja e hebrenjëve ka qenë gabim, absolutisht gabim. Pikërisht për shkak të kësaj shfarosjeje, Gjermania e fitoi urrejtjen e gjithë Botës…’. Höss do të dënohet me varrje. Ekzekutimi i tij do të bëhej në Auschwitz (ku tjetër), në vitin 1947. E tëra familja e tij do të mbijetojë. Filmi ‘The Zone of Interest’ fitoi Çmimin Oscar të Akademisë Amerikane të filmit, si filmi më i mirë i huaj. Poashtu, ai është lauruar edhe me shumë çmime të tjera ndërkombëtare. Megjithatë, duket se ‘çmimi’ apo vlerësimi më i madh (i mundshëm), këtij filmi dhe regjisorit Jonathan Glazer i erdhi nga Steven Spielberg, regjisori famëmadh amerikan. Spielberg deklaroi që ‘The Zone of Interest’ është filmi më i mirë kushtuar Holokaustit që nga kryevepra e tij ‘Schindler’s List’ (i vitit 1993). *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.