Fërkimet e pllakave tektonike 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 14.02.2025 09:09 14.02.2025 09:09 Blerim Shala Shkenca thotë që janë 16 pllaka tektonike, të cilat lëvizin ngadalë, teksa fërkimet në mes tyre sjellin tërmete të mëdha, shembje, rrënime dhe viktima në njerëz. Në të kaluarën e largët madje, këto fërkime kanë ndikuar në ndryshime rrënjësore të masës së kontinenteve, madje, edhe në krijimin e kontinenteve të reja. Tërmetet, siç e dimë të gjithë ne, janë të paparashikueshme. Së paku, me këtë dijen që kemi akumuluar deri më tash për to, dhe për ndryshimet e këtyre pllakave tektonike. Në gjithë jetëgjatësinë e Luftës së Ftohtë (1945-1989), nëse këtu huazojmë terminologjinë të përdorur tashmë, në Rendin ndërkombëtar kanë ekzistuar dy ‘Pllaka tektonike’: Ajo e prirë nga SHBA-ja dhe e dyta, nga Bashkimi Sovjetik. Shpeshherë, në këto decenie, është folur për përplasjen më mes të Perëndimit dhe Lindjes, në mes të Paktit NATO dhe atij të Varshavës, por realisht, gjithçka është sjellë rreth SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Këto dy superfuqi (siç janë quajtur asokohe), të cilat kanë mundur ta bëjnë shkrumb e hi dhjetëra herë Botën me potencialin e tyre bërthamor, janë përpjekur të jenë të kujdesshme që të mos ketë fërkime të drejtpërdrejta në mes tyre në zonat/ territoret, të cilat do të mund të shkaktonin fillimin e luftës në mes tyre. Këto dy ‘Pllaka tektonike’ pra, është dashur t’i shmangen fërkimit dhe konfliktit. Po mos të ndodhte shembja përbrenda (implodimi) i Bashkimit Sovjetik në vitet 1989-1991, nuk e di kush se si do të zhvillohej historia e këtij raportit në mes të SHBA-së dhe Bashkimit Sovjetik. Historia pas rrënimit të Kampit komunist, shfaqi një Botë unipolare, me një ‘Pllakë tektonike’, të quajtur SHBA. Kjo epokë zgjati vetëm njëzet vjet. Koha e sotme, kur bëhet fjalë për Rendin ndërkombëtar, për politikën dhe për sigurinë në Botë, na shfaqet krejt ndryshe nga ajo e Luftës së Ftohtë, apo nga epoka e klasifikuar tashmë si Pax Americana. ‘Pllakat tektonike’ janë shumëzuar, teksa, për më keq, kanë nisur edhe fërkimet më mes tyre, që nga shkurti i vitit 2022, kur Rusia e Vadimir Putinit nisi luftën në Ukrainë, me synim të qartë të aneksimit dhe të zhdukjes së këtij shteti. Edhe pse në Ukrainë nuk ka pasur luftë të drejtpërdrejtë në mes të SHBA-së/ Aleancës Veri-Altantike dhe Federatës së Rusisë, është e qartë që në këtë luftë janë përfshirë Perëndimi dhe Lindja, në të gjitha mënyrat e mundshme. Në Botën e sotme përmenden së paku tri ‘Pllaka tektonike’: Ajo amerikane/ e Perëndimit, ajo ruse dhe më në fund ajo kineze. I gjithë Rruzulli tokësor do të varet tash e decenie të tëra nga fërkimet dhe përplasjet (eventuale) të tyre, megjithëse, në rastin e Rusisë, nuk do të ishte befasuese nëse sërish, si në atë shembullin e Bashkimit Sovjetik, të ndodhë implodimi, apo shembja nga brenda. Pika më e rrezikshme në marrëdhëniet në mes të SHBA-së dhe Kinës është (dhe do të mbetet) Taivani, ku mund të ndodhë edhe lufta e madhe në mes të këtyre dy shteteve më të fuqishme në Botë sot. Për paqen dhe stabilitetin në Evropë (vendi i origjinës i të gjitha luftërave të mëdha botërore), ka rëndësi jetike që SHBA dhe Evropa të ruajnë partneritetin trans-atlantik, i cili mundëson që Amerika dhe Evropa të jenë një ‘Pllakë tektonike’ (e quajtur Perëndim). Natyrisht, një gjë e tillë ka vlerë përcaktuese edhe për paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor. Shumëkush që i lexon këto fjali mund të shtojë që në të vërtetë, këto janë pohime dëshirore kur dihet sa kanë ndryshuar rrethanat në Perëndim, që prej fitores së dytë zgjedhore të Presidentit Donald Trump. Apo, tjetërkush me të drejtë mund të shtojë që janë një mori paqartësish që aktualisht përcjellin raportet e SHBA-së dhe Evropës, veçmas në kontekstin e paqes (eventuale), e cila mund të arrihet në Ukrainë. Është e vërtetë që shumësia e pyetjeve që vetëm sa vijnë e shtohen, në këtë kontekst, do t’i gjen përgjigjet e veta në një të ardhme të afërm. Ne, nuk kemi çka të mendojmë dy herë se çka duhet bërë tash e tutje. Kosova është pjesë e ‘Pllakës tektonike’ Evropiane dhe Amerikane. Stabiliteti i saj, edhe pse jemi shtet i vogël, do të jetë kontribues, sado modest, për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit dhe më gjerë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.