Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Fëmijët shqiptarë vijnë në Britani për siguri, në vend të kësaj ata marrin mizorinë e “Home Office”

123
string(11) "David Neale" string(64) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2023/02/David-Neale.png"
nga David Neale 09.02.2023 11:14

Muajve të fundit, ka qenë rraskapitëse dhe dëshpëruese ta shohësh qeverinë britanike të demonizojë azilkërkuesit shqiptarë. Për disa vite, dikur si avokat dhe tani si punonjës i mbështetjes ligjore, kam punuar me fëmijë dhe të rinj shqiptarë azilkërkues. Retorika antishqiptare e politikanëve dhe figurave mediale ka qenë thellë mashtrim dhe jashtëzakonisht mizore. Dhe fushata aktuale antishqiptare e Home Office (Departamenti ministerial, përgjegjës për migrim, siguri, rend dhe ligj) do të kushtojë me jetë.

Një prej narrativave më toksike ka qenë ideja se djemtë dhe burrat shqiptarë, në krahasim me vajzat dhe gratë, nuk janë viktima “të vërteta” dhe nuk kanë nevojë për mbrojtje. Ky është një supozim i rremë. Kam punuar me shumë djem të rinj dhe burra shqiptarë të cilët kishin ardhur në Britani të Madhe si fëmijë azilkërkues pa shoqërim. Ata janë jashtëzakonisht të cenueshëm. Shumë prej tyre janë trafikuar, qoftë në Shqipëri, apo nga Shqipëria drejt Britanisë, ose vende të tjera evropiane në punë të detyruara ose kriminalitet të detyruar dhe janë abuzuar rëndë. Shumica janë të privuar nga prejardhja dhe disa kanë qenë cak i dhunës në familje në fëmijëri. Shumica prej tyre kanë çrregullime të stresit post-traumatik dhe depresionit dhe disa kanë paaftësi të tjera.

Shumë nga ta janë ritraumatizuar nga sistemi i azilit në Britani të Madhe, janë zhgënjyer prej të rriturve që duhet t’i kishin ndihmuar dhe përfundimisht janë ritrafikuar brenda Britanisë së Madhe. Në këtë kontekst, është veçanërisht shqetësues fakti që 176 fëmijë shqiptarë azilkërkues që ishin vendosur nëpër hotelet e drejtuara nga Home Office, janë zhdukur dhe mund të jenë trafikuar nga bandat e krimit të organizuar.

Të rinjtë e kthyer me forcë në Shqipëri nga Home Office pasi që kanë arritur moshën e pjekurisë, janë gjithashtu në rrezik të lartë për t’u trafikuar atje. Hulumtimi i Asylos dhe Qendrës Kërkimore për Azil në vitin 2019, gjeti që faktorët e rrezikut për trafikim apo ritrafikim përfshinin, varfërinë, arsimimin e ulët, vuajtjen nga paaftësitë fizike apo mendore, dhuna në familje, abuzimi seksual brenda familjes apo të qenit anëtar i komunitetit LGBT. Shumica e djemve azilkërkues shqiptarë dhe burrat me të cilët kam punuar shfaqin disa, ose të gjithë këta faktorë rreziku. Pavarësisht kësaj, Home Office, ka pretenduar së fundmi se djemtë dhe burrat shqiptarë të trafikuar nuk janë në rrezik në Shqipëri, madje përcakton që pretendimet e tyre mund të verifikohen si “qartësisht të pabaza”, që do të thotë t’u hiqet e drejta e ankimimit. Ata janë tërësisht gabim.

Përveç trafikimit, një tjetër shkak i zakonshëm i arratisjes së djemve dhe burrave shqiptarë nga vendi i tyre është gjakmarrja. Një burrë i ri mund të jetë në shënjestër për shkak të diçkaje që ka bërë babai, gjyshi, xhaxhai apo qoftë një kushëri i largët. Disa gjakmarrje zgjatin për dekada. Disa mund të shfaqen papritur, edhe pas një qetësie prej vitesh. Shumë burra dhe djem nuk kanë zgjidhje tjetër veçse të izolohen, duke qëndruar nëpër shtëpitë e tyre për vite me radhë, që lë pasoja shkatërruese për shëndetin e tyre mendor.

Në vitin 2012, Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar vlerësoi provat mbi gjakmarrjen dhe pranoi se shteti shqiptar nuk ofron mbrojtjen e duhur për ata që janë në gjakmarrje aktive, në veçanti në veri të vendit (aty ku ndodhin më së shumti gjakmarrje). Për vitet e fundit, sidoqoftë, Home Office ka argumentuar në politikat e saj dhe shënimet informative – udhëzimet që u jep punonjësve të saj – se situata është përmirësuar dhe se Shqipëria tani ofron mbrojtjen e duhur. Për më tepër shqetësimi është që se shënimet informative kanë pretenduar se rastet e azilit të bazuara në gjakmarrje mund të certifikohen si qartësisht të pabaza. Vendimet e tilla mund të kundërshtohen nga rishikimi gjyqësor, por jo të gjithë azilkërkuesit kanë fatin të kenë përfaqësim të mirë ligjor ose të dinë se cilat janë të drejtat e tyre.

Që nga 2018-ta kam qenë duke shqyrtuar (dhe demaskuar) të dhënat informative të Home Office për Shqipërinë, së fundmi për të dhënat e janarit 2023 mbi gjakmarrjet. Kur dikush në të vërtetë lexon burimet e cituara në Cpins (Sistemin e të dhënave), në vend që të merren konkluzionet e Home Office në vlerë nominale, është e qartë se përfundimet nuk mbështeten. Sipas burimeve të pavarura (në krahasim me vetëvlerësimet e qeverisë shqiptare) nuk ofrohet mbrojtje e duhur. Shumica e njerëzve nuk do të kontrollojnë për saktësinë e konkluzioneve të tyre dhe as avokatët e ndihmës juridike të mbingarkuar dhe të papaguar nuk kanë kohë. Rezultati është se njerëzve në nevojë, të dëshpëruar për mbrojtje u refuzohen kërkesat për azil, ndonjëherë pa të drejtë apelimi.

Politikat mashtruese të vendit nuk janë e vetmja arsye pse kërkesat për azil refuzohen gabimisht. Shumë azilkërkues konsiderohen “të pabesueshëm” nga Home Office për shkak të “mospërputhjeve” në llogaritë e tyre, si ngatërrimi i datës kur ka ndodhur diçka, ose numri e herëve që ka ndodhur, ose sa kohë ka zgjatur. Dekada të kërkimeve psikologjike kanë treguar se kujtesa njerëzore për këtë lloj informacioni të përkohshëm është jashtëzakonisht e gabuar dhe se depresioni dhe çrregullimi post-traumatik mund të shkaktojnë problem me kujtesën. Kjo përkeqësohet tek fëmijët, kujtimet autobiografike të të cilëve nuk janë zhvilluar plotësisht.

Megjithatë është ende e zakonshme për Home Office dhe disa gjyqtarë të mos besojnë tek të rinjtë e traumatizuar për shkak të mospërputhjeve në llogaritë e tyre. Dhe, vendimmarrja për azilin nuk është vetëm intelektualisht jo e ndershme, është tepër ritraumatizuese. Azilkërkuesit janë të detyruar që t’i rijetojnë përvojat më të këqija të jetës së tyre në intervista dhe seancat e apelit, të pyetur nga zyrtarë armiqësorë, detyra e të cilëve është të gjejnë arsye për t’i quajtur ata gënjeshtarë. Shumë prej tyre nuk i kanë përfitimet e një avokati të mirë që lufton për ta, për shkak të mungesës kronike të të dhënave të ndihmës ligjore për migracion dhe cilësisë së ulët të disa këshillave private.

Refuzimet e pasakta vijnë me një kosto të rëndë njerëzore. Shumë të rinj, kërkesa për azil e të cilëve refuzohet, përfundojnë të pastrehë, të shfrytëzuar për punë të paligjshme në kantiere ndërtimi dhe autolarje apo edhe për t’u trafikuar nga bandat kriminale duke i çuar ata drejt dhunës brutale. Disa të rinj me të cilët kam punuar kanë humbur shpresat dhe kanë tentuar t’ia marrin vetes jetën. Armiqësia aktuale mediatike ndaj shqiptarëve vetëm sa ka përkeqësuar shëndetin mendor të tyre dhe ka bërë të mundur tentimet për vetëvrasje. Dhe nëse një i ri ndalohet dhe dëbohet drejt  Shqipërisë, mund të jetë një dënim me vdekje. Kultura e refuzimit të Home Office dhe mungesa e mbrojtjes së përshtatshme për fëmijët dhe të rinjtë azilkërkues, po shkaktojnë vuajtje të jashtëzakonshme dhe të pashmangshme.

Qeveria po fajëson viktimat e politikave të saj. Duke dështuar në sigurimin e rrugëve të drejta dhe ligjore drejt Britanisë së Madhe që do t’i jepnin njerëzve të dëshpëruar një alternativë ndaj kontrabandës me njerëz, tani po godet një grup thellësisht të cenueshëm njerëzish që kanë nevojë të madhe për mbrojtje nga Britania e Madhe.

Historia nuk do ta gjykojë me dashamirësi këtë qeveri.

David Neale është hulumtues ligjor dhe një ish avokat që ka specializuar në ligjet për migracion dhe azil.

Tekst i publikuar në “The Guardian”, i përkthyer nga KlanKosova.tv.

*Klikoni KËTU për t’u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme