Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Fatkeqësia shoqërore

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 05.05.2023 14:50
Blerim Shala
Blerim Shala

Ditët e fundit ishin pa kurrfarë dyshimi, më të vështirat për pushtetin dhe karrierën politike të Aleksandar Vuçiqit, presidentit të Serbisë, i cili së shpejti do të hyjë në vitin e dymbëdhjetë që prej se është lideri i pakontestueshëm i këtij shteti.

Janë tri ngjarje që e kanë tronditur atë. Dy lidhen me zhvillimet brenda vendit, e njëra me shkrimin e gjatë të botuar në një gazetë perëndimore.

Së pari, këtë të martë, një fëmijë ende pa i mbushur 14 vjet, në një shkollë të Beogradit, bëri hatanë duke vrarë tetë mocanikë dhe rojën e shkollës në të cilën ishte nxënës.

Thuhet që kjo është një ngjarje e paprecedent në shkallë botërore, kur bëhet fjalë për moshën e vrasësit. Për më shumë, për shkak që një fëmijë i moshës së tillë nuk mund të ndëshkohet prej ligjit, duket që shumë prindër në Serbi janë në panik se mos do të përsëritet në ndonjë shkollë tjetër një tmerr i këtyre përmasave e cila e bëri Serbinë kryelajm botëror.

Së dyti, një i ri 21 vjeçar, idhull i të cilit është një kriminel i njohur i Beogradit (i cili si thuhet orë e çast thirret si mysafir special në Reality show të ndryshëm), të enjten vrau me automatik tetë qytetarë, duke dëshmuar kështu se çfarë ndodhë me një njeri i cili obsesionohet me figura të këtij lloji.

Këto janë zhvillime shumë të rënda, dëshpëruese, molisëse (madje), për një shoqëri, ciladoqoftë ajo, e lërë më shoqëria serbe e cila ende nuk po ia zë fillin si të dalë nga një tranzicion post-komunist dhe pas-luftë (të luftërave të viteve të nëntëdhjeta, të shkaktuara nga regjimi i Slobodan Milosheviqit), në të cilin ka hyrë pas 5 tetorit të vitit 2000, kur u rrëzua pushteti i Milosheviqit.

Zyrtarët e Kosovës bënë mirë që publikisht shprehën ngushëllimet e tyre për familjet e viktimave dhe të plagosurve, si dhe për qytetarët e Serbisë.

Diçka e tillë është krejtësisht normale në këto rrethana, veçmas në kontekstin e synimit të Kosovës për t’i normalizuar marrëdhëniet me Serbinë.

Vet presidenti i Serbisë, bazuar në paraqitjet e tij publike, nuk po di çka të bëjë, si të reagojë, si t’i kundërpëgjigjet një sprove të këtyre përmasave e cila është e denjë për t’u krahasuar me fatkeqësitë e mëdha natyrore të cilat godasin një vend. Por, në ato raste, njeriu dhe shoqëria kanë si ngushëllim që kjo e keqe ka ardhë nga natyra. Kësaj radhe, kemi të bëjmë me një lloj të ’fatkeqësisë shoqërore’, e cila vjen së bashku me një porosi që shumëçka nuk është në rregull në mënyrën se si funksionon një shoqëri dhe një politikë, ku pos tjerash, glorifikohen kudo kriminelët e luftës dhe kriminelët ordinerë, duke përfshirë këtu edhe ata të cilët vranë kryeministrin e parë të Serbisë, të zgjedhur në mënyrë demokratike, Zoran Gjingjiqin.

Presidentit Vuçiq, këto ditë i doli edhe një telashe e madhe, mbase krejtësisht befasuese për te, në trajtë të një shkrimi në gazetën prestigjioze amerikane “The New York Times”.

Si asnjëherë më parë në të kaluarën, një gazetë përmblodhi në një vend, me një mori argumentesh në përcjellje të tyre, të gjitha vlerësimet për karrierën e deritashme të Presidentit të Serbisë.

Është ky një shkrim që mund të krahasohet me elementet bazë të një Aktakuze kundër liderit të Serbisë, ku zbardhen të gjithë mekanizmat e funksionimit të pushtetit të tij, duke përfshirë edhe ato që lidhen me krimin e organizuar.

Thuhet që ky shkrim ka shkaktuar një rrëmujë të mirëfilltë në qarqet më të larta politike dhe diplomatike në Bruksel, në Bashkimin Evropian, edhe pse shumë prej këtyre fakteve kanë qenë të njohur për të gjithë politikanët dhe diplomatët që merren me Serbinë dhe me Ballkanin Perëndimor.

Derisa Vuçiq mund të provojë të ndërmarrë masa të ndryshme, qofshin edhe ato radikale, për të zmbrapsur disi fenomenin e vrasjeve tragjike të qytetarëve në Serbi, do ta ketë tepër të vështirë, në mos edhe të pamundur që disi të lë mbrapa përmbajtjen e këtij shkrimi në “The New York Times”.

Megjithatë, Vuçiqi është i njohur si një mbijetues, i cili di t’i adaptohet mirë rrethanave të reja në Serbi dhe në botë.

Mund të parashihet që ai do të mundohet, javëve dhe muajve të fundit, t’i dëshmojë të gjithë faktorëve relevantë perëndimorë (para se të gjithash, amerikanëve), që ky që është dhe çfarë është, është politikani i vetëm serb që mund ta kontrollojë Serbinë, dhe madje mund ta sendërtojë Agjendën e Perëndimit në Ballkanin Perëndimor.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme