Erozioni i rrezikshëm i Bashkimit Evropian 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 13.11.2021 16:15 13.11.2021 16:15 Blerim Shala Bashkimi Evropian si identiteti suprem politik i Evropës, nuk është vetëm një tërësi shtetesh (janë 27 shtete anëtare të saj, pas largimit të Britanisë së Madhe), të cilat parimisht përfaqësojnë demokracinë liberale. Bashkimi Evropian është kuptuar, deri vonë, edhe si një familje shtetesh dhe të qytetarëve të saj, të cilat kanë vlera të përbashkëta shoqërore, qyterëruese dhe kulturore. Dallimi thelbësor i mëparmë në mes shteteve të Evropës, si në organizimin e pushteteve të tyre (të cilat veçmas me Luftën e Parë Botërore hynë në një cikël të përgjakshëm historik i cili realisht mori fund tek në vitin 1989-të, me rrëzimin e Murit të Berlinit), ashtu edhe në përqafimin dhe kultivimin e këtyre vlerave qytetëruese, bëri që Evropa politike, ta sjell veten buzë një gremine të pashembullt në Historinë e Rruzullit Tokësor. Ndërsa kjo Histori, nuk mund të imagjinohet dot pa Evropën. Amerika si shteti më i arrirë, më i fuqishëm dhe më i organizuar në këtë Histori, ka qenë zgjatim i Evropës, ka qenë përmbushje e idealeve politike dhe qytetëruse të Evropës. Bashkimi Evropian është dashtë t’i jep fund një herë e përgjithmonë këtyre veçimeve të rrezikshme dhe tragjike në Kontinentin e vjetër (siç quhet shpesh Evropa). Ky identitet i projektuar i themeluesve të këtij Bashkimi Evropian, së bashku me atë organizimin ushtarak të Aleancës-Veriatlantike, në krye me SHBA-në, si dhe me dështimin e pashmangshëm të Komunizmit në anët Lindore të Evropës, ka mundësuar ri-unifikimin e Evropës dhe ngadhnjimin e Perëndimit në ‘Luftën e Ftohtë’, e cila bartte në vete potencialin bërthamor të shkatërrimit të gjithë Njerëzimit. Kjo është një histori e njohur për të gjithë. Në dymbëdhjetë vitet e fundit, janë shënuar çarje të mëdha, problematike dhe të rrezikshme në këtë godinën e pashoq të Evropës, e cila sa vinte e rritej, duke marrë pamjen e një rrokaqielli politik dhe qytetërues i cili ta merrte mendja që do të lartësohej edhe më shumë, madje, duke baraspeshuar atë fuqinë e jashëzakonshme ekonomike dhe financiare, me një rol të veçantë politik dhe diplomatik në Rendin Ndërkombëtar. Ajo goditja e parë erdhi në trajtë të krizës financiare pas vitit 2008-të, e cila sipërfaqësoi një mori të metash të BE-së, të Amerikës dhe të Perëndimit në përgjithësi. Siguria në përgjithësi (e garantuar nga Pakti NATO), dhe stabiliteti financiar, janë shtylla të mirëqenies ekonomike dhe sociale të një shteti demokratik, dhe të Bashkimit Evropian. Stabiliteti financiar i BE-së u mëdysh me themel (prej vitit 2008 e tutje), siç ndodhi zatën edhe në dy vitet e fundit me këtë goditjen befasuese, të pallogaritur dhe të paparashikuar të një virusi. Zbutja e kësaj krize financiare, siç zatën ndodhë gjithmonë, u bë me hyrje në borxhe të mëdha të cilat si në Evropë, ashtu edhe në Amerikë mund të kthehen vetëm me një zhvillim të ri të madh ekonomik, në vitet dhe dekadat e ardshme, i cili gjithnjë e më shumë varet nga marrëdhëniet tregtare me Rusinë dhe Kinën. Kjo u kuptua edhe javëve të fundit me rrëfimin e njohur për gazin rus. Ky termeti i madh ekonomik dhe financiar, solli çarjet e papara në organizimin politik të BE-së, të shteteve të saja veç e veç, ku rolin e një shtytësi të ri, e pati edhe kriza me refugjatë nga vatrat e luftës në Siri, në Irak dhe gjetiu. Kjo krizë (me refugjatë) ishte burimi kryesor i mësymjes së re të Popullizmit në Evropë, i cili të thuash ishte harruar si dukuri që nga ajo periudha e njohur e para-Luftës së Dytë Botërore, me popullizmat ekstremist të djathtë dhe të majtë. Po mos të ishte ky Popullizëm, që ushqehej kudo me problemet reale financiare dhe ato imagjinare me refugjatë, Britania e Madhe kurrë nuk do të largohej nga Bashkimi Evropian. Ky Popullizëm goditi te dy dimensionet themelore të BE-së: Atë të organizimit të pushtetit të demokracisë liberale, dhe atë të kierarkisë së vlerave shoqërore, qytetëruese dhe kulturore. Brenda BE-së sot ka shtete, udhëheqësit e të cilave haptasi mohojnë atë përbërësin liberal të pushteteve të tyre, teksa të njejtit, nuk hezitojnë që të refuzojnë edhe ato vlerat e përbashkëta qytetëruese të Evropës. Kush nuk e di sot se çka paraqet Bashkimi Evropian. Dhe cila është e ardhmja e tij. Megjithatë, ky Bashkim, është i pazëvëndësueshëm, është i pa-alternativë, teksa kundërshtarët e tij (në radhë të parë, Rusia), e dinë që dobësimi i te dy këtyre dimensioneve të tij (i cili është në vazhdim e sipër), do ta bëjë edhe më të rrezikshëm erozionin e BE-së. Tagrin për këtë teposhtëze të madhe të Bashkimit Evropian, po e paguajnë, me një kamatë që me gjasë do të rritet për çdo vjet gjithnjë e më shumë, shtetet dhe qytetarët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor. (të njohur me shkurtesën e njohur WB6). Demokracia liberale, si vlerë supreme politike, ka pësuar devalvim të madh në Serbi, teksa ato vlerat e synuara qytetëruese, shoqërore dhe kulturore, janë në nivelin më të ulët në këto anë të Evropës. Mëkëmbja e Bashkimit Evropian, në çdo aspekt të mundshëm, po veçmas në këto elementet themelore identitare politike dhe qytetëruese, është perspektiva e vetme për BE-në dhe anëtarët e saj, si dhe për gjithë Ballkanin Perëndimor, për shtetet dhe qytetarët e tij. Por këto dy procese janë të ndërlidhura: Janë të njëkohshme, si për Brukselin, ashtu edhe për të gjitha kryeqytetet e kësaj pjese të Evropës. Duket që kjo e vërtetë ende nuk po kuptohet në Bashkimn Evropian. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.