‘Efekti Putin’ në Bashkimin Evropian 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 28.02.2022 15:18 28.02.2022 15:18 24 shkurti i vitit 2022, pa kurfarë dyshimi do të shënohet si datë që ka ndryshuar historinë e re të Evropës, mbase edhe të Botës. Një e vetmja datë dhe e ditë me po të njejtën fuqi ndryshimi ka qenë 11 shtatori i vitit 2001. Çdo krahasim tjetër midis këtyre dy ngjarjeve, apo dy datave kufitare që ndanë dy Epoka të mëdha historike dhe politike, megjithatë nuk qëndron. Atëbotë, kishim të bënim me motive krejtësisht të tjera, teksa kryeprotagonistët e kësaj thyerjeje të madhe ishin siç quhen apo klasifikohen, lojtarë jo-shtetërorë. Ata, si të tillë, mund të shkundin shumë procese, mund të trondisin shtete, siç zatën bënë me 11 shtator (kur tronditën SHBA-në në kulminacionin e saj politik), por vet nuk mund dot t’i lëvizin proceset historike. Kjo ndodhi më pas, me intervenimin ushtarak të Amerikës dhe të aleatëve të saj në Afganistan dhe në Irak. Kësaj radhe, kemi të bëjmë me një ‘Skemë klasike’ historike, ku fillimisht, kryeprotagonistët janë dy shtete, Federata e Rusisë dhe Ukraina, teksa në prapavijë, në sfond, kemi të bëjmë me Aleancën Veri-Atlantike, me BE-në, apo, realisht, kemi të bëjmë me përplasjen shumëshekullore në mes të Perëndimit dhe Lindjes. Të apasionuarit me sportin e futbollit, madje, do të mund të thoshin që këtu është fjala për një ‘El Clasico’ në politikë dhe në histori. Edhe pse i paralajmëruar shumë ditë më parë nga Presidenti Biden dhe nga shumë zyrtarë të tjerë të lartë të Perëndimit, agresioni i Rusisë në Ukrainë, i urdhëruar nga Presidenti Putin, të enjten e kaluar, megjithatë, u përcoll me një shok të madh, sepse diçka e tillë, jashtë territoreve të kontrolluara në Lindjen e këtij shteti nga përkrahësit e Rusisë, supozohej që nuk do të ndodhë. Putin, sipas të gjitha gjasave, ka urdhëruar këtë sulm masiv të forcave të veta ushtarake në Ukrainë, duke u bazuar në disa supozime të tij, dhe disa të vërteta politike, të cilat, si edhe të gjitha të tjerat, kanë afat përdorimi dhe skadence. Supozimi i tij i parë dhe kryesori ka qenë që Ukraina është shtet pa identitet, që nuk ka komb të mirëfilltë Ukrainas, dhe që ky shtet artificial do të çahet në të gjitha anët dhe do të prishet me të përsuar të ‘Grishtit rus’. Putin llogaritte që Ukrainën nuk do të ketë kush ta mbrojë, jo vetëm për shkak të supremacisë evidente ushtarake të Rusisë, por edhe në vijim në një demokracie të brishtë dhe të një pushteti të korruptuar. Të vërtetat politike me të cilat operonte Putin-i, përkonin me një krizë të vazhdueshme të identitetit të Aleancës Veri-Atlantike, të Bashkimit Evropian, pastaj, me një tronditje që ende ka pasoja në Administratën e Presidentit Biden, pas tërheqjes ‘këmb e krye’ prej Afganistanit, në verën e vitit të kaluar. Këto të vërteta njëmend ekzistuese, sipas të gjitha gjasave, kanë çuar Putinin në një përfundim që ky Perëndimi i sotëm, SHBA-ja dhe BE-ja, do të rezistojnë më shumë me zhurmë mediatike sesa me masa të mirëfillta ekononike (e lëre më ushtarake dhe financiare), dhe që do të detyrohen ta pranojnë atë ‘Fait accompli-në’ e pushtimit të Ukrainës nga Rusia, e cila do të ndodhë për pak ditë, dhe që pastaj, në çdo variant, kjo situatë do të legalizohet disi ndërkombëtarisht. Sikur lufta në Ukrainë të kryhej njëmend për disa ditë, Skenari i Putin-it do të merrte hov, edhe pse askush në Perëndim nuk do ta pranonte këtë gjendje të krijuar në Ukrainë, siç zatën nuk ka ndodhur tetë vjet më parë me pushtimin dhe aneksimin e Krimesë. Fati i kësaj lufte nuk dihet ende. Gjë që është fitore e madhe për Ukrainën. Por askush nuk duhet të ketë iluzione që Putin do të zbrapset nga Planet e tij. Këto plane, megjithatë, për çdo ditë shtyrje të sendërtimit të këtij dimensioni ushtarak, do të pësojnë devalvim politik dhe të sigurisë, njëlloj si do të devalvohen rubla si monetë ruse dhe ekonomia e Rusisë, në vijim të sanksioneve drakoniane të Perëndimit. Çfarë arriti Putin për këto pesë ditë, pa marrë parasyshë se si dhe kur do të përfundojë e tëra, ka qenë e paimagjinueshme para një jave. Edhe pse i sulmuar nga tri anët, me të gjitha mjetet e mundshme moderne ushtarake, paradoksalisht, shteti i Ukrainës është më i fuqishëm se kurrë, sepse po forcohet lidhja në mes të një populli dhe një shteti, apo, po merr formë të pakthyeshme identiteti i Ukrainës, i cili në të kaluarën, për shkaqe të ndryshme historike, ka qenë shumë i ndërlidhur me popullin Rus dhe me Rusinë. Në anën tjetër, po dëshmohet që Ukraina është një shtet demokratik, dhe kjo demokraci, e cila tubon njerëz të lirë dhe të vullnetit të mirë, ka një kapacitet për t’u mbrojtur më të madh se ai potenciali i pjestarëve të një Armate që përfaqëson një shtet dhe pushtet autoritar. Kur bëhet fjalë për Perëndimin në përgjithësi, e veçmas për Bashkimin Evropian, duket që Putin ka bërë, me këtë invadim të Ukrainës, atë që kishte bërë Armata e Japonisë me sulmin kundër Amerikës në Pearl Harbor (në dhjetorin e vitit 1941). Natyrisht, edhe këtu krahasimet çalojnë, por ato sjellin si shumë të qëndrueshme deklaratën e Admiralit japonez, Yamamoto, pas këtij sulmi në Pearl Harbor, që ishte shumë i suksesshëm për japonezët. Yamamoto pati thënë asokohe që ky ka dronë që krejt çka ka bërë Japonia me këtë sulm, është që ka zgjuar nga gjumi një përbindësh (amerikan). Kështu edhe do të ndodhte më pas. BE-ja e përgjumur tash e shumë vjet, në ditët e fundit, gjithsesi e shtyrë nga brutaliteti i agresionit rus dhe nga rezistanca heroike e Ukrainasve, si dhe e vetëdijshme që rënia e shpejtë dhe e pandëshkuar e Ukrainës do të ketë pasoja largëvajtëse për shtetet tjera përreth dhe për gjithë kontinentin evropian, vendosi të veprojë, dhe atë, në mënyrën më të qartë dhe më kategorike të mundshme. Putin nuk i la BE-së rrugë tjetër pos të mëkëmbet, dhe në partneritet me SHBA-në dhe Paktin NATO të ndihmojë në të gjitha mënyrat e mundshme Ukrainën (madje edhe ushtarakisht), dhe të dënojë, pos ushtarakisht, në të gjitha format e tjera, Rusinë. Putin tash po vringëllon edhe me armë bërthamore, gjë që vet prej veti flet për situatën në të cilën e ka sjellur veten. Putin pra ka arritur t’i unifikojë kundër vetes shumicën dërrmuese të Ukrainës, SHBA-në, BE-në, Perëndimin në përgjithësi. Kush ka mundur të imagjinojë diçka të tillë vetëm pesë ditë më parë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.