E përhitura e pafat e Hollywoodit 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 09.10.2022 16:30 09.10.2022 16:30 Blerim Shala Filmi ‘Blonde’ i Andrew Dominik Marilyn Monroe u ‘lind’ nga Norma Jean. Por njëlloj si Norma Jean, edhe Marilyn Monroe ishte jetime. Dhe e tillë mbeti deri në vdekje. Është vështirë të dish ku duhet ta nisësh, nëse nuk e nisë me të vërtetën. Këto fjalë janë të Marilyn Monroe. Ishin përgjigje në një pyetje gazetari se a do të mund ta përshkruante jetën e saj, në detale, prej fëmijërisë deri në arritjen e famës. Regjisori australian Andrew Dominik, që nga viti 2010, ka punuar 12 vjet të plota për ta bërë filmin ‘Blonde’, i cili i kushtohet jetës, vdekjes dhe të vërtetës për Norma Jean (emri i vërtetë i saj) dhe Marilyn Monroe. ‘Blonde’ u dha si premierë në Festivalin e sivjetëm të filmit në Venecia. Dominik ka ndërtuar rrëfimin e tij filmik në bazë të romanit me po të njejtin emër (‘Blonde’), to Joyce Carol Oates, teksa në rolin e kryeprotagonistes paraqitet shkëlqyeshëm Ana de Armas, një aktore kubaneze. Filmi ‘Blonde’ i Dominik është i vrazhdë, brutal, i mundimshëm, i rëndë. Madje, shokues, për shumëkend. Gjithë ajo fatkeqësi që e përcjell Marilyn Monroe-n prej fëmijërisë së hershme dhe tutje, i ngjanë rrëfimit të një përralle, të një përhiture ta zëmë. Ajo i ka të gjitha: bukurinë, mençurinë, dijen (madje), por nuk ka fare fat në jetë. Për dallim prej një të përhiture klasike, dhe të një përralle që merr fund me lumturi (me happy end-in e Hollywoodit), tregimi për Marilyn Monroe ka epilog tragjik: Ajo vdes fillikat vetëm në shtratin e saj, si një 36 vjeçe, e mbushur me zbrazëti, me zgjumës dhe me alkohol, si dhe me dorezën e telefonit në dorë, mbase, duke u përpjekur ta thërret dikë, për të treguar se sa e mërzitur, e dëshpëruar dhe e vetmuar është. Ndërsa bëhet fjalë, me gjasë, për femrën më të njohur të Shekullit XX, për aktoren më të famshme të Hollywoodit, për sex simbolin më namëmadh në industrinë e filmit. Kush nuk e di kush është Marilyn Monroe-n. Por, regjisori Dominik përpiqet në na tregojë se në të vërtetë, askush nuk e ka njohur si duhet Marilyn Monroe-n. Andrew Dominik, në filmin e tij, i shfaq në mënyrën më të qartë të mundshme ekstremet e jetës së Marilyn Monroe. Këtë e bënë, pos tjerash edhe me lojën me pamje, duke e kombinuar pamjen bardh dhe zi, me atë me ngjyra. Norma Jean rritet si jetime, sepse nëna i çmendet ndërsa babanë nuk e njeh kurrë. Ajo si fëmijë, magjepset nga fuqia dhe bukuria e filmit dhe dëshiron të bëhet aktore. Çdo të premte ajo shkon në kinema dhe kënaqet me filmin, pa marrë parasyshë cilësinë e tij. Por, fillimet e karierës si aktore, ajo i ka të rënda, sepse producentët dhe regjisorët shohin në të një bukuroshe me trup të mirë, të cilën duhet shfrytëzuar seksualisht (për ta ajo është vetëm një pasion i radhës), teksa ajo dëshmon që ka lexuar edhe Dostoyevsk-in dhe Chekhov-in. Ajo synon të bëhet aktore e mirë, Hollywoodi dëshiron ta promovojë një sex simbol të ri, apo, bjonden më të famshme në historinë e ‘Fabrikës së ëndërrave’. Kjo është kjo përplasja e parë e madhe brenda Marilyn Monroe-s. Monroe dhe Hollywood kurrë nuk janë kuptuar. Për Hollywoodin kjo nuk ka pasur fare rëndësi. Sepse Marilyn për te ka qenë super e suksesshme. Ka qenë business i jashtëzakonshëm. Për Marilyn, kjo lidhje e saj me ‘Industrinë e filmit’ ka marrë fund me fundin e saj si aktore dhe si njeri. Përplasja e dytë na shfaqet në atë antagonizmin e madh në mes të jetës tragjike të Marilyn Monroe-s dhe lumturisë dhe gëzimit të cilat ajo i përhap kudo në Botë me dukjen e saj, me buzëqeshjen e saj, me filmat e saj. E gjithë Bota e lume ka menduar që Marilyn Monroe është jo vetëm një aktore e sukesshme, por edhe një femër e lumtur. Përplasja e tretë ka të bëjë me dëshirën e saj të madhe të jetë e dashur dhe të dashurojë, të krijojë familje, të bëhet nënë. Ajo martohet një herë me Joe DiMaggio-n, njërin prej emrave më të mëdhenj të baseballit amerikan, pastaj me Arthur Miller-in, shkrimtarin më të njohur amerikan të kohës, por nuk gjen dot dashurinë dhe qetësinë këtu, në këto lidhje, dhe nuk bëhet nënë (aborton pa dashje kur mbetet shtatzënë me Miller-in). Në ato vitet e fundit të jetës së saj, ajo krijon lidhje fatale (për te), me Presidentin e Amerikës, John Kennedy-n, dhe me vëllaun e tij, Robert Kennedy-n (Prokurorin e Përgjithshëm), edhe pse e di mirë që këtu as dashuri, as rahati dhe as fëmijë nuk mund të ketë. Megjithatë, përplasja kryesore që në instancë të fundit, bëhet sebep që ajo vdes e re, në kulminacionin e famës dhe të suksesit, është ajo në mes të Marilyn Monroe-s dhe Norma Jean-it. Në njërin prej episodeve të filmit, familjaret e DiMaggios, e pyesin Monroe-n, a është bjonde natyrale? Ajo, e sinqertë si është, përgjigjet që nuk është, teksa plasin të qeshurat. Cila është zatën Marily Monroe natyrale? U citua fare në fillim të këtij shkrimi, fjalia e vet Monroe-s: Është vështirë të dish ku duhet ta nisësh, nëse nuk e nisë me të vërtetën. Marilyn Monroe kurrë nuk e mori vesh të vërtetën për Norma Jean. E pa e ditur atë vërtetë, nuk ka mundur dot ta përballojë gjithë atë famë, gjithë atë popullaritet, gjithë ato para, gjithë atë alkohol, dhe të gjitha ato mungesa në dashuri, në familje, në jetën e zakonshme. Marilyn Monroe ishte emri artistik i Norma Jean. Norma Jean ishte emri njerëzor i Marilyn Monroe. Rëndom, tek aktoret dhe aktorët e tjerë, emri i ri filmik, shërben si ikje prej atij të mirëfilltit, sepse tani, ai ose ajo janë banorë të ‘Gjithësisë së yjeve filmike’. Te Marilyn diçka e tillë kurrë nuk ka ndodhur. Ajo, sado yll i madh në atë Universin filmik, nuk ndahet dot nga ai graviteti i të vërtetës së Norma Jean-it. Për këtë shkak, Monroe gjithë jetën është në kërkim të të atit, i cili mbeti i panjohur për te, teksa edhe DiMaggio-n dhe Miller-in i thërret ‘daddy’ (‘babi’). Monroe gjithë jetën e saj është penge e çmendisë së të ëmës, teksa azili i saj mental, e ktheu ate në një fëmijë pa babë dhe pa nënë, që duhet të strehohet në jetimore, ndërsa ajo vazhdimisht do të thotë që nuk është jetime, apo që ka nënë dhe ka baba. Megjithatë, jorrallë ajo miqve të saj më të ngushtë u thoshte që ndihet si një ‘weif’ (një pronë që nuk ka pronar). Kjo barra e fëmijërisë së Norma Jean-it, e rritjes pa prindër të mirëfilltë, do ta lë shpesh pa frymë Marilyn Monroe-n, teksa kjo me dukjen dhe me bukurinë e saj do të lë pa frymë dhe pa mend (madje), djemtë dhe burrat në të katër anët e Botës. Norma Jean nuk arrinë asnjëherë të bëhet e bija e mirëfilltë e prindve të saj, sepse nëna nuk e do ate dhe çmendet, i ati i mbetet përjetë anonim (thuhet që identiteti i tij është zbuluar shumë vite pas vdekjes së saj, në vitin 1962, apo që i ati i Norma Jean ka qenë aktori Charles Stanley Gifford). Ajo rritet pa familje. E vetme. Merilyn Monroi nuk arrinë kurrë të bëhet bashkëshorja e njëmendtë e një burri, dhe nëna e fëmijëve të saj. Ajo asnjëherë nuk krijoi familje. Ajo jetoi e vetme. Monroe ishte yll, sex simbol, e suksesshme, e famshme, e popullarizuar, ëndërr e meshkujve, por nuk ishte e lumtur, e qetë, e kënaqur me vetëveten. Miqtë e saj të asaj kohe, thonë që ajo ishte gjithmonë e gatshme gjithmonë ta shkëmbejë karierën dhe famën e saj për një jetë të zakonshme. Por Hollywoodi dhe e zakonshmja nuk shkojnë dot. Nuk durohen. Nuk përfillen. Këtë, me gjasë, nuk e kuptoi kurrë Marilyn Monroe. Marily Monroe u ‘lind’ nga Norma Jean. Por njëlloj si Norma Jean, edhe Marilyn Monroe ishte jetime. Dhe e tillë mbeti deri në vdekje. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.