E përbashkëta konkrete, e përbashkëta abstrakte dhe zbehja e shpejtë e ndjenjës protonacionale 123 string(12) "Ardian Gjini" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/11/Ardian-Gjini.jpg" nga Ardian Gjini 21.09.2015 10:56 21.09.2015 10:56 Vetëm gjatë një viti kalendarik, opinioni ynë me dhjetëra herë dëgjon lajme të llojit “vëllau e qëllon vëllanë për një vendparkim; vrasje të shumëfishta në mes dy familjeve për 5 ari truall; tentimvrasje, shkaku? lëshimi i bagëtisë për të kullotur në arë të huaj; prona publike e uzurpuar në mijëra raste; punimet në rrugë nuk vazhdojnë për shkak të pronave private; etj. etj. Një ndër problemet e rëndësishme strukturore sociologjike, që na kanë mbetur nga okupimi shumë i gjatë, është ndjenja tepër e fuqishme për pronën private dhe indiferenca e skajshme për atë që quhet e përbashkët konkrete. Të përbashkëtat konkrete të një populli janë rrugët, malet, lumenjt, liqenjt, territori, pasuritë nëntokësore, institucionet… ndërsa të përbashkëtat abstrakte janë gjuha, identiteti, bindjet, synimet… Që nga mesjeta e këndej, shumica dërrmuese e fuqive okupuese, të cilitdo lloj, nuk e kanë synuar fare pronën private të ‘subjekteve’ të okupuar. Gati të gjitha ato fuqi kanë synuar që ta shfrytëzojnë të përbashkëtën konkrete dhe ta çrrënjosin të përbashkëtën abstrakte. Çrrënjosja e të përbashkëtës abstrakte nuk ka qenë synim per se (në vetvehte) por pikërisht për ta parandaluar sentimentin që do të mund të krijohej për të përbashkëtën konkrete. Shtypja e identitetit nacional qoftë përmes krijimit të kombeve të reja artificiale ose përmes infiltrimit të kulturave të reja, ideologjike apo fetare e ka pasur për qëllim parandalimin e rritjes së sentimentit për të përbashkëtën konkrete. Edhe Jugosllavia (Serbia) të njejtën gjë e ka synuar. Serbisë nuk i ka penguar prona private e ‘subjekteve’ Shqiptarë. Ajo i ka synuar pasuritë nëntokësore, lumenjt, liqenjt, rrugët, malet, territorin qeverisjen, taksat…. Ato i ka dashur, dhe për t’i mbajtur ka tentuar që t’i shkatërrojë të përbashkëtat ‘abstrakte’, identitetin, synimin për liri e shtet. Kur ka dështuar që ta bëjë një gjë të tillë, e ka provuar edhe shfarosjen. Fraza se UÇK-ja ka qenë në mbrojtje të pragut të shtëpisë është e pasaktë edhe praktikisht edhe simbolikisht. Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka dalur në mbrojtje pikërisht të të përbashkëtave, konkrete dhe abstrakte. Dhe ky është elementi shtetformues, ky është ai momenti shpërthyes i një populli i cili në një moment tregon praktikisht se nuk mjaftohet mëtutje me të përbashkëtat abstrakte. Është për t’u habitur se si një popull i cili e filloi luftën për liri e për shtet sot sillet kaq indiferent ndaj të përbashkëtave konkrete! Pyjet po i shkatërrojmë, lumenjt gati sa i kemi shkatërruar. Pronën publike e uzurpojmë taksat i vjedhim, e vjedhim edhe buxhetin, sepse është edhe i përbashkët edhe konkret! Rrugët i kemi të pista e shtëpitë të pastra. Por paradoksi më i madh qëndron tek territori. Nëse një njeri del para dhe e ngre zërin për humbje të territorit shumica e njerëzve që kanë platformë për të folur, komentuar e opinionuar habiten me të! Shumica prej tyre habiten se si një njeri i këtij vendi e ngre zërin aq fuqishëm për një të përbashkët konkrete. Në vend se të kyqen në debat, me një indiferentizëm frikësues provojnë të gjejnë arsye private prapa ‘rebelimit’. A mos ka pronë private ndoshta? A mos ka arsye politike? Nuk munden assesi të binden se dikush mund të ketë ndjenjë aq të theksuar për të përbashkëtën konkrete. Sepse vet mendojnë privatisht. Ky indiferentizëm i skajshëm është e kundërta e ndjenjës protonacionale Kosovare që ka mbizotëruar gjatë viteve ’90 dhe në dy ose tri vitet e para të pasluftës. Egërsia për pasje të pronës private, të cilën gati sa e patëm harruar gjatë luftës dhe indiferenca ndaj të përbashkëtës janë të kundërtat e ndjenjës shtetformuese. E përbashkëta abstrakte e krijon sfondin e një populli ndërsa e përbashkëta konkrete atë të një shteti. Historia na ka mësuar në mënyrën e vet më brutale se prona e shenjtë private nuk mund të mbrohet assesi nëse rrezikohet e përbashkëta. E aq më keq, nëse e rrezikojmë vet ne! Shpëtona USA, prej njerëzve tanë! Kohëve të fundit, tema kryesore e ballinave në Kosovë ka qenë krijimi “Gjykatës Speciale (Dhomave të specializuara…). Shumëkush e ka ndjekur një diskurs publik, të cilin pa hezitim do ta quaj fyes për vet popullin, apo për të përbashkëtat tona abstrakte. Ky diskurs ende pretendon se fuqitë e jashtme, ndonëse qartazi dhe në mënyrë konzistente miqësore ndaj kosovës, duhet ta krijojnë këtë Gjykatë për ta shpëtuar Kosovën nga kapja e shtetit nga vet Kosovarët. Ka pasur edhe thirrje “shpëtona USA, prej njerëzve tanë”. Popujt e vegjël gjithmonë kanë pasur nevojë për ndihmë nga popujt e mëdhenj. Por ajo ndihmë kurrë nuk ka ardhur derisa vet këta popuj nukiI kanë bërë ‘detyrat e shtëpisë’. Mbështetja e Amerikës për Lirinë e popujve ka ardhur pas përpjekjeve çlirimtare të tyre. Edhe mbështetja për demokracinë ka ardhur pas përpjekjeve të popujve për liri e demokraci. Njerëzit që me të vërtetë e duan ndryshimin duhet ta provojnë vet ta bëjnë atë ndryshim. Duhet të provojnë t’i tregojnë popullit se sa i dëmshëm për ta është konstalacioni ekzistues qeverisës, duhet ta provojnë edhe me protesta nëse është e nevojshme. Por nuk duhet të rrinë ulur (dhe shpeshherë të sillen si poltronë) dhe t’i luten Amerikës që të na shpëtojë nga vetvehtja, sikur lutja e Murphyt për t’i rënë loto në barcoletën Irlandeze në të cilën zoti i thotë atij, “Murphy, të lutem ma bëj një nder[, bleje një tiketë se më çmende”. Edhe për këtë qështje historia na ka dhënë një mësim të thjeshtë, lutjet dhe kërkesat janë të kota dhe as zoti nuk na ndihmon po nuk e ‘blemë tiketën’ vet. Fuqitë e jashtme thjesht mund të na pyesin a jemi të vendosur që të bëjmë vet diçka për demokracinë, për sundimin e ligjit dhe kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit apo do të kërkojmë veprime maksimaliste nga ta dhe vet të mos e bëjmë as edhe një veprim e të jemi gati plotësisht indiferent? Fuqitë e jashtme kanë rol të madh në fazën tranzicionale por konsolidimi i demokracisë dhe i shtetit varet kryekëput nga forcat e brendshme shtetit. Kërkesa për të na shpëtuar nga vetvehtja është pranim i mungesës së plotë të asaj force të brendshme mu nga ata që duhet ta inicojnë. Dhe kjo është arsyeja pse jam ndjerë në siklet kur kam dëgjuar kërkesa të tilla. Shumë më e ndershme do të ishte po ta pranonim se edhe ne kemi interes që të zbardhen krimet e supozuara të luftës se sa të kërkohet që të arrestohen udhëheqësit politik të dalur nga UÇK sepse përkundër keqqeverisjes korrupsionit apo çkado tjetër, ata që po duan t’i rrëzojnë nga pushteti nuk po munden. Filozofia e kërkesave të këtilla është e njejtë sikur edhe indiferentizmi ndaj të përbashkëtës konkrete. Thirrja për të na shpëtuar nga vetvehtja është pranim i fitores së plotë të despotëve të korruptuar që po qeverisin me vendin dhe humbje parfofe e forcave progresive. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.