Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Dy vendimet kapitale të Ukrainës

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 11.04.2022 14:27

A është në rend të ditës historia, apo procedura?

Kjo pyetje, e cila në rrethanat tjera politike dhe të sigurisë, do të dukej krejtësisht patetike, po shtrohet gjithnjë e më shumë në qarqet politike dhe mediatike të Evropës, dhe të Perëndimit në përgjithësi, që prej se Ukraina u sulmua ushtarakisht nga Rusia e Vladimir Putinit, me 24 shkurt.

Në kërkim të përgjigjes në këtë pyetje, nuk janë të rrallë njohësit e historisë të Bashkimit Evropian, të cilët pohojnë që vet themelimi i një organizate të tillë, fillimisht, në atë boshtin franko-gjerman (si Bashkësi e çelikut dhe thëngjillit), e pastaj, edhe zgjerimi i saj, në të shumtën e rasteve ka pasur si shtytje interesin politik dhe gjeo-politik të Evropës, e rrallëherë atë motivin kryekëput procedural. Në parim, një shtet për tu bashkuar në këtë organizatë është dashur të jetë një demokraci stabile dhe një shtet i qëndrueshëm. Megjithatë, ka pasur raste kur realisht, shtetet që nuk kanë merituar fare të bëhen pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian, kanë ngritur flamurin e tyre të anëtarësimit në BE.

Njëri prej hapave të parë të Presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelenskyyt, pas invadimit të Ushtrisë ruse në Ukrainë, ishte që të aplikojë në BE për anëtarësim në këtij shteti, apo për ta fituar statusin e shtetit kandidat.
Pak ditë më parë, Ursula von der Leyen, Presidentja e Komisionit Evropian, gjatë vizitës së saj në Kijev, ku u prit nga Presidenti Zelenskyy, ia dha atij edhe Pyetësorin për statusin e shtetit kandidat.

Për më shumë, von der Leyen shtoi me këtë rast që vlerësimi dhe qëndrimi i BE-së për këtë Pyetësor të Qeverisë së Ukrainës, nuk do të merr vite të tëra (si rëndom), por disa javë (për shkak të rrethanave të jashtëzakonshme).
Lidershipi i Ukrainës, në rrethana të vështira lufte ka marrë tashmë dy vendime kapitale në lidhje me të ardhmen ndërkombëtare të këtij shteti, të cilat iu qepën atij kryesorit, që të luftojë deri në fund për mbrojtjen e Ukrainës.
I pari ka të bëjë me neutralitetin ushtarak të Ukrainës, apo, heqjen dorë nga anëtarësimi në Aleancën Veri-Atlantike, me kusht të sigurimit të garancave ndërkombëtare të sigurisë, të cilat do ta kenë peshën dhe rolin e Nenit 5 të Traktatit të Paktit NATO (mbrojtja ushtarake në rast të agresionit nga jashtë).

I dyti përkon me anëtarësimin e shpejtë të Ukrainës në BE.
Këto dy vendime shfaqen edhe në të gjitha Draft-Propozimet e udhëheqësisë së Ukrainës për Marrëveshjen paqësore me Rusinë.
Objektivisht, poqëse këto dy vendime do të fuqizohen në Marrëveshjen eventuale paqësore me Rusinë, (e cila në rrethanat e tanishme ende duket larg, sepse me gjasë luftimet kryesore tek do të pasojnë në lindje të vendit), Presidenti Zelenskyy dhe Ukraina do të sigurojnë dy arritje të cilat vendnumëruan për vite të tëra në marrëdhëniet e Ukrainës me Perëndimin.
Së pari, as SHBA-ja, e lëre më shtetet e tjera të Aleancës Veri-Atlantike, nuk kanë pasur fare vullnet që t’i ofrojnë Ukrainës anëtarësimin në Paktin NATO, megjithë një zotimi parimor në Samitin e NATO-s në vitin 2008, në Bukuresht.

Poqëse Ukraina do t’i merr garancat ndërkombëtare të sigurisë, atëherë, realisht, do të përfitojë një mbrojtje ushtarake dhe të sigurisë, të cilën aq shumë e ka kërkuar viteve të kaluara, që nga agresioni i parë rus, në vitin 2014.
Së dyti, as në BE nuk ka pasur farë vullneti të qëndrueshëm që Ukrainës t’i mundësohet që me një procedurë më të shpejtë, të bëhet shtet anëtar i BE-së.

Tani, situata ka ndryshuar shumë në këtë aspekt, pos tjerash, sepse BE-ja dëshiron të shfaqet para qytetarëve të këtij shteti të clilët në mënyrë heroike po i rezistojnë forcave ruse, si dhe para vet Zelenkskyyt i cili është bërë emër i njohur në gjithë Botën falë qëndrimeve të tij kategorike në rrethanat tepër të vështira, si një organizatë që mirëpret Ukrainën në gjiun e vet.
Në këto rrethana, gjithsesi shfaqet edhe ‘ndërgjegja e vrarë’ e Perëndimit, i cili në përgjithësi, ka edhe hisen e vete të fajit për forcimin politik, ekonomik dhe ushtarak të Rusisë, dhe të krijimit të rrethanave kur lideri rus konkludoi që një BE e dobësuar për vite të tëra, nuk do të jetë në gjendje që të bëjë gjë në mbrojtje dhe përkrahje politike dhe financiare të Ukrainës.
Edhe mëkëmbja e Ukrainës në periudhën e pasluftës, kurdo që ajo do të ndodhë, do të kërkojë një përkrahje të madhe financiare të BE-së e cila do të matet, sipas të gjitha gjasave, me dhjetëra miliarda euro.

Në anën tjetër, Putin nuk ka mundur të llogarisë që shtetet e Aleancës Veri-Atlantike, do të jenë në gjendje që kështu, në mënyrë fare të hapur, të forcojnë ndjeshëm ushtarakisht Ukrainën, duke e furnizuar me armët më bashkëkohore, të cilat pa dyshim kanë luajtur rol të madh në rezistencën e këtij shteti.
Lufta në Ukrainë, dëshmoi që ky shtet me të gjitha është pjesë e Evropës dhe e Perëndimit.
Fatkeqësisht, çmimin për këtë të vërtetë po e paguan në mënyrën më të shtrenjtë të mundshme.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme