Dy prioritetet absolute kosovare: Marrja e vaksinave dhe heqja e vizave 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 08.05.2021 10:25 08.05.2021 10:25 Liria e lëvizjes së qytetarëve brenda vendit. Liria e lëvizjes së qytetarëve jashtë vendit, gjegjësisht në Evropë. Nëse pra fare shkurt dhe thjesht do të duhej të artikulohej interesi jetik i qytetarëve të Kosovës gjatë këtij viti (2021), me gjasë, këto dy fjalitë e mëparme do të përmbledhnin në mënyrën më të mirë të mundshme këta interesa. Mungesa e këtyre dy lirive themelore sipërfaqëson një abnormalitet shoqëror dhe politik, mbi të cilin pastaj ndërtohen shumë probleme të qytetarëve të Kosovës. Dhe anasjelltas. Liria e parë e lëvizjes, e qytetarëve në Kosovë brenda territorit të saj, është reflektim i pandemisë dhe i mungesës së imunitetit kolektiv i cili mund të sigurohet vetëm me një vaksinim masiv të së paku 60 % të popullatës. E dimë të gjithë që nuk i kemi më në fuqi të gjitha ato kufizimet dhe masat restriktive të cilat ishin të domosdoshme, veçmas në ato javët dhe muajt e parë të mësymjes të COVID-19. Por, ende jemi larg asaj situatës së para-pandemisë që mund të definohej si një gjendje normale. Akoma pra nuk e dimë se kur dhe si do të mund të jetojmë ashtu siç kemi jetuar deri më 13 marsin e vitit të kaluar, kur në vend u shënuan dy rastet e para të infektimit me këtë virus që ktheu përmbys botën (kjo gjendje është tutje në fuqi, përkundër një përparimi evident me vaksinimin në të katër anët e botës), duke e bërë edhe Kosovën pjesë të kësaj ‘Harte të pandemisë’. Kosova si shtet është ende në fundin e listës së shteteve që po furnizohen me vaksinë, megjithëse lajmet e fundit flasin për një dinamizim të këtij procesi (të vaksinimit) i cili do të shpëtojë jetë dhe do ta kthejë normalitetin në vend. Pra, vaksinimi i popullatës së Kosovës është një prioritet absolut i shoqërisë kosovare, i pushtetit të Kosovës, i të gjithë neve. Liria e dytë e lëvizjes, ajo e qytetarëve të Kosovës në Evropë, përkon me liberalizimin e vizave për kosovarët, një e drejtë të cilën shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor e kanë fituar qëmoti. Tashmë të gjithë ne e dimë që Kosova ka pasur më së shumti kushte apo kritere të cilat është dashtë t’i përmbushë (95 të tilla), teksa ai kriteri i fundit, i ratifikimit të marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Malit të Zi për shenjimin e kufirit (ndryshe, të nënshkruar në muajin gusht të vitit 2015-të), ishte përmbushur nga Kuvendi i Kosovës më 20 mars të vitit 2018-të, apo më shumë se tre vjet më parë. Komisioni Evropian (Qeveria e BE-së) dhe Parlamenti Evropian disa herë kanë konstatuar edhe formalisht që Kosova si shtet i ka kryer detyrimet e veta karshi Brukselit dhe që meriton të hyjë në ‘Listën e Bardhë’ të Schengenit, gjë e cila mundëson që qytetarët e Kosovës, të pajisur me pasaporta biometrikë, të udhëtojnë pa viza në Zonën e madhe të Schengenit. Megjithatë, në mungesë të një konsensusi në instancat më të larta të BE-së (edhe pse vendimmarrja për këtë çështje nuk kërkon pajtimin e të gjithëve, por një shumicë të kualifikuar), Bashkimi Evropian, as sot e kësaj dite, gjë që është e paprecedentë në trajtimin e kësaj teme në Bruksel nuk ka marë vendimin definitiv pozitiv. Për më shumë, thuaja askush në kreun e BE-së nuk është në gjendje që ta thotë qartë dhe në mënyrë të prerë kur qytetarët e Kosovës mund të shpresojnë që do ta fitojnë këtë të drejtë të mohuar pa kurfarë arsye tash e dy vjet e gjysmë (realisht, qytetarët e Kosovës është dashtë të udhëtojnë lirshëm në Evropë për festat e fundvitit 2018-të). Një herë për një herë, as që ka vullnet në BE për ta diskutuar këtë çështje. BE-ja ka ra keq në këtë provim para qytetarëve të Kosovës, teksa një tjetër rënie në provim, edhe më e madhe, e BE-së, në këtë aspektin e funksionimit politik të Bashkimit Evropian, ka ndodhur në vitin 2008-të kur pesë shtete të BE-së, nga 27 shtetet anëtare, nuk iu bashkuan 22 shteteve të BE-së në njohjen e shtetit të Kosovës. Gjithçka do të ishte ndryshe sot në raportet e Kosovës me BE-në, si dhe në marrëdhëniet e Kosovës me Serbinë (dialogu për normalizimin e marrëdhënieve do të kishte përfunduar qëmoti), po të kishte pajtim për Kosovën në mes të shteteve anëtare të BE-së. Qytetarët e Kosovës po i vuajnë, gjithqysh, pasojat e këtyre gabimeve dhe dështimeve të BE-së. Madje, së fundi, kjo po ndodh edhe në këtë ‘Frontin’ e sigurimit të vaksinave për qytetarët e BE-së dhe të shteteve të Ballkanit Perëndimor. Sidoqoftë, politika kosovare, kjo që është sot, me siguri me shumë të meta, (të cilat janë të ditura për të gjithë qytetarët e Kosovës), do të duhet të gjejë mënyra për ta kthyer për vendimmarrje në Bruksel çështjen e liberalizimit të vizave për kosovarët, me një synim të qartë që në fund të këtij viti (apo, me një vonesë trevjeçare) kosovarët të udhëtojnë në Evropë pa viza. Nëse pra deri në fund të vitit do të kemi një vaksinim për dy të tretat e popullsisë dhe liberalizimin e vizave për të gjithë qytetarët e Kosovës do të mund të themi që janë shënuar dy arritje të mëdha për shtetin e Kosovës gjatë vitit 2021. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.