Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Ditët kritike për Ukrainën  

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 04.03.2025 09:21
Blerim Shala
Blerim Shala

Pa përkrahjen ushtarake, politike dhe diplomatike të SHBA-së, Ukraina nuk do të mund të mbahej fare në luftën me Rusinë, pas agresionit të urdhëruar nga Presidenti rus Vladimir Putin, me 24 shkurt të vitit 2022.

S’ka dyshim që edhe Bashkimi Evropian dhe Britania e Madhe kanë hisen e tyre të jashtëzakonshme që Ukraina nuk ra për pak javë a disa muaj, për t’i hapur kështu dyert për ekspanzionin e mëtejmë rus kah Perëndimi.

Po të binte Ukraina ashtu siç ia pati mësyrë Rusia në dimrin e para tri viteve, Moldavia do të ishte caku i radhës. Kush e di ku do të ndalej Putin.

Evropa dhe Perëndimi janë mbrojtur në Ukrainë. Përmes Ukrainës. Me ushtarët e saj dhe armatimin evropian-amerikan. Duke mos rrezikuar asnjëherë, siç u pati shprehur në mënyrë të qartë dhe kategorike Presidenti i atëhershëm amerikan Joseph Biden, luftën e drejtpërdrejtë me Rusinë. Por në realitet, vështirë është që lufta në Ukrainë të mos definohet si luftë e tërthortë në mes të SHBA-së dhe Rusisë.

Qëllimi ushtarak i Amerikës dhe Evropës ishte që Ukraina të mos pësonte disfatë. Rendi i kthimit të territoreve të humbura në Ukrainës në luftë  (e cila nisi qysh në vitin 2014), nuk ka qenë. Asnjëherë. Diçka e tillë do të ishte e mundur vetëm nëse Ukraina do të pajisej me kohë me të gjitha armët e llojit ofenziv nga SHBA-ja dhe Evropa. Ndërsa një gjë e tillë do ta rrezikonte shpërthimin e luftës së hapur në mes të Perëndimit dhe Rusisë, pasi Putin nuk do të hezitonte t’i përdorë armët taktike bërthamore, në kundërpërgjigjen e tij.

Në këtë mënyrë pra, ditë pas dite, hap pas hapi, betejë pas beteje, me humbje dhe fitore fare të vogla territoriale të njërës dhe tjetrës palë, është mbërri në kohën kur realisht, është e pamundur të vazhdohet lufta sepse as njëra dhe as tjetra ushtri, nuk mund të imponojë ndryshimin sinjifikativ në vijën e frontit.

Presidenti amerikan Donald Trump pra, e gjeti këtë situatë në front e cila i kishte shfaqur katërçipërisht limitet e Ukrainës dhe Rusisë për të bërë më shumë në luftë.

Ndryshe, këtë situatë e kanë të ditur fare mirë edhe kryepolitikanët e Bashkimit Evropian, madje, edhe para se të mbaheshin zgjedhjet presidenciale në Amerikë.

Trump nuk e ka sjellë këtë të vërtetë rreth luftës në mes të Ukrainës dhe Rusisë. Ai e ka gjetur si të tillë dhe tash ai, Administrata Amerikane dhe shtetet kryesore evropiane  (Britania e Madhe dhe Franca), synojnë disi ta mbyllin këtë luftë.

Ashtu sikurse që pa mbështetjen e SHBA-së, (dhe të Evropës), Ukraina nuk ka mundur të luftojë me Rusinë, njëlloj, nëse Amerika dhe Evropa nuk do të jenë në anën e saj, ajo nuk mund ta ruajë apo ta mbajë as paqen, sepse ka të bëjë me një shtet dhe me një politikan  (çfarë është Vladimir Putin), të cilëve nuk ke si t’i besosh.

Kjo është porosia kryesore e Kievit për Washingtonin, Parisin, Londrën, Brukselin, Berlinin.

Që armëpushimi të mbahet duhen garancat ndërkombëtare, para se të gjithash e SHBA-së, por duhet edhe prania e forcave ushtarake të shteteve të Perëndimit në Ukrainë. Bëhet fjalë për së paku dhjetëra mijëra ushtarë në një mision ndërkombëtar, i cili duhet të autorizohet prej një instance relevante ndërkombëtare.

Që armëpushimi të shndërrohet në një paqe afatgjatë, Ukraina në një të ardhme e cila me siguri nuk mund të matet me muaj apo edhe me pak vjet, do të duhej të bëhej shtet anëtar i Aleancës Veri-Atlantike.

Natyrisht, anëtarësimi në Paktin NATO nuk do të mund të ndodhte për Ukrainën, pa pranimin formal të Kievit të kufijve të ri lindor me Moskën  (Rusinë).

Kjo është diçka e paimagjinueshme politikisht në Ukrainën e sotme, por në ndërkohë, gjërat do të mund të ndryshonin, veçmas duke pasur parasysh synimin e këtij shteti për ta ngritur flamurin e vet në Bruksel, në selinë e Paktit NATO.

Në të kundërtën, nëse asgjë prej këtyre elementeve të përmendura tashmë nuk do të përmbushen, atëherë, armëpushimi në Ukrainë do të jetë vazhdimisht i brishtë, apo, te dy palët do të përgatiten në ndërkohë për rifillimin e luftës, me qëllimin e realizimit të caqeve primarë të tyre: nënshtrimin e plotë të Ukrainës  (Rusia), apo kthimin e territoreve të humbura (Ukraina).

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme