Dita e Çlirimit 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 13.06.2021 14:45 13.06.2021 14:45 Për çdo 12 qershor, që prej vitit 1999-të e këndej, datë kjo që ne e shënojmë si Ditën e Çlirimit, të njejtat kujtime, të njejtat pamje filmike, të njejtat emocione, të njejtat rrëfime shfaqen para nesh. Së pari vijnë ato tabllot e Forcave ushtarake të Aleancës Veri-Atlantike (të KFOR-it), të cilat hyjnë në territorin e Kosovës, përmes ajrit (helikopterë), dhe tokës (tanke, autoblinda), në orët e agut të 12 qershorit. Ky Mision përbëhej prej mbi 50 mijë trupave për ruajtjen e paqes në Kosovë. Së dyti, ushtarët e NATO-s priten me një gëzim tëjashtëzakonshëm nga populli shqiptar, i cili arritjen e tyre anëkënd Kosovës, e vlerëson si shpëtim dhe si çlirim. I gjithë ky popull ishte peng gjatë viteve të luftës, në pritje të shfarosjes apo të dëbimit nga forcat e Serbisë. Së treti, janë ato pamjet e trupave të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK-së), të cilat për çdo ditë të lume të fushatës njëmbëdhjetëjavore të Paktit NATO, ishin në luftë fyt më fyt (si thuhet), me forcat ushtarake, paraushtarake dhe policore të Serbisë. Së katërti, shihen, të zëna me syrin e kamerës, dhjetëra mijëra trupa të Serbisë të cilat në këtë harkun kohor 12 – 20 qershor (siç ishte paraparë zatën me Marrëveshjen teknike-ushtarake të Kumanovës), braktisin Kosovën, ku për herë të parë kishin hyrë në vjeshtën e vitit 1912, duke pamundësuar që Kosova të jetë pjesë përbërëse e shtetit të parë shqiptar, atij të shpallur në Vlorë, me 28 nëntor të vitit 1912. Së pesti, janë tabllot e dhjetëra e qindra mijëra shqiptarëve të Kosovës të cilët prej atij 12 qershori, për vetëm pak javë do të ktheheshin në atdheun e tyre të lirë, prej Shqipërisë, Maqedonisë, Malit të Zi dhe prej katër anëve të Botës. Ishim, deri në atë ditën e diel të 12 qershorit, Refugjatë në Atdhe, Ikanakë të Historisë (së Shekullit XX), Mbijetues para kërcënimit të shfarosjes. U bëmë të lirë, sepse një herë ditëm të organizohemi politikisht si duhet përmes Lëvizjes paqësore për pavarësinë e Kosovës, prej vitit 1989 e tutje, sepse ditëm kur të kërkojmë në paqe të drejtat tona, sepse ditëm kur duhet nisur luftën e cila na pati mbetur shtegu i vetëm pas atyre viteve të okupimit të rëndë, sepse si gjatë fazës së Lëvizjes politike, të prirë nga Lideri i saj, Dr.Ibrahim Rugova, si gjatë kësaj periudhës së Kryengritjes së armatosur, në krye të cilës ishte UÇK-ja, arritëm të krijojmë raporte të partneritetit me Perëndimin, në radhë të parë me SHBA-në. Lufta e jonë ishte e drejtë. Pa dyshim. Kërkesat tona që vet ne të vendosim për fatin tonë ishin me themele të forta. Pa dyshim. U pa që çlirimi i Kosovës kërkon sakrificë dhe flijime të mëdha. Pa dyshim. Por të gjitha këto elemente kyç që në tërësinë e tyre dëshmonin që shqiptarët e Kosovës kishin ndarë mendjen dhe kishin vendosur që gjithçka duhet bërë për çlirimin e Kosovës, fatkeqësisht, nuk do ta bënin të mundur që kjo gjenerata e jonë e përbashkët e çlirimtarëve (që lidhë ndryshe brenda vetes disa breza dhe disa orientime të mëparme politike), ta arrinte synimin e vet, po mos të ishte mbështetja e fuqishme politike, diplomatike, më në fund edhe ushtarake (përmes forcave të Paktit NATO) e SHBA-së dhe e Perëndimit. Pakti NATO nuk do të vinte në Kosovë, pa luftën e UÇK-së. S’ka dyshim për këtë. Lufta e UÇK-ë, nuk do të legjitimohej kurrë sa dhe si duhet, po mos të ishte ajo Ndërmarrja politike dhe paqësore e Lëvizjes për pavarësinë e Kosovës. S’ka dyshim as për këtë. Intervenimi i Aleancës Veri-Atlantike, nuk do të ndodhte pa atë nënshkrimin e Delegacionit të Kosovës në Konferencën Paqësore të Rambouilletit (shkurt, mars, 1999), me të cilin u pranua Marrëveshja Paqësore e Rambouilleit. Pa dyshim. Mbi të gjitha, nuk do të kishte këndejpari, as politikë dhe diplomaci të Lëvizjes për pavarësinë e Kosovës, as luftë të UÇK-së, po mos të ishte një popull i tërë, i cili veçmas prej vitit 1988 e tutje (pas atyre demonstratave masive të nëntorit të atij viti, në mbrojtje të të drejtave kushtetuese të Kosovës si njësi federale në RSFJ-në e atëhershme), u shndërrua në një popull të mirëfilltë politik, në një tërësi apo kolektivitet të madh që e di udhën e tij në histori dhe në politikë. S’ka dyshim as për këtë. Kosova në ndërkohë ka ecur 22 vite në historinë e saj të lirisë, e cila, në shkurtin e vitit 2008, arriti të kodifikohet (një herë e përgjithmonë), përmes shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës. Secili prej nesh e ka atë rrëfimin e vet të paharueshëm se ku ka qenë me 12 qershor të vitit 1999, dhe me 17 shkurt të vitit 2008. Liria dhe Shtetësia i kanë ato ‘Certifikatet’ e veta të lindjes, të cilat kurrë nuk do të ndryshojnë. Secili prej nesh poashtu, e ka kallëzimin e vet për të gjitha sukseset dhe dështimet, rëniet dhe ngritjet, shpresatd he zhgënjimet të cilat i kemi përjetuar në 22 vitet e kaluara. Megjithatë, ne pos që nuk do të harrojmë kurrë se si mbritëm të çlirohemi dhe të pavarësohemi, nuk do të duhej kurrë (gjithashtu), të harrojmë që liria dhe shteti i Kosovës janë vlera të përbashkëta të Kosovës dhe të Amerikës, të Kosovës dhe të Perëndimit, dhe që të tilla ato do të mbeten përgjithmonë. Nuk duhet të harrojmë kurrë çka jemi, si shqiptarë të Kosovës, ku kemi qenë më para, në histori, si e kemi lënë prapa një tragjedi të madhe, si kemi ngadhnjyer mbi fatin tonë që ishte kob për gati një shekull të tërë. ©klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.