Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Dilema “serioze” – kush është më i fortë, Ballkani sot apo Prishtina e viteve ‘80

123
string(12) "Gazmend Syla" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2023/01/gazmend-syla.jpg"
nga Gazmend Syla 24.11.2023 11:31
gazmend-syla

Cila është skuadra më e mirë e futbollit që pati Kosova ndonjëherë, Prishtina e viteve ‘80 të shekullit të kaluar, apo Ballkani i sotëm i Suharekës?

Klubi nga kryeqyteti ka luajtur për disa sezona në Ligën e Parë të Jugosllavisë, e cila sipas shumë ekspertëve, ka qenë ndër 10 ligat më të forta në Evropë (trajneri Ajet Shosholli mendon se ka qenë e treta!). Ballkani ndërkaq, është kampion dominant i futbollit kosovar në 4-5 vitet e fundit, ndërsa ka dy sezone me radhë që merr pjesë në fazën grupore të Ligës së Konferencës, i treti nivel ky i futbollit evropian, sipas UEFA-së.

Debati rreth kësaj pyetjeje-dilemë u nxit nga një koment i gazetarit të mirënjohur të sportit, Kemajl Goca, i cili, mes tjerash, në një status në Facebook shkroi për “disa që janë aksidentalisht e disa që janë me zor në sportin e Kosovës”.

“Suksesin e Prishtinës në futbolli, askush nuk e ka prekur deri më sot, i ka 170 ndeshje në ligën e parë ish jugosllave, ku garoni 8 shtete në një ligë të ish shtetit që ka vdekur në vitin 1991”, ka shkruar ai.

Kjo pjesë e statusit të Gocës, sigurisht që i ka rënë në sy e vesh, tjetrit gazetar kosovar, Kushtrim Reshitaj, të cilit nuk i ikën gjë kur bëhet fjalë për Ballkanin e Suharekës, klub ky të cilin ai e do dhe e mbron me fanatizëm ekstrem.

“170 ndeshjet në ish-Jugosllavi s’mundet tash asnjë skuadër m’i pasë, e vërtetë, se s’ka qysh. Por edhe atëherë, më shumë ka qenë në Ligën e Dytë se në të Parën. Andaj sukses të paarritshëm aktualisht ka veç FC Ballkani sepse suksesi nën ombrellën e UEFA-së, është diçka tjetër, nivel tjetër, është EUROPË”, ka shkruar ai.

Reshitaj nuk është ndalur me kaq (dhe kjo është e pritshme për të) teksa e minimizoi atë që kishte bërë Prishtina, ndërsa e supremizoi atë që po bën Ballkani tashti.

“Urojmë një ditë ta shohim edhe Prishtinën aty, pse jo, mirëpo s’mundet m’u llogarit sukses megaloman ajo periudhë e ligave konfederative, para shkëlqimit historik në Evropë, të kampionit aktual të Kosovës”, ka vazhduar ai.

Patjetër që ky debat, dhe sidomos ajo që shkroi Reshitaj, preku ata që dikur luanin për Prishtinën. E njëri nga ta, mbrojtësi i madh, Xhevdet Muriqi, e përqeshi supermbështetësin e Ballkanit, të cilit iu referuar me shprehjen “…qat Kushtrimin”.

“Kushtrim Reshitaj, Kemo deshta ta komentoj qat. Kushtrimin po ma mir jo …..??? . Krahasimi i Prishtinës se asoj kohe me Ballkanin pak qesharake pom doket”, ka thënë Muriqi.

Pjesë e këtij statusi “qat Kushtrimin”, e ka prekur jo pak Reshitajn. Dhe nuk ka hezituar t’ia kthejë Muriqit, por duke e vlerësuar atë dhe tjerët.

“Xhevdet pavarësisht se m’u paske referu me “qat Kushtrimin” unë vazhdoj me pasë respekt pafund për ju dhe secilin që ka kontribu në futbollin e Kosovës… Futbollistët ishin heronj të vërtetë. Por pavarësisht krejtve, suksesi tash në Evropë ka tjetër dimension, normal që jemi edhe në rrethana tjera politike”, ka shkruar ai, duke mos mundur, sërish, ta hip Ballkanin mbi Prishtinën. “Suksesi më i madh i asaj kohe ka qenë vendi i 8 në Ligën e Parë në ish-Jugosllavi. Sot luajmë në një kompeticion të UEFA-së. Andaj arritjet se kush ka luajtur më lart dhe rezultatet historike, nuk i përcaktojmë ne, por realiteti, pavarësisht se bëhet fjalë për periudha të ndryshme.

Në debat, dhe atë me qëndrim të rreptë kundër Ballkanit , u përfshi ish trajneri i Prishtinës. Ejup Mehmeti.

“Xhevdet Muriqi, Prishtina per tu kualifiku ne garat europjane ka pas konkurencen e katershit Dinamo, Hajduk, Partizan dhe C- Z (Cërvena Zvedza) por edhe Sarajeven, ndersa Balkani mu krahasu me KF Prishtina jo e tepert po esht e mjerushme”, ka thënë ai.

Veten nuk mundi ta shoh jashtë këtij debat edhe njëri nga trajnerët më të mirë kosovar, Ajet Shosholli, që ka menaxhuar Prishtinën, por edhe Trepçën e skuadra tjera me nam në vend e rajon.

Ky, replikoi duke ia dhënë “votën” e ekipit më të mirë Prishtinës, ani se Ballkanin e quajti “një brend i futbollit të Kosovës”.

“…Ta sqaroj se liga e pare dhe e dyte (jugovllave) kan qen liga profesionale , tipike profesionale. Ta them edhe kete se liga e pare eshte vlersue nga ekspertet e shume vendeve se ka qen liga e trete ne Evrope per nga cilesia”, ka shkruar ai. “Dhe keshtu i bjen qe Prishtina, Trepqa, Vellaznimi, Liria, kan bere gara me shtat shtete (qe i kemi tani dhe 22 milion banore) , prandaj suksesi i ketyre ekipeve ,posaqerisht Prishtines dhe Trepqes kan pas nje vlere dhe rendesi te madhe ne ate kohe ,e qe nuk mund te minimizohen..”

Dhe duke ditur që futbolli ka shumë fansa, por edhe kontribuues, këtij debate nuk i munguan edhe ata. Njëri prej tyre, mjeku mitrovicas, Vehbi Leku, i cili nga viti 1975 është kujdesur për sportistët dhe i cili ka qenë edhe mjek zyrtar i Kombëtares së Kosovës në hendboll, i ka replikuar rreptë vlerësimit se Ballkani është më i mirë

“…Ky Ballkan me u krahasu me sukseset e Trepqes dhe Prishtines eshte katastrofe. Futbolli dhe niveli i atyre gjeneratave eshte i pa krahasueshem. Ballkani nuk eshte as Harten Futbollistike”, ka shkruar ai.

Prishtina e viteve ‘80 ka zhvilluar ndeshjet si vendës në stadiumin që tash e ka emrin Fadil Vokrri, futbollistit më të mirë të të gjitha kohërave të këtij klubi, por edhe të krejt Kosovës. Në këtë fushë, ndeshjet ndërkombëtare si vendas i luan aktualisht edhe Ballkani. Ky ekip rrallë e ka mbushur plot stadiumin. Prishtina edhe më rrallë e ka lënë pa e mbushur. Vetë Reshitaj i Ballkanit e ka pranuar se në kohën e artë të Prishtinës, tifozët nga krejt vendi shkonin disa orë para fillimit të ndeshjes për të zënë vend në stadium.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme