Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Dikush do të fundoset këtu

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 20.03.2025 08:34
Blerim Shala
Blerim Shala

Studentët nuk dinë çka të bëjnë me fuqinë e tyre.

Pushteti, i personifikuar në Presidentin e Serbisë, nuk di çka të bëjë me pafuqinë e tij.

Me dy fjali të shkurta të cilat janë pasqyrim goxha objektiv i zhvillimeve politike në Serbi në tre muajt e fundit, do të mund të përshkruhet stadi në të cilin kanë mbërri dy palët në një konfrontim publik që sa vjen dhe rritet, me pasoja të paparashikueshme për Serbinë, dhe me pasoja të parashikueshme  (më pas) për stabilitetin rajonal.

Pushtetet autoritare kudo në Botë, njëlloj edhe në Serbi, nuk duan që të befasohen me rrjedhat politike dhe të sigurisë. Për këtë shkak, këto pushtete duan që të kontrollojnë gjithçka në shoqëritë e tyre që do të mund të kishte pasoja për liderin e shtetit dhe përkrahësit e tij. Ky kontroll veçmas ushtrohet ndaj opozitës.

Deri para katër-pesë muajve, dukej që Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić e ka të sigurt pushtetin, që është, madje, më i fuqishëm se kurrë në politikën e vendit, që ka një përkrahje evidente të kryeqendrave perëndimore, etj.etj.

Por ja që rënia e një pullazi në godinën e stacionit kryesor hekurudhor në Novi Sad, me 1 nëntor të vitit të kaluar, ku gjetën vdekjen 15 qytetarë, dhe reagimet që pasuan në këtë qytet dhe në Beograd, shfaqi të çarat e para në ndërtesën autoritare politike të Serbisë.

Në fillim e tëra u duk si diçka beninje, fare e parrezikshme për pushtetin e Presidentit të Serbisë. Të thuash, ishte si një topth bore. Por ky topth, nëse nisë të rrokulliset në një teposhtëze të madhe, fillon dhe merr trajtat e një topi të madh, e më në fund, bëhet edhe ortek që mund të zë përfundi dhe ta shkatërrojë këdo që vihet përballë tij.

Presidenti Vučić nuk e kuptoi çka ndodhi në Serbi, apo që një pakënaqësi e thellë, reale dhe latente politike dhe sociale në këtë shtet, gjeti adresën e vet të shprehjes dhe madje, të shpërthimit, me Lëvizjen studentore, e cila së shpejti evoluoi në një Rebelim gjithë popullor.

Kjo ishte befasia e madhe për te dhe për pushtetin autoritar të tij.

Asnjë masë dhe asnjë veprim që ndërmori, e të cilat ishin një dyzim i kërcënimeve të ndryshme dhe joshjeve të larmishme, nuk i ndihmoi atij që ta zbusë dhe zbehë këtë Lëvizje. Pritjet e tij që me kalimin e kohës, vet prej veti do të ndodhë dobësimi i kësaj Lëvizjeje, (siç ishte rasti në të kaluarën me protestat e ngjashme), u treguan të pabazuara.

Ndodhi e kundërta.

Prej të gjitha atyre elementeve të një pozicioni të fuqishëm dhe të qëndrueshëm, Presidentit të Serbisë i ka mbetur vetëm ai i fundit: Përkrahja ndërkombëtare  (si nga ana perëndimore, ashtu edhe nga ajo lindore).

Perëndimi në fakt po e mbështet tutje ate, në mungesë të një alternative të mirëfilltë politike, e cila assesi nuk mund të gjendet në rrethet aktuale të çoroditura apo edhe të korruptuara opozitare.

Gjërat, në këtë aspekt mund të ndryshojnë shumë, nëse Lëvizja studentore si e tillë, profilizohet si një entitet politik që do t’i bashkojë të gjithë ata që duan ta ndryshojnë shtetin dhe pushtetin në Serbi.

Por kjo Lëvizje është tej mase heterogjene: Çka nuk ka krejt brenda saj. Apo, të gjitha drejtimet dhe orientimet e mundshme politike janë aty së bashku, me një qëllim të vetëm të përbashkët, për ta ndërruar pushtetin në Serbi.

Për këtë shkak, edhe pse kjo Lëvizje ka zhvilluar një potencial dhe një fuqi frikësuese për pushtetin aktual në Serbi, ajo i ka kufizimet e saj kur bëhet fjalë për përkthimin e kësaj fuqie në një alternativë politike për këtë shtet, e cila do t’i ofronte qytetarëve të këtij shteti një perspektivë evropiane.

Ky duket të jetë shansi i fundit  (mbase edhe i vetmi), për Presidentin e Serbisë që disi të mbijetojë edhe këtë sprovë, më të madhen qëkur para 13 vitesh e mori pushtetin.

Megjithatë, te dy palët, nëse mund të thuhet kështu, janë kah ecin mbi një akull të hollë që në çdo moment mund të çahet dhe të përpijë atë që ecën mbi te.

Vend në Serbi për te dy palët nuk do të ketë për një kohë që matet me vjet, apo edhe me muaj.

Dikush do të fundoset. Herët a vonë.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme