Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Dhe çka tash?

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 15.01.2022 19:40
Blerim-Shala

Republika e Kosovës dhe Republika e Serbisë kanë normalizuar plotësisht marrëdhëniet në mes tyre, duke nënshkruar Marrëveshjen Gjithpërfshirëse, me prani dhe garanca ndërkombëtare, me të cilën ka ndodhur njohja reciproke në mes të këtyre dy shteteve.

Tash e sa kohë, Kosova dhe Serbia janë dy shtete të pavarura që kanë marrëdhënie të mira fqinjësore, duke synuar që në një periudhë të shkurtër kohore të bëhen shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

Këto dy shtete e kanë pranuar njëra tjetrën në kufijtë e njohur që nga Kushtetuta e vitit 1974  (e ish-RSFJ-së), të konfirmuar edhe me këtë Marrëveshje.

Kjo Marrëveshje, pos tjerash, ka definuar të drejtën e qytetarëve shqiptarë të Luginës së Preshevës, që kanë nënshtetësi të dyfishtë  (të Kosovës dhe të Serbisë), si dhe të qytetarëve serbë të Kosovës, që poashtu kanë nënshtetësi të dyfishtë  (të Kosovës dhe të Serbisë), që të votojnë në zgjedhjet e Kosovës dhe të Serbisë, me parimin e reciprocitetit të plotë të të drejtave të tyre.

Kjo e drejtë ushtrohet në pajtim të plotë me përvojat më të mira evropiane.

Çfarë u përshkrua deri në tash në këtë shkrim, aktualisht, për shumëkë përkon me fantastikën shkencore.

Realiteti i sotëm në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë, është njëmend larg këtij përshkrimi i cili ndryshe, nuk ka si të mos jetë thelbi i Marrëveshjes në mes të këtyre dy shteteve për normalizimin e plotë të marrëdhënieve.

Kur të arrihet një Marrëveshje e tillë  (teksa ajo as tash, dhe as më vonë, nuk ka kurfarë alternative), nuk do të ketë më probleme me të cilat është detyruar të merret ditëve të fundit Qeveria e Kosovës, Kuvendi i Kosovës dhe e gjithë skena politike kosovare.

Le të vazhdojmë tutje këtu me disa pyetje retorike, me përgjigje të njohura për të gjithë ne.

A ka shqiptarë të Kosovës sot, që ka dyshime a duhet të lejohet në territorin e Kosovës organizimi i Referendumit për ndryshimet në Kushtetutën e Serbisë?

Përgjigjja është: Jo. Të gjithë ata janë kundër këtij Referendumi të paraparë për 16 janar.

A ka shqiptarë të Kosovës sot, që mendon që nuk duket ruajtur miqësinë dhe partneritetin me SHBA-në, por edhe shtetet tjera më të mëdha të Perëndimit?

Përgjigjja është: Jo. Të gjithë ata mendojnë që duhet patjetër ta ruajmë miqësinë dhe partneritetin me SHBA-në dhe me shtetet tjera më të mëdha të Perëndimit.

Por, ditëve të fundit, siç e dimë të gjithë ne, kemi arritur në një situatë kur nuk ka përputhje të plotë në mes nesh dhe Perëndimit, në shpjegimin dhe interpretimin e organizimit eventual të Referendumit për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë në territorin e Kosovës, duke ushtruar atë praktikën e tubimit të votave të qytetarëve serbë të Kosovës nga Misioni i OSBE-së.

Në shikim të parë pra, del që interesi shtetëror i Kosovës dhe ai ndërkombëtarë, i SHBA-së dhe i shteteve kryesore të Perëndimit, janë në shpërputhje.

Natyrisht, është interes jetik i Kosovës që ta mirëmbajë aleancën me SHBA-në dhe me Perëndimin, të krijuar në vitet më të rënda për popullin shqiptar të Kosovës, në ato vite kur rrezikohej vetë qenia kombëtare shqiptare në Kosovë.

Nuk mund të arrihet qëllimi i përbashkët i Kosovës, SHBA-së dhe i shteteve më të mëdha të Perëndimit, për stabilizimin afatgjatë ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, pa këtë miqësi dhe pa këtë bashkëpunim.

Çka duhet bërë atëherë tash e tutje?

Ngjarjet e fundit në Kosovë që kanë të bëjnë me Referendumin për ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, nuk janë as të parat, dhe as të fundit  (kjo mund të thuhet apo të parashikohet me një siguri të madhe), të cilat dëshmojnë se në ç’gjendje janë raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Situata e tanishme në marrëdhëniet në mes të këtyre dy shteteve, është fare e paqëndrueshme. Ajo prodhon, në baza ditore, jostabilitet. Për më shumë, kjo situatë është e rrezikshme.

E vetmja mënyrë që një herë e përjetë të tejkalohet kjo situatë shumë problematike dhe e rrezikshme në marrëdhëniet në mes të Kosovës dhe Serbisë, është që në një afat sa më të shkurtër kohor, të arrihet Marrëveshja Ligjësisht Obligative për normalizimin e plotë të marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve, sipas Parimit themelor që tash e tre vjet e ka qartësuar SHBA-ja, pra, me njohjen reciproke në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ky Parim zatën u ri-konfirmua këto ditë, edhe në Letrën të cilën Antony Blinken, Sekretari i Shtetit ia dërgoi Albin Kurtit, Kryeministrit të Kosovës.

Për më shumë, Blinken ofroi sërish përkrahjen e fuqishme të SHBA-së për arritjen e kësaj Marrëveshjeje.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme