Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Demokracia dhe sovraniteti

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 01.08.2023 16:49
Blerim Shala
Blerim Shala

Nuk është fare vështirë për ta sqaruar dhe për ta mbuluar, me nocionet e duhura politike dhe të sigurisë, gjendjen në Veriun e Kosovës.

Dhe këtu, me gjasë, të gjithë ne e dimë për çfarë bëhet fjalë.

Pra, Veriu i Kosovës është jetik për ruajtjen e sovranitetit dhe të tërësisë territoriale të Kosovës. Bëhet fjalë pra për ruajtjen e integritetit shtetëror të Kosovës.

Në anën tjetër, nuk ka kurfarë dyshimi që në Veriun e Kosovës duhet të vendoset sundimi i ligjit, si në gjithë pjesën tjetër të vendit.

Gjithashtu, duhet të ketë siguri dhe stabilitet, si dhe funksionim të plotë të pushtetit lokal dhe të atij qendror.

Por, poashtu, duhet të garantohet, së bashku me të gjitha këto elemente jetike për një shtet, edhe demokracia, apo, liria politike për qytetarët e katër komunave, pra, të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

Për të gjitha këto synime të Kosovës, të autoriteteve të saj, ka një pajtueshmëri të plotë në mes të Prishtinës zyrtare dhe Perëndimit.

Tërësia territoriale e Kosovës, sovraniteti i shtetit të Kosovës, janë garantuar së pari me vet Propozimin Gjithpërfshirës të Presidentit Ahtisaari  (CSP, mars, 2007), së dyti me shpalljen e pavarësisë së Kosovës  (shkurt, 2008), së treti me aktin e njohjes së shtetit të Kosovës nga SHBA-ja, Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe të gjitha shtetet e tjera që kanë mirëpritur pavarësinë e Kosovës  (prej 17 shkurtit e tutje), së katërti, me hyrjen në fuqi të Kushtetutës së Kosovës  (qershor, 2008).

Megjithatë, dihet se çfarë gjendje në Veriun e Kosovës ka trashëguar shteti i Kosovës, në dimrin e vitit të parë të pavarësisë.

Integrimi i kësaj pjese të Kosovës, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, ka pasur rëniet dhe ngritjet e veta që prej Marrëveshjes së Parë të Brukselit (prill, 2013), njëlloj si edhe mundësia që qytetarët e këtyre katër komunave në Veri, të kenë të drejtën që në mënyrë të lirshme ta shprehin vullnetin e tyre politik për të zgjedhë dhe për t’u zgjedhur, gjë që është parimi themelor i demokracisë.

Tek e mbrama, këto dy procese bëjnë dy anët e të njejtës medale. Sa më shumë që ecën para integrimi i kësaj pjese të Kosovës, sa më shumë që të garantohet siguria dhe stabiliteti, sa më shumë që ka sundim të ligjit në Veriun e Kosovës, aq më shumë do të ketë demokraci, liri politike dhe funksionim të pushtetit lokal dhe të atij qendror. Dhe anasjelltas.

Shteti duhet të garantojë demokracinë. Dhe demokracia pastaj, fuqizon shtetin.

Qytetarët e kësaj pjese të Kosovës, me një shumicë dërrmuese pjesëtarë të komunitetit serb, deri tash nuk kanë pasur mundësi ta ushtrojnë si duhet të drejtën e tyre për ta shfaqur lirshëm vullnetin e tyre politik në zgjedhjet lokale dhe ato qendrore.

Zatën, këtë e kanë konstatuar edhe Misionet vëzhguese të Bashkimit Evropian, në të gjtha raportet e tyre të përcjelljes së mënyrës se si është votuar gjithandej në Veri.

Autoritetet e Serbisë kanë bërë gjithçka për të ushtruar një monopol të plotë politik mbi qytetarët serbë në Kosovë. Kjo veçmas ka ardhë në shprehje në katër komunat veriore. Dhe kjo sidomos u kuptua me rastin e bojkotimit të zgjedhjeve të 23 prillit në komunat e Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit, i cili iu imponua serbëve të këtyre komunave nga Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić dhe strukturat e tij paralele në Kosovë.

Shkëputja e këtij raporti që shquhet me një presion të madh të Beogradit për ta pamundësuar shprehjen e vullnetit të lirë politik, kërkon një vendosmëri jo vetëm të autoriteteve të Kosovës, por edhe të atyre ndërkombëtare, para se të gjithash të SHBA-së, Gjermanisë dhe Francës, me një përkrahje të shumëllojshme të BE-së.

Kjo do të mund të vinte në shprehje në mënyrën më të mirë të mundshme në procesin e organizimit të zgjedhjeve të reja të parakohshme, të cilat siç është konstatuar prej të gjithëve, janë të pashmangshme brenda disa muajve.

Në Veri duhet të ketë zgjedhje të lira dhe demokratike.

 

 

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme