Deforma zgjedhore 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 03.04.2021 10:55 03.04.2021 10:55 Blerim Shala Nuk ka asnjë befasi e vetme me atë çfarë po ndodh me politikën kosovare që prej se u konstitua Kuvendi i tetë i Kosovës (i pasluftës), dhe prej se u krijua Qeveria e njëmbëdhjetë e Kosovës (e pasluftës). Supozimet dhe spekulimet që në Kosovë mund të kemi zgjedhje të reja të parakohshme parlamentare, të tretat brenda një harku kohor prej vetëm 20 muajsh (prej tetorit të vitit 2019-të), për shkaqe të ndryshme, e duke marrë si pretekst dështimin eventual të Kuvendit të Kosovës në zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, në mungesë të Quorumit prej së paku 80 deputetësh, duket që morën një hov a një shtytje të madhe në orët e vonë të mbrëmjes të së premtes së 2 prillit. Albin Kurti, Kryeministri i Kosovës, me një urgjencë të madhe gjatë kësaj dite, provoi që ta imponojë një Agjendë të veten për ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, e cila do t’iu mundësonte qytetarëve të Kosovës që jetojnë në Perëndim, (e të cilët janë në Listat e votuesve), të votojnë përmes përfaqësive diplomatike të Kosovës. Në mungesë të përkrahjes së dy të tretave të deputetëve të Kuvendit të Kosovës për aplikimin e një procedure të jashtëzakonshme parlamentare, ndryshimet në këtë Ligj nuk u trajtuan fare. Të shtunën më mëngjes, Kryeministri Kurti, pos që e pa të udhës të potencojë që nuk bëhet fjalë për një Reformë zgjedhore, por për një plotësim të një kërkese dhe nevoje të kahmotshme politike, për t’ia lehtësuar qytetarëve të Kosovës pjesëmarrjen në zgjedhjet e përgjithshme, ia bëri me dije në mënyrën më të qartë dhe më brutale të mundshme opozitës parlamentare, që ajo duhet të merr pjesë në zgjedhjen e Presidentit të ri të Kosovës, ose në të kundërtën, së shpejti në vend do të mbahen zgjedhjet e gjashta të parakohshme parlamentare në 13 vjet të ekzistencës së shtetit të Kosovës. Në këtë politikën kosovare të pasluftës, siç e dimë të gjithë, nuk ka ndodhur që një parti, siç është rasti me Lëvizjen ‘Vetëvendosje’, t’i fitojë aq bindshëm zgjedhjet me mbi gjysmën e votusve që morën pjesë në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke siguruar kështu 58 deputetë në përbërjen e Kuvendit. Në këtë politikë, poashtu, së paku deri më tash, nuk ka ndodhur që Kryeministri i një Qeverie të Kosovës, me çdo kusht, pa pyetur fare për çmim, pa i adresuar fare argumentet ‘për ose kundër’, ta imponojë një Agjendë të veten politike, për të cilën nuk ka përkrahje të mirëfilltë në Kuvendin e Kosovës. Kryeministri Kurti dhe partia e tij, kanë fituar shumë, tepër shumë, si askush më para në Kosovë. Këtë fitore askush nuk e ka kontestuar. Por Kurti dhe ‘Vetëvendosje’ nuk i kanë fituar të gjithat, dhe madje, as që munden ndonjëherë t’i fitojnë të gjithat në një sistem të demokracië parlamentare, çfarë është ky i Kosovës. Kështu do të jetë edhe nëse në Kosovë për pak muaj do t’ia mësymë sërish kutive të votimit, dhe do të përcaktohemi për politikanë dhe parti të vendit. Kështu do të mbetet edhe nëse Kurti dhe ‘Vetëvendosje’ do t’i marrin, siç paralajmëron Kryeministri Kurti, gjysmë milion vota në zgjedhjet e ardhshme. Pa numra, të dalë nga zgjedhjet e lira dhe demokratike, nuk ka pushtet demokratik. Por numrat, çfarëdofshin ata, nuk kanë vlerë absolute në demokraci, sepse ata numra i nënshtrohen Kushtetutës së një shteti, Kornizës legale, organizimit të pushtetit të tij, madje, detyrimeve të politikës ndaj shoqërisë dhe ndaj opionit publik. Ta zëmë, edhe nëse të gjithë 120 deputetët e Kuvendit të Kosovës, unanimisht pra, do ta përkrahin ndryshimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, nëse diçka e tillë është bërë pa një debat politik dhe shoqëror, pa i marrë edhe idetë dhe propozimet e organizatave të ndryshme joqeveritare, miratimi i këtij Ligji do të karakterizohej me defekte apo mangësi të mëdha politike dhe procedurale. Ndoshta, gjatë këtij debati, ku patjetër që do të duhej të adresohej edhe çështja e Reformës zgjedhore (aq shumë është folur për te tash e gati dhjet vjet), kur bëhet fjalë për rolin e Mërgatës sonë në politikën kosovare, do të shfaqej edhe ideja apo modeli (i cili është marrë parasyshë në Kroaci dhe në Maqedoninë e Veriut), sipas të të cilit, Mërgata do të kishte të garantuar pesë-dhjetë vende në Kuvendin e Kosovës, dhe gjithsesi, edhe posti i Ministrit të Diasporës do të mund t’i takonte dikujt që e përfaqëson ate në institucionet e Kosovës. Kjo me gjasë do të ishte mënyra më e mirë e trajtimit të rolit politik që shqiptarët e Kosovës që jetojnë jashtë, në Perëndim, do të duhej ta kishin në Kuvendin dhe në Qeverinë e Kosovës. Mund të ketë edhe propozime të tjera në shqyrtim të kësaj teme, në një debat i cili do të duhej të zhvillohej tash e tutje. Është edhe një dimension tjetër i kësaj nisme të Kryeministrit Kurti dhe të partisë së tij. Edhe po të kishte përkrahje të plotë të gjithë deputetëve të Kosovës, madje, edhe sikur ta zëmë, ndryshimet e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme do të kishin siguruar (më parë), një pëlqim masiv tek shoqëria kosovare, për zbatimin në praktikë të këtij Ligji, edhe në rrethanat fare normale (kur nuk do të kishte fare Pandemi), do të duhej kohë, që matet me së paku një vit, apo edhe më shumë, teksa dihet që në parim, çdo ndryshim i Ligjit për zgjedhje, duhet të bëhet së paku gjashtë muaj para mbajtjes së tyre. Organizimi i zgjedhjeve në përfaqësitë diplomatike të Kosovës, do të ishte pra një operacion tej mase i ndërlikuar logjistik, për të cilin KQZ nuk ka gjasa të bëhet gati në një të ardhme të afërt. Pra, në çdo variant del që zgjedhjet e reja (eventuale) parlamentare, nëse ato mbahen pas dy muajsh, apo edhe pas dymbëdhjetë muajsh, edhe një herë do të organizohen sipas Ligjit aktual (në fuqi) të zgjdhjeve të përgjithshme. Këtu duhet shtuar që Ligji për zgjedhjet e përgjithshme, pas Kushtetutës së Kosovës është dokumenti i dytë për nga rëndësia në këtë dimensionin e ligjshmërisë në Kosovë. Pra, ai ka një vlerë shumë të veçantë dhe si i tillë, trajtimi i tij ka një ndieshmëri tepër të madhe për politikën dhe për qytetarët e Kosovës. Në përgjithësi, politikës kosovare, por në radhë të parë, vet qytetarëve të Kosovës (për të cilët zatën ekziston kjo politikë, e jo anasjelltas), nuk i duhen fare tronditjet e këtij lloji, çfarë u panë të premtën e 2 prillit. Politika kosovare, e këtu hisen më të madhe (në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve të 14 shkurtit), e ka Kryeministri Kurti dhe Qeveria e tij, duhet të përqëndrohet e tëra në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve jetike të qytetarëve të Kosovës, në radhë të parë, në trajtimin e pasojave të Pandemisë, teksa gjithsesi duhet t’i shmanget këtyre situatave kur vet (kjo politikë), do të jetë burimi kryesor i destabilizimit të vendit. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.