Cubat e vitit 2050: Shqiptarët do ta kenë në dorë Bashkimin Evropian 123 string(16) "Nexhmedin Spahiu" string(59) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/08/spahiu.png" nga Nexhmedin Spahiu 19.10.2018 16:10 19.10.2018 16:10 Viteve të 1990-ta në lokalet e Tiranës bisedonim se çfarë është profesioni stereotipik i kombeve të ndryshme. Për shumë gjëra pajtoheshin shumica se gjermani ishte mekanik, se italiani ishte një këngëtar apo poet, se japonezi ishte një inxhinier, se greku ishte një tregtar, se serbi ishte një bujk, se bullgari ishte një punëtor, se kinezi ishte një ndërtimtar, se amerikani ishte një kauboj, se anglezi ishte një administrator, se suedezi ishte një organizator, se turku ishte një luftëtar, etj., etj. Por, pyetja më e rëndë që shtrohej ishte – çfarë është shqiptari? Përgjigjet ishin: shqiptari nuk është mjeshtër, ai vetëm aktron mjeshtrin. Shqiptari nuk është mësues, ai vetëm aktron mësuesin. Shqiptari nuk është luftëtar, ai vetëm aktron luftëtarin. Shqiptari nuk është mjek, ai vetëm aktron mjekun. Nga përgjigje të shumta të këtij lloji, njëri nga të pranishmit brofi në këmbë dhe tha: shqiptari, pra, qenka aktor. Ndryshe si mund të ishte aktori më i mirë serb i të gjitha kohërave shqiptari Bekim Fehmiu. Të bëhesh aktori më i madh në një ambient armiqësor si Beogradi, për shqiptar kjo mund të ndodh vetëm kur je aktor e përtej aktori. Aktorët shqiptarë kanë për publik aktorët. Dhe këtu nuk dihet nëse aktorët më të zotë janë ata që janë në skenë apo ata që janë të ulur në sallë si publik. Shqiptarët që shikojnë teatër janë aktorë që aktrojnë publikun. Por, shqiptarët jetonin edhe në kohën kur aktrimi nuk njihej si profesion dhe dikush nga diskutuesit tha se megjithëkëtë duhet ta gjejmë një profesion më themeltar që i përgjigjet shqiptarit. Përfundimi ishte se profesioni bazik i shqiptarëve është cubnia. Shqiptarët ishin dhe mbetën cuba. Shqiptarit i mungon durimi (me përjashtime, kuptohet). Shqiptarit i mungon pasioni për punë (me përjashtime, kuptohet). Prandaj, shqiptari nuk mbjell se kjo do punë dhe nuk pret që fryti të piqet se kjo do durim. Shqiptarit i pëlqen që ta grabisë frytin e tjetrit ashtu të gatshëm. I keni parë shqiptarët e Maqedonisë, që ndër shqiptarë konsiderohen më punëtorët? Edhe këta janë grabitqarë. Nuk lodhen që të ndërtojnë institucione në Maqedoni. Ata duan që bullgarët/maqedonët t’i bëjnë institucionet, kurse këta vetëm të ulen në Parlament dhe për së gatshmi të votojnë se u pëlqejnë apo jo çfarë kanë bërë bullgarët/maqedonët. Shih në anën tjetër vëllezërit e tyre. Shqipëria nuk u bë shtet tamam as edhe për më shumë 100 vite qëkur Fuqitë e Mëdha e njohën për shtet. A nuk po ecën edhe Kosova rrugës së njëjtë si Shqipëria? Cubat shtet nuk bëjnë, ata vetëm e grabisin atë. Por, për të grabitur dikush duhet të krijojë gjënë që do të grabitet. E bota u mëshirua me shqiptarët dhe u krijoi jo një por dy shtete, por këta vazhdimisht i shkatërrojnë duke i grabitur ato. Natyrisht, çdo shoqëri përmes përjashtimeve kompenson vetveten. Sa më frikacak që është një popull, trimat e tij të rrallë shquhen deri në ekstrem. Sa më i padijshëm që të jetë një popull, dijetarët e tij të rrallë shquhen deri në ekstrem. Sa më i padurueshëm të jetë një popull, durimtarët e tij shquhen deri në ekstrem. Kështu me radhë. Shqiptarët si popull në përgjithësi frikacak dhe josakrifikues nxorën trima si Adem Demaçi dhe Adem Jashari. Shqiptarët si popull jo i durueshëm në përgjithësi nxorën simbolin e durimit Ibrahim Rugovën. Shqiptarët si popull i padijshëm nxorën dijetarë si Sami Frashëri, Hasan Tahsini, Gjergj Fisha, Branko Merxhani dhe Ferit Murati. Shqiptarët si popull grabitqar nxorën simbolin planetar të humanitetit, Gonxhe Bojaxhiun-Nënën Tereze. Shqiptarët nuk ndërtuan shtet, se nuk u shquan në ndërtime, por në grabitje. Këtë profesion e kultivuan deri në përsosmëri. Kulmi i këtij profesioni ishte kur shqiptarët ua grabitën sulltanëve Perandorinë Osmane. Në shkrimin paraprak tek revista “Shenja” kam shpjeguar se si Qypërlinjtë shqiptarë e grabitën pushtetin perandorak osman dhe e mbajtën atë që nga 1656 e deri më 1710. Kjo është koha më e lavdishme e shqiptarëve. Shqiptarët ndërruan fe në masën 85% dhe u bënë zotër të një perandorie të cilën dikur e kishin luftuar kur kishte qenë në kulmin e saj (koha e Skënderbeut). Në kohën e Qypërlinjëve, shqiptarët kishin pushtetin, zotërimet faktike dhe namin. Ky duket të jetë kulmi çfarë shqiptarët mund të bëjnë si tërësi. Konform këtij shembulli nuk është e pritshme që Shqipëria e Kosova të bëhen shtete të hairit as edhe më 2050, sepse energjia primitive e shqiptarëve ndeshet me njëri-tjetrin dhe nuk krijohen sisteme të qëndrueshme. Shansi i shqiptarëve do të paraqitet në Bashkimin Evropian. Livadhet e gjëra të kësaj perandorie moderne do të jenë pre të lehta për cubat shqiptarë. Ata do t’i gllabërojnë ato me energjinë e tyre primitive, dhe duke qenë ky një sistem i krijuar me shekuj, do t’u mundësojë shqiptarëve që të ecin shtigjeve të rrahura me energjitë e tyre të ndrydhura. Faza e parë, ajo kulturore veçse po vegjeton: Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, Era Istrefi. Majlinda Kelmendi e sportistë të tjerë në klubet anë e mbanë Evropës veçse dëshmojnë energjinë e ndrydhur të prindërve të tyre, me ëndrrat e lëna përgjysmë në një truall që për një arsye apo tjetër nuk ua mundësoi realizimin e këtyre ëndrrave. Prindër që ëndrrat e tyre muzikore apo sportive nuk i realizuan dot në atdheun e tyre, gjithë energjitë e tyre i investuan tek fëmijët e tyre, rezultatet e të cilëve po vërehen. Por, pas fazës kulturore e sportive vjen faza e ambicieve më të mëdha, ambicieve politike. Fëmijët e prindërve, mbijetesa e të cilëve funksionon vetëm përmes politikës, ku nuk mund ta punësosh djalin apo vajzën po nuk je i kyçur në partitë që kanë pushtetin, janë fëmijë që shtresëzojnë etjen për pushtet. Livadhet e mëdha të Bashkimit Evropian do të jenë kafshatë e lehtë për këta fëmijë të prindërve me ëndrra të thyera. Shqiptarët do ta kenë në dorë gjithë Bashkimin Evropian. Ndoshta ky edhe do të jetë fundi i kësaj perandorie moderne, por më 2050 kjo perandori do të udhëhiqet nga shqiptarët e shtrirë në të gjitha skajet e saj. Përkundër këtij fakti, Shqipëria e Kosova do të ngelen vendet më të prapambetura të kësaj perandorie. Edhe më 2050, shqiptarët do të kenë Gjergj Fishtën e Branko Merxhanin e Faik Konicën e vet, edhe Nënën Tereze , por cubat e 2050 do t’i lënë ata nën hije. Gjithsesi, kryebashkiaku shqiptar i Londrës, Parisit apo Berlinit të vitit 2050 do ta ketë më të lehtë e më të suksesshme qeverisjen se kryebashkiaku i Tiranës, Prishtinës, Pukës apo Skenderajt. Ndonjë nga këta edhe do të jetë dorëlirë në bamirësi si Adem Kurtpasha në poezinë e Hafiz Yvejs Efendisë nga Gjakova, e shkruar me shkronja arabe më 1699. Uratë për Adem Kurtpashën Do t’i lutem unë Allahut Adem Kurtpashës t’i falë shnet, E t’ia ruej Murat begin Që t’a pshtojë kët milet. Do t’i lutem që Adem pashës T’i falë Allahu aq vjetë e jetë, Gjithë sa ka yje qielli Gjithë sa ka n’botë dushk e fletë. O Zot, t’lus unë m’katari, Falnaj m’katet për jetë e mot, Gjithë ku shkel këmbë shqiptari Ti, bekoje, i Madhi Zot. Adem pashë po t’kënnoj uratën Oxhak i parë n’kët Shqipni, Nuk u lodhe për arkëthatën Veç ky popull t’marrë dijeni. Murat beg, Uvill Sabahu Si fener ti Dritë na jep Me emër t’vet t’ruejt Allahu Që nxorre pop’llin n’selamet. Kjo poezi e vjetër shqipe, njëra ndër më të mirat në letërsinë shqipe, ku sidomos strofa e tretë do të duhej të ishte hymn kombëtar, tregon se nga disa prej atyre që grabitën pushtetin perandorak osman panë dobi shqiptarët. Nga ndonjëri shqiptar që më 2050 do të jetë në krye te Parlamentit Evropian apo Komisionit Evropian, Këshillit të Evropës, apo që do të jetë në vend të Federica Mogherinit, shqiptarët mund të kenë ndonjë dobi, por shumica e tyre do të jenë vetëm për veten e tyre, sepse brezi i këtyre që tani janë 10-20 vjeçarë, e që më 2050 do të jenë në kulmin e karrierës së tyre politike nuk është duke u edukuar aspak me frymë patriotike. Nëse tani do të bënim reforma rrënjësore në edukimin tonë patriotik, nëse tani nxënësit tanë do të mësonin nga abetaret e viteve 1941-1944 dhe frymën patriotike që mbartin ato tekste shkollore, në vitin 2050 Evropa jo vetëm që do të ishte në dorë të shqiptarëve, por edhe do të përjetonte lulëzim. Në të kundërtën, nëse vazhdojmë kështu, Evropa më 2050 do të jetë në duar të shqiptarëve, por nga ky fakt nuk do të kenë dobi as shqiptarët e as evropianët e tjerë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.