Çka po ndodhë me Pandeminë në Kosovë? - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Çka po ndodhë me Pandeminë në Kosovë?

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
07.11.2021 13:57

Që jemi Sui Generis në politikë, apo, në mënyrën se si jemi bërë shtet i pavarur, këtë e dimë të gjithë ne, megjithëse, për bindjen tonë, nuk ka pasur rast më të pastër se sa Kosova në atë zhvillimin historik dhe politik të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, e cila zatën nisi në Kosovë  (në vitin 1981), dhe përfundoi në Kosovë  (në vitin 2008).

Por javëve të fundit, jemi bërë Sui Generis edhe në rrjedhat shëndetësore që kanë të bëjnë me Pandeminë, apo, me numrat e përditshëm të kosovarëve të cilët po infektohen me Covid-19, dhe statistika e përgjithshme e të sëmurëve me këtë virus.

Teksa thuaja në të gjithë Evropën, dhe gjithsesi, në të gjitha shtetete e rajonit, prej Sllovenisë deri në Greqi, është duke bërë kërdinë Vala e katërt e Pandemisë, ndërsa në shtetet fqinje të Kosovës, numrat shkojnë në qindra dhe në mijëra të infektuar dhe me dhjetëra të vdekur, në Kosovë po shënohet, në një kontinuitet i cili nuk mund të jetë i rastësishëm, dukuria e uljes së numrave ditor në veçanti dhe atyre të përgjithshëm, në tërësinë e tyre. Aktualisht i kemi diku rreth 450 të infektuar, teksa edhe statistikat për të vdekurit janë shumëfish më të vogëla se sa që kanë qenë në Kosovë hiç më larg se në shtator të këtij viti.

Kosova pra aktualisht është Numër 1 në Ballkanin Perëndimor për të mirë, siç ishte, fatkeqësisht, Numër 1 për të keq prej javës së dytë të muajit gusht dhe për disa javë të tjera.

Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë e Qeverisë së Kosovës me të drejtë ditëve të fundit po i bën thirrje qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen, sepse vështirë që vendi do t’i shpëtojë një vale të re të këtij virusi, që tashmë ka hyrë në vitin e tretë të ekzistencës së tij  (së paku në fillim të nëntorit të vitit 2019, nëse jo më herët, janë shënuar raset e parë të këtij virusi në Wuhan të Kinës).

Pastaj, mënyra se si po funksionon ky virus i ka sfiduar të gjitha parashikimet e ekspertëve shëndetësorë të cilët në masë të madhe, ia kanë huqur në analizat dhe vlerësimet e tyre kur bëhej fjalë për këtë virus, për varëshmërinë e mbijetesës së tij nga moti/ stinët, për sjelljen e tij pas një cikli një apo dy vjeçarë, etj.etj.

Virusi po përjeton mutacionet, në synimet e tij për të mbijetuar, dhe ky i fundit, i pagëzuar tashmë Delta Plus, (i cili përhapet më së shpejti), duket që po i afrohet edhe Kosovës, teksa sipas të gjitha gjasave, pararendësi i tij, Delta, i ka shterrë forcat e veta në Kosovë, mbase, për dy shkaqe, edhe pse me siguri ka edhe arsye të tjera, të cilat janë aktualisht të panjohura.

Shkaku u parë është dinamika stabile e vaksinimit të popullatës, veçmas prej gushtit e këndej, kur statistikat e frikshme të sëmurëve dhe të vdekurve, shtynë kosovarët që masivisht t’i vizitojnë qendrat e vaksinimit.

Kosova ia nisi e fundit në rajon ndërmarrjen e vaksinimit, por tek ne u shfaq një dukuri tjetër për dallim të shteteve të tjera, ku ajo ofenziva e suksesshme nismëtare për imunizimin masiv të qytetarëve, u përcoll pastaj me një vendnumërim, fatura e të cilit u ka ardhë këtyre shteteve javëve të fundit, në trajtë të numrave të mëdhenj të të infektuarve.

Tek ne, vaksinimi pati një lakore interesante, duke nisur më ngadalë se sa që është e pritur, por më pas, nuk ka pasur ngecje, dhe numrat e përgjithshëm të të imunizuarve e bëjnë Kosovën shtetin Numër 1 në rajon, në përqindje të popullatës.

Realisht, deri në fund të vitit, tri të katërtat e qytetarëve të Kosovës do të mund të vaksinohen me dy doza.

Pastaj, për dallim prej shteteve të tjera të rajonit, Kosova ka aplikuar vetëm vaksinat që janë të lejuara në SHBA dhe në Bashkimin Evropian, gjë që me siguri ka ndikur për të mirë në suksesin e vaksinimit të popullatës.

Shkaku i dytë, sipas të gjitha gjasave ka të bëjë me përqindjen e kosovarëve të cilët tashmë e kanë pasur këtë virus, që prej se tek ne mbërriti, me 13 mars të vitit të kaluar, kur u shënuar rastet e pata.

Sipas një Analize të mëparme të ISHPK-së, duket që diku një e treta  (së paku), e kosovarëve kanë qenë të infektuar tashmë, dhe në këtë mënyrë, e kanë fituar atë imunitetin natyror, i cili megjithatë, nuk zgjatë më shumë se një vit.

Këtu, në një përpilim të Statistikës së saktë të atyre që e kanë vuajtur këtë sëmundje, ka mundur të bëhet një punë shumë e mirë poqëse para vaksinimit, qytetarët do të përgjigjeshin në pyetjen se a e kanë pasur virusin.

Sidoqoftë, përvoja me Covid-19 është e tillë, që askush në Botë nuk guxon të parashikojë fundin e tij, apo kohën kur ai (më në fund), do të shndërrohet në një lloj të virusit sezonal, shumë më pak të rrezikshëm se sa që është tash e dy vjet.

Ky konkludim vlenë edhe për ne në Kosovë. Këtë duhet ta dimë të gjithë.

 

lajme të ngjashme