Çka po kërkohet prej opozitës? - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Çka po kërkohet prej opozitës?

123
string(12) "Ardian Gjini" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/11/Ardian-Gjini.jpg"
25.01.2016 10:11

Një nga keqkuptimet themelore të sistemit demokratik pluralist në Kosovë, e që po përsëritet dhe amplifikohet shpesh kohëve të fundit nga shumë folës dhe shkrues qoftë opinionistë qoftë politikanë, është se opozita ekziston për ta korrektuar qeverinë. Si rrjedhojë opozita është e dobishme sepse e bën qeverisjen më të mirë.

Keqkuptimi tjetër e që rrjedh nga i pari është se meqenëse Kuvendi e mbikëqyr punën e qeverisë dhe meqenëse opozita është në Kuvend, rrjedhimisht edhe opozita e mbikëqyr qeverinë. Këta dy silogjizma janë fundamentalisht të gabuar. Nëse në demokracitë stabile dhe në vendet ku gazetaria dhe politika nuk janë ‘zanate’ që e sjellin dikënd në prominencë me shpejtësi të dritës por janë edhe dije, nuk ka fare nevojë që të shtrohet ky argument, në Kosovë po duket se është e domosdoshme që t’i qasemi, fillimisht në mënyrë të thjeshtuar.

Së pari, opozita nuk ekziston fare për ta përmirësuar punën e qeverisë. Fundamentalisht, opozita ekziston për ta hequr prej pushtetit qeverinë dhe për të ardhur vet në pushtet. Filozofikisht është fare e pa rëndësishme se kur dhe si vjen në pushtet opozita. Ajo vjen në pushtet sido që të jetë e mundur më lehtë. Hartimi i kushtetutave dhe ligjeve në demokraci bëhet kryekëput për të vënë rregull dhe për ta kontrolluar konfliktin e paevitueshëm në mes të pushtetit dhe opozitës.

Është e vërtetë që opozitat bëjnë që pushtetet të jenë më të përgjegjshëm dhe të punojnë më mirë, por edhe në kushtet më stabile të një demokracie, ky nuk është asgjë më tepër se sa një efekt anësorë i ekzistencës së opozitës dhe synimit të saj për ta marrur pushtetin. Në ato ‘kushte stabile’, qeveria është më e përgjegjshme kur ekziston opozita sepse respektohen rregullat dhe mungesa e përgjegjësisë detyrimisht e dërgon pushtetin në opozitë dhe e sjell opozitën në pushtet. Por kur nuk ka rregulla, ose kur ato shkelen dhe kur pushteti fillon të ndjehet komod përkundër shkeljeve, opozita gjithmonë, pa përjashtim, fillon të gjejë mjete tjera për ta hequr qeverinë nga pushteti. I rrit pritjet e qytetarëve, e ekspozon paaftësinë e qeverisë ndërsa kjo e fundit fillon të përdorë mjete koercive për të mbetur në pushtet.

Rasti më i thjeshtë për ta ilustruar këtë që thash më lartë është kërkesa e qeverisë dhe e disa opinionistëve për opozitën që ta ndihmojë Kosovën (lexo qeverinë) për ta bërë Statutin e Asociacionit konform Kushtetutës. Kjo kërkesë është nonsens në vetvehte. Së pari për shkak se qeveria ka refuzuar të korrektohet sipas kërkesës verbale legale të opozitës; së dyti, qartësisht e përsëritur, opozita nuk ekziston për ta korrektuar qeverinë, korrektimi është vetëm efekt anësorë; dhe së treti, misioni i opozitës është që ta penalizojë qeverinë aq më tepër kur ajo është e papërgjegjshme, arrogante dhe kur fillon ta tiranizojë opozitën dhe jo vetëm.

Kjo kërkesë me fjalë tjera përkthehet kështu: Qeveria ka gabuar. Është roli i opozitës që ta përmirësojë qeverinë, dhe ajo të mbetet në pushtet. E pra, mu kështu nuk bën. Sepse opozita nuk ekziston për ta ndihmuar pushtetin por për ta ndërruar atë. Poashtu, mesazhi afatgjatë që do të ipej nëse opozita sillet asisoji është se nuk është aq tragjike nëse qeveritë gabojnë sepse aty është opozita për ta korrektuar dhe pastaj, ajo qeveri vazhdon të mbetet në pushtet e ajo opozitë vazhdon të mbetet aty ku është, në opozitë. Ky mesazh ka qenë i pari që e kanë përquar pushtetet kalimtare komuniste në fazat e para të tranzicioneve demokratike. Është mirë që ekziston opozita, sepse ju e përmirësoni punën tonë. Çfarë demagogjie.

Keqkuptimi i dytë është ky: Meqenëse Kuvendi e mbikëqyr qeverinë, meqenëse opozita është në Kuvend, si rrjedhojë është detyrë e opozitës që ta mbikëqyrë qeverinë. E vërteta është se mbikëqyrja e qeverisë nuk është misioni i opozitës. Misioni i opozitës është gjithmonë dhe në çdo demokraci ndërrimi i qeverisë. Mbikëqyrja është vetëm një mjet pune në duart e opozitës për ta realizuar misionin e vet. Në demokracitë normale, mbikëqyrja e qeverisë, si mision, iu takon vetëm deputetëve të partisë (ose partive) në pushtet. Kjo është evidente sepse vetëm ata mund të dëmtohen drejtpërdrejtë nëse qeveria nuk i mban premtimet, korruptohet, etj. Ata rrezikojnë t’i humbasin mandatet dhe privilegjet prandaj e mbikëqyrin. Opozita e mbikëqyr për ta penalizuar dhe për t’ia rrëmbyer pushtetin, e që edhe është misioni i saj.

Këto janë kushtet e funksionimit të qeverive dhe të opozitave të cilat mund të ndryshojnë vetëm në rastet e rreziqeve eminente nga luftërat ose fatkeqësitë tjera të përmasave të mëdha apo edhe të ndryshimeve tjera të mundshme me pasoja shumë afatgjata. Por edhe në ato rrethana ekzistojnë dy raste të ndryshme të lëvizjes prej modusit të përhershëm të funksionimit të binomit permanent në konflikt, pushtet-opozitë.

I pari është kur demokracia është stabile dhe qeveria e përgjegjshme para qytetarëve dhe para shtetit. Në ato raste, opozita ‘i thyen shtizat’ dhe bashkëpunon me qeverinë por prap për dy arsye të pandashme nga njëra tjetra; së pari për ta ndihmuar vendin dhe së dyti për ta mbajtur gjallë reputacionin e vet para popullit dhe si rrjedhojë për t’i mbajtur gjallë gjasat për të ardhur në pushtet.

Nëse njëra nga këto dy arsye mungon-ose nuk i ndihmohet shtetit duke e mbrojtur qeverinë ose shuhen gjasat për të ardhur në pushtet për një periudhë të gjatë të paparashikueshme- atëherë vendi zhytet në kaos dhe rrezikon të zhbëhet. Raste të këtilla ka pasur gjatë ndërtimit të shteteve dhe historia pa përjashtim, e ka dënuar qeverinë ekzistuese për dështimin për ta mbajtur shtetin bashkë, jo opozitën.

I dyti është kur demokracia është e brishtë dhe qeveria e papërgjegjshme para qytetarëve dhe para shtetit. Në këto raste, opozita e ka edhe arsyen edhe shkasin për të mos bashkëpunuar me pushtetin dhe për të synuar rrëzimin sa më të shpejtë të qeverisë (rasti tipik aktual i Kosovës). Zakonisht ajo bëhet më agresive dhe më e paparashikueshme. Në këto raste qeveritë japin dorëheqje dhe i lejojnë opozitës apo një konstalacioni tjetër politik të provojë pushtetin dhe prap këtë e bën për dy arsye pragmatike dhe të pandashme; për ta ndihmuar vendin që të mos shkojë në kaos, dhe për t’i ruajtur gjasat për t’u kthyer në pushtet, sepse nëse largohet me revolucion zor se kthehet.

Edhe për pushtetin vlen e njejta logjikë. Duhet të ekzistojnë të dy arsyet për ta lëshuar pushtetin. Edhe duhet t’i ndihmojë vendit edhe t’i mbajë gjasat gjallë për të ardhur në pushtet. Nëse njëra nga këto arsye mungon, qeveria nuk lëshon pe, i përdor të gjitha mjetet koercive për të mbetur në pushtet dhe vendi zhytet në kaos dhe rrezikon zhbërjen. Edhe në këtë rast, historia e dënon atë që është në pushtet.

Këto variante ekzistojnë gjithmonë dhe mund të ndryshojnë deri në një masë të caktuar vetëm nëse ekziston një hegjemon qëllim mirë dhe ndërhyn shpejt, paanshëm dhe me qëllim të stabilizimit të vendit.

Në rastin e Kosovës është vërtetuar se ai hegjemon ekziston dhe mund ta stabilizojë situatën deri në një masë të madhe. Por hegjemoni nuk mund t’i zhduk burimet e antagonizmave dhe të mosbesimit. Ato mund dhe duhet t’i zhdukim vet, politikanët, gazetarët, shkrimtarët, opinionistët e të gjithë tjetrët. Por për t’i zhdukur së pari duhet kuptuar drejt në mënyrë jokomuniste rolin e gjithsecilit në shoqëri.

lajme të ngjashme