Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Çka nuk lejohet në Kosovë, lejohet në Serbi

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 21.12.2023 12:11
blerim shala

Paramendoni për pak çaste këtë situatë në politikën e Kosovës.

Presidenti i Kosovës (nuk ka rëndësi fare këtu emri dhe mbiemri i tij apo i saj), në prag të zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, vendos që t’ia ofrojë emrin e vet një Liste/entiteti/koalicioni që garon në këto zgjedhje.

Për më shumë, presidenti i Kosovës merr pjesë, në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe intenzive në fushatën parazgjedhore në dobi të kësaj Liste/entiteti/ koalicioni, gjithsesi me synim për t’i fituar zgjedhjet, apo, për t’i ofruar (së paku), gjasa kredibile për të siguruar një rezultat më të mirë në këto zgjedhje.

Në rastin e Kosovës, do të reagoni secili prej jush që tani po e lexoni këtë shkrim, diçka e tillë është e pamundur, dhe atë, së paku për dy arsye (në mos më tepër).

Së pari, kushdo që do t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese për ta vlerësuar këtë veprim të presidentit, do të ishte i sigurt që rasti do të fitohej në këtë gjykatë, apo, Gjykata Kushtetuese do ta sillte verdiktin sipas të të cilit del që i pari i shtetit, ka bërë shkelje të rëndë kushtetuese.

Në vijim, gjithsesi, do të pasonte ndëshimi politik/legal i presidentit, në Kuvendin e Kosovës, nëse në ndërkohë, ai/ ajo nuk do të ofronte vet dorëheqjen nga posti më i rëndësishëm në Kosovë.

Së dyti, ende pa marrë Gjykata Kushtetuese këtë verdikt, SHBA-ja dhe BE-ja së bashku do të konstatonin që presidenti, në këtë mënyrë, ka vendosur veten në raporte të një përplasjeje të pashmangshme jo vetëm me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, por edhe me Washingtonin dhe Brukselin.

Për më tepër, do të shtonin amerikanët dhe europianët me një zë, ‘presidenti ka rrezikuar jo vetëm sundimin e ligjit, por edhe demokracinë në shtetin e Kosovës’.

Shkurt e shqip, karriera e këtij politikani/presidentit, do të merrte fund brenda pak ditësh.

Veç tjerash, sepse Kosova jo vetëm prej vet qytetarëve dhe politikanëve të saj, por edhe prej perëndimit, llogaritet si një shtet demokratik.

Dalim tash në Serbi dhe e bëjmë këtë krahasim.

Derisa në shembullin e Kosovës, çfarë shkruajtëm më parë është një sajesë apo imagjinatë, në rastin e Serbisë, ky veprim tashmë është realitet.

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është konfrontuar në mënyrën më brutale të mundshme me kushtetutën e saj, e cila njëlloj si kjo e Kosovës, limiton politikisht presidentin e vet. Ai është përfaqësues i të gjithë qytetarëve të këtij shteti dhe atij nuk i lejohet asnjë funksion tjetër politik.

Vuçiq është gjetë në ballë të koalicionit parazgjedhor të quajtur ‘Serbia nuk guxon të ndalet’ (Srbija ne sme da stane), dhe për më shumë, ka bërë kampanjë të çdoditshme për këto zgjedhje. Më në fund, vetëm falë tij ky koalicion ka siguruar një fitore absolute në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të cilat në Serbi u mbajtën me 17 dhjetor.

Vuçiq-it nuk i ka ndodhur gjë prej gjëje, as në vend dhe si po shihet, as në këtë rrafshin ndërkombëtarë.

Opozita po organizon protesta, nën akuzën që këto zgjedhje parlamentare, dhe ato lokale në Beograd, kanë qenë të manipuluara prej presidentit të Serbisë, teksa askush prej përfaqësuesve të saj nuk ka denjuar që ta kontestojë, në Gjykatën Kushtetuese të Serbisë, të drejtën e Vuçiq-it për t’u përfshi fare në këtë ushtrimin suprem të demokracisë.

Nuk e ka bërë këtë, sepse e ka ditur mirë që Gjykata Kushtetuese e Serbisë nuk do ta adresonte fare këtë temë.

Karriera e presidentit Vuçiq është e sigurtë, si në Serbi, ashtu edhe jashtë saj.

Mbi të gjitha, sepse perëndimi e ka ndërmend që me te t’i kyejë të gjitha punët e mbetura në raportet e Washingtonit dhe Brukselit me Serbinë, për ta stabilizuar një herë e mirë gjendjen në Ballkanin Perëndimor, e cila mbi të gjitha është peng i normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kjo është real politikë, do të mund të shtohej pa bërë kurfarë gabimi.

Nuk është rend këtu për moral, për parime perëndimore të demokracisë, të zgjedhjeve të lira, të sundimit të ligjit, të respektimit të kushtetutës së vendit, teksa që të gjitha këto kanë vlerë të pakontestueshme në shembullin e Kosovës.

Të gjithë ne do të duhej ta merrnim parasyshë këtë realitet politik ndërkombëtar.

Do të ndahemi mirë, madje shumë më mirë nëse do ta nxjerrim këtë mësim.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme