Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Çka do të bëjë votuesi

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 16.05.2025 10:30
Blerim Shala
Blerim Shala

Po bëhet gjithnjë e më e qartë që Kosova do të detyrohet të mbajë zgjedhjet e reja parlamentare, dhe atë për herë të dytë brenda këtij viti. Pas atyre të rregulltave, të organizuara me 9 shkurt, do t’i kemi edhe këto të parakohshmet, më së largu në vjeshtën e këtij viti. Kur dihet që do t’i mbajmë edhe zgjedhjet e rregullta për pushtetin komunal, (në vjeshtë), atëherë del që qytetari i Kosovës që ka vullnet, sivjet do të votojë tre herë, pas një periudhe gati katërvjeçare kur kishte vizituar për herë të fundit qendrat e votimit.

Kur zgjedhjet e përgjithshme mbahen brenda një distance pak a shumë të shkurtër kohore, siç do të jetë sipas të gjitha gjasave rasti në Kosovë, vështirë është të pritet një ndryshim kualitativ i rezultatit të tyre që do ta lehtësonte ndjeshëm procesin e krijimit të pushtetit qendror, i cili në këtë rast  (apo, pas këtyre zgjedhjeve), do të duhej të mundësonte konstituimin e Kuvendit, krijimin e Qeverisë dhe zgjedhjen e Presidentit të Kosovës  (i cili jo më vonë se me 4 mars të vitit të ardhshëm duhet të zgjidhet).

Pra, shumica parlamentare e cila do të duhej të krijohej pas zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, nuk duhet më të synojë sigurimin e shifrës magjike prej së paku 61 deputetëve, por atë tjetrën, më të lartën, prej së paku 80 deputetëve, minimum ky për ta nisur ndërmarrjen e votimit për Presidentin/ Presidenten e Kosovës.

Në të kundërtën, do të mund të ndodhte diçka e paparë dhe e paimagjinuar dot në Kosovë, që në prillin e vitit të ardhshëm sërish të shkohet në zgjedhjet e reja parlamentare, të tretat brenda 14 muajve.

Megjithatë, ky skenar duket fare jorealist, apo, pritet që pas zgjedhjeve të parakohshme, kurdo që ato do të mbahen, do të ndodhin përpjekjet për të krijuar një pushtet të qëndrueshëm qendror, me numrat e deputetëve të cilët do të ofrojnë siguri për zgjedhjen e Presidentit/ Presidentes së Kosovës.

Në teori së paku, kështu qëndrojnë punët, natyrisht, duke marrë parasysh çfarë po ndodhë  (apo, çka nuk po ndodhë e do të duhej), në Kuvendin e Kosovës tash e një muaj, kur ka gjithnjë e më pak shpresë që mund të ketë pajtim ndërpartiak për ta zhbërë vendnumërimin në procesin e krijimit të pushtetit qendror të vendit.

Por, çfarë nuk dihet, apo, çka nuk mund të hamendësohet as në teori është sjellja e qytetarëve/ votuesve në rast të zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë.

Janë disa të panjohura në këtë ekuacion politik.

Para se të gjithash, asnjëherë në këtë historinë 24 vjeçare të demokracisë parlamentare në vend, (zgjedhjet e para të përgjithshme janë mbajtur në vitin 2001), nuk ka ngjarë që zgjedhjet e reja/ të parakohshme, kanë qenë reflektim i drejtpërdrejtë i dështimit të konstituimit të Kuvendit dhe krijimit të Qeverisë. Rëndom, sebepi për organizimin e votimeve parlamentare, është gjetur në mos-funksionimin e duhur të Qeverisë ekzistuese ose edhe në hesapet sipas të cilave, partitë kanë llogaritur që atyre ju konvenon të shkojnë në zgjedhje sa më parë.

Në çdo variant pra, pa marrë parasysh justifikimin për kërkimin e zgjedhjeve të reja, partitë kanë pasur me çka të dalin para votuesve, duke i shfaqur para tyre ofertat politike, ekonomike dhe sociale për mandatin e ri qeverisës.

Por, kësaj here, ne do t’i organizojmë zgjedhjet e reja, jo për shkak të raporteve të çrregulluara brenda një qeverie, apo, edhe në vijim të humbjes së një shumice parlamentare, por thjesht sepse nuk po arrihet dot të krijohen institucionet e pushtetit qendror.

Cila do të jetë në këtë rast, të parin pra në historinë e deritashme të demokracisë parlamentare në Kosovë, oferta e partive tona politike për qytetarët/ votuesit?

A do ta përsërisin ato çka premtuan vetëm pak muaj më parë, kur patëm fushatën për zgjedhjet e 9 shkurtit, apo, kësaj radhe ato do të merren shumë më tepër me fajin a përgjegjësinë për faktin që po duhet të votojmë sërish, për ta tejkaluar disi  (mundësisht), ngërçin evident politik.

Çka është më e rëndësishmja, si do të motivohet qytetari i Kosovës të dalë në zgjedhje, nëse ai do të nisë të dyshojë që vota e ti nuk do të përdoret si duhet (dhe si pritet) nga partitë politike për ta bërë Kosovën me pushtet të qëndrueshëm.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme