Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Çka bën dhe çka nuk bën në raportet Kosovë – Serbi

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 13.02.2024 09:07
Blerim Shala
Blerim Shala

Qytetarët serbë të Kosovës duhet t’i gëzojnë të gjitha të drejtat që u takojnë me Kushtetutën e Kosovës dhe me kornizën ligjore të vendit.

Shteti i vetëm i tyre, si qytetarë të Kosovës, është Republika e Kosovës.

Ky fakt nuk përjashton që këta qytetarë, të kenë të drejtë të marrin ndihmë financiare nga shteti i Serbisë në arsim, në shëndetësi, pastaj, të marrin pensione dhe kontribute sociale.

Poashtu, qytetarët serbë të Kosovës kanë të drejtën e dyshtetësisë, apo, ata njëkohësisht mund ta kenë shtetësinë e Kosovës dhe Serbisë.

Sidoqoftë, burimi themelor i të drejtave të tyre si qytetar dhe si komunitet, është shteti i Kosovës, Kushtetuta dhe ligjet e Kosovës.

Natyrisht, ka shumë për të diskutuar se në çfarë raporte është realiteti, në këtë aspekt, me dispozitat ligjore. Gjithashtu, mund të adresohet edhe tema e të drejtave shtesë për këtë komunitet. Qysh tash mund të thuhet që serbët në Kosovë, do të jenë gjithsesi përfitues të mëdhenj nëse njëmend në një të ardhme  (sa më të afërm, do të mund të shtohet këtu), do të ndodhë normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë si dy shtete të pavarura. S’do mend që përfitues të këtij normalizimi që po synohet tash e 13 vjet  (që prej se kanë nisur bisedimet e Brukselit, në vitin 20211), do të jenë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës.

Megjithatë, teksa në trajtimin e temës së të drejtave ligjore dhe kushtetuese të komunitetit serb në vendin tonë, ka qartësi të plotë, nuk ka një cilësi të tillë kur bëhet fjalë për adresimin e një situate paradoksale e cila në Kosovë ekziston të thuash që prej çlirimit   (qershor, 1999), e këndej.

Qytetarët serbë të Kosovës, të cilët pra kanë plotësisht të drejtë të përfitojnë nga përkrahja financiare e Kosovës dhe Serbisë  (njëkohësisht), nuk mund njëkohësisht të jetojnë edhe në shtetin e Kosovës, edhe në shtetin e Serbisë.

Diçka e tillë nuk është e mundur.

Autoritetet e Serbisë, që nga qershori i largët i vitit 1999, e veçmas pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në vitin 2008, kanë synuar që në thuaja gjithë territorin e Kosovës të mbajnë gjallë strukturat e pushtetit të vet, (të gjithë elementeve të këtij pushteti), sepse në këtë mënyrë është mbajtur gjallë iluzioni se Kosova është ende pjesë e Serbisë, apo, që Kosova nuk është shtet i pavarur.

Për këtë qëllim, nga buxheti i Serbisë, për çdo vit janë dhënë dhjetëra miliona Euro, për mirëmbajtjen e këtij pushteti të Beogradit në Kosovë.

Prania e Administratës së shtetit serb në Kosovë, jo vetëm që është në kundërshti me rendin kushtetues të Kosovës, por për më shumë, ka qenë një bishtnim evident i detyrimeve të Beogradit zyrtar ndaj Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në Kosovë asnjë ditë të vetme më nuk do të duhej të toleroheshin këto struktura paralele administrative, me kryetar paralel serb të komunave, me kryetar të shtatë qarqeve në Kosovë dhe qindra e mijëra të punësuar të tjerë në një përbindësh burokratik të Serbisë në Kosovë.

Në këtë frymë mund të thuhet, pos tjerash, që Veriu i Kosovës është Kosovë, dhe nuk mund të jetë edhe Kosovë, edhe Serbi.

Të drejtat e patjetërsueshme për komunitetin serb në Kosovë, nuk mund dhe nuk duhet të përzihen me synimin e Serbisë për të qenë e pranishme në Kosovë si shtet, si pushtet, si administratë.

Ky është cenim i sovranitetit të Kosovës.

Nuk ka përputhje pra në mes të të drejtave të komunitetit serb në shtetin e Kosovës, dhe pranisë së Serbisë si shtet në territor të Kosovës.

Serbia ka të drejtë, natyrisht  (dhe këtë madje nuk e mohon askush në skenën politike kosovare), që të interesohet për gjendjen e komunitetit serb në Kosovë, dhe që të kontribuojë, financiarisht dhe materialisht, për mirëqenien e këtij komuniteti. Por, siç u tha tashmë, sa i sinqertë në këtë aspekt është Beogradi zyrtar, kjo kuptohet më së lehti me mënyrën se si Serbia e bën dialogun me Kosovën për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Realiteti i normalizimit, kur të arrihet, pa dyshim, do ta zhbëjë këtë gjendjen e pengut në të cilën gjendet komuniteti serb i Kosovës: Pengut të politikës së gabuar të pushtetit serb.

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme