Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Cilat janë në të vërtetë Prioritetet e Kosovës?

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 19.02.2021 18:29
Ruajtja dhe promovimi i interesave të shtetit të Kosovës dhe sendërtimi i pritjeve dhe interesave të qytetarëve të Kosovës, janë objektiva që asnjëherë nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, dhe që mund të sinkronizohen mirë prej pushtetit qendror të Kosovës.  

Në këtë Listën e prioriteteve të Qeverisë së re të Kosovës, e cila do të udhëhiqet nga Albin Kurti dhe partia e tij, Lëvizja ‘Vetëvendosje’, e cila ditëve të fundit është bërë edhe temë e një diskutimi nga larg në mes të Washingtonit, Berlinit dhe Kryeministrit në ardhje, është një Prioritet mbi të gjitha prioritetet tjera i qytetarëve të Kosovës, si i atyre që masivisht përkrahën Kurtin me 14 shkurt, si edhe i qytetarëve të tjerë, të cilët votuan për partitë e tjera, apo, edhe nuk dolën fare në votime.

Ky Prioritet ka të bëjë me mirëmbajtjen e marrëdhënieve të Kosovës me SHBA-në  (para se të gjithash), por edhe me BE-në, me Gjermaninë dhe Francën, me Perëndimin në përgjithësi.

Ky qytetari anonim i Kosovës, pa marrë parasyshë përkatësinë e tij partiake dhe orientimin politik, me të drejtë këmbëngulë që udhëheqësit e Kosovës duhet t’i ruajnë raportet e ndërtuara për decenie me radhë në mes nesh dhe Amerikës, në mes nesh dhe Evropës, në mes nesh dhe Perëndimit.

Nëse lideri i ‘Vetëvendosjes’ Kurti, po thekson, thuaja në të gjitha paraqitjet e tij publike, që ai do ta respektojë Listën e Prioriteteve të qytetarëve të Kosovës, atëherë, ai me siguri e di që ky vlerësim i tyre, i përbashkët, të thuash konsensual, nuk është temë diskutimi në politikën kosovare, nuk mund të jetë çështje debatesh parlamentare dhe jashtëparlamentare në mes të Qeverisë së ardhshme dhe opozitës, nuk ka si të mëdyshet prej akëcilit politikan, pa marrë parasyshë fuqinë e tij të votës.

Për këtë shkak, nëse Washingtoni dhe Brukseli, në ditët e kaluara, apo, menjëherë pasi u shfaq i zbardhur vullneti i qytetarëve të Kosovës, dërguan porositë e qarta  (dhe fare të pritshme), që Qeveria e re e Kosovës, (e cila sipas tyre, dhe sipas vetë qytetarëve të Kosovës, duhet të formohet sa më parë), duhet ta vazhdojë dialogun e Brukselit me autoritetet më të larta të Serbisë, këto porosi nuk do të duhej të kthehen mbrapsht apo të mëdyshen prej Albin Kurtit dhe Qeverisë në ardhje të Kosovës.

Nuk ka kierarki të Prioriteteve të Qeverisë së re të Kosovës, të cilat përjashtojnë njera-tjetrën, apo që kërkojnë një afatizim të caktuar kohor, sendërtimi i të cilave pastaj, do të mundësonte kalimin në adresimin e temave apo të prioriteteve të tjera.

Pastaj, Qeveria e Kosovës është adresa supreme e cila, gjithsesi, duke i pasë në konsideratë të plotë pritjet dhe shpresat e qytetarëve të vendit  (të cilat zatën janë të ditura për secilin prej nesh), i kthen këto Prioritete në Plan të Qeverisjes me Kosovën.

Ruajtja dhe promovimi i interesave të shtetit të Kosovës dhe sendërtimi i pritjeve dhe interesave të qytetarëve të Kosovës, janë objektiva që asnjëherë nuk e përjashtojnë njëra-tjetrën, dhe që mund të sinkronizohen mirë dhe domethënshëm prej pushtetit qendror të Kosovës.

Ta zëmë, synimi i jonë i kahmotshëm, si politikë kosovare, për ta kryer një herë e përgjithmonë dialogun me Serbinë, me arritjen e një Marrëveshjeje Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve përmes njohjes reciproke  (synim ky që u ri-konfirmua ditëve të kaluara me Letrat e Presidentit amerikan Biden), gjithsesi i shkon për shtati edhe ndryshimit, për të mirë, të gjendjes ekonomike dhe sociale në Kosovë (krijimit të vendeve të reja të punës), dhe sundimit të ligjit të Kosovës, të cilat për Albin Kurtin janë prioritetet kryesore të tij  (me atë binomin në anglisht ‘Jobs and Justice’, apo, punësim dhe drejtësi).

Nuk mund të ketë Sundim të duhur të ligjit në gjithë Kosovën, nëse ky (sundim), nuk arrihet dot në Veri.

Drejtësia për viktimat e luftës, në anën tjetër, është një temë që shpeshherë përmendet prej Kurtit.

Tutje, pa këtë normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës dhe Serbisë, pa i dhënë fund pra këtij kontesti të gjatë historik dhe tragjik si të tillë  (dhe kjo nuk po bëhet jo për shkakun tonë), nuk mund të pritet që do të ketë investime sinjifikative nga jashtë, teksa ato janë kusht pa të cilin nuk bën nëse dëshirohet që të ketë një zhvillim domethënës ekonomik  (prej së paku 7% rritje ekonomike në çdo vjet, ndryshe, nuk ka ulje të papunësisë).

Natyrisht, zvogëlimi domethënës i korupsionit është tepër i rëndësishëm në këtë aspekt, por ai nuk është një ‘siguresë automatike’, e cila mundëson që me të shpejtë, të vijnë në Kosovë investimet nga jashtë.

Gjërat dhe proceset janë të ndërlidhura këtu, dhe bëjmë gabim nëse i shohim të ndara.

Për shembull, Kosova siç dihet, tash e tre vjet, i ka plotësuar kriteret për Liberalizimin e vizave për qytetarët e saj, dhe nuk ka tjetër kriter të cilin ne duhet ta përmbushim, edhe pse tek tuk ka pasë fjalë, prej politikanëve dhe diplomatëve të shteteve të cilat janë dyshuese për dhënien e kësaj të drejte për kosovarët, për ri-kthimin tek disa kritere që përkojnë me sundimin e ligjit.

Lidershipi i Kosovës, në këtë aspekt, ka arsye të bollshme të insistojë në respektimin e një Kontrate  (çfarë ka qenë në të vërtetë ky relacion rreth Liberalizimit të vizave në mes nesh dhe BE-së), dhe që ne të udhëtojmë sa më parë që është e mundur në Zonën Schengen vetëm me pasaportat tonë biometrik.

Megjithatë, nëse ne për arsye të ndryshme, nuk do të vazhdojmë dialogun në Bruksel, atëherë, ky refuzim do të mund të mirrej si një justifikim tjetër i shteteve dyshuese ndaj nesh  (ku Franca është më e madhja dhe më kryesorja), që ta prolongojnë tutje Vendimin e BE-së, të cilin e presim tash e tre vjet të plota, gjë që është një precedent i paparë në historinë e vendimmarrjes së Brukselit për këtë çështje  (asnjë shtet nuk ka pritur më shumë se 6-9 muaj për Liberalizim të vizave pas përmbushjes së kritereve).

Pastaj, hezitimet tona eventuale për të lëvizur nga vendi dialogun  (sepse ai, në një formë apo tjetrën është në gjendje të vendnumërimit që nga viti 2015-të e tutje), do të mund të ri-shfaqnin tensionet politike dhe diplomatike në komunikimin me Administratën e Amerikës  (siç ishte rasti në vitin e kaluar).

Më në fund, duket që kështu do t’i bënim një shërbim të mirë Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vučić, i cili nuk po e fsheh shqetësimin e tij se çfarë mund të ndodhë me këtë dialog, nën presionin e Administratës së Presidentit Biden.

Prishtina zyrtare dhe Qeveria e re e Kosovës, ka plotësisht të drejtë të ngulë këmbë në finalen e bisedimeve, apo, në njohjen recproke. Por, hezitimi për të vazhduar me bisedimet në Bruksel, do të na bëjnë neve edhe një herë përgjegjës për ngecjen në këtë dialog, gjë që nuk na duhet fare, veçmas në këto rrethanat e reja ndërkombëtare kur pritet të ketë bashkërenditje të plotë në mes të Washingtonit dhe Brukselit për të gjitha temat e rëndësishme, duke përfshirë këtu edhe këtë të bisedimeve të Prishtinës dhe Beogradit për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme