Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Çfarë po mendon Rusia?

123
string(15) "George Friedman" string(59) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2022/05/george.jpg"
nga George Friedman 09.10.2022 16:00
Ukraine Rusi
Pamje nga një objekt i rrënuar në luftën Rusi-Ukrainë

Arsyeja e pushtimit rus të Ukrainës ishte e qartë: Moska donte një thellësi strategjike. Por asgjë që ka bërë Rusia që nga ajo kohë nuk ka qenë e qartë. Ushtria ka pësuar disa tërheqje, por kjo gjë nuk është e papritur. Kthesat janë pjesë e luftës, dhe komandantët e matur i parashikojnë dhe reagojnë ndaj atyre.

Në rastin më ideal, përgjigjet synojnë të zgjidhin ose të paktën të zbusin problemin ndërsa lufta vazhdon. Por Moska po sillet sikur sfidat me të cilat po përballet janë një surprizë. Rusia supozoi që në fillim të luftës se kishte vendosur në fushën e betejës një forcë ushtarake cilësore dhe të mirë-armatosur përballë një ushtrie ukrainase shumë më të dobët.

Pritshmëria ishte që ushtria ukrainase të gjymtohej rëndë, dhe kësisoj të mos ishte në gjendje që të bënte shumë rezistencë. Moska mendoi se edhe Ukraina besonte të njëjtën gjë. Problemi kryesor nuk është fakti që Kremlini gaboi, por që struktura e komandës ruse, duke nisur që nga kupola me Vladimir Putinin, nuk ua ndryshoi këtë bindje të gabuar.

Një forcë pushtuese duhet të ndërtohet me supozimin se ka përballë një armik të fuqishëm dhe të motivuar, ndaj duhet të përgatitet për një luftë të ashpër. Ndërkohë, Rusia nuk priste as sasinë e madhe të ndihmës dhe armatimit që do të dërgonin në Ukrainë Shtetet e Bashkuara.

Ajo e shihte SHBA-në si shumë të çoroditur politikisht dhe në aspektin social, dhe me një opozitë shumë të fortë ndaj ndërhyrjeve në konfliktet jashtë vendit. Rusët kanë qenë shumë efektivë në zhvillimin e luftës psikologjike si një dimension kyç i luftës. Edhe këtë herë ata u angazhuan në krijimin e përçarjeve mbi luftën në Shtetet e Bashkuara.

Moska besonte se SHBA do ta shihte kapitullimin e Ukrainës dhe vendosjen e trupave ruse në kufirin lindor të NATO-s si një recetë të mundshme për një tjetër Luftë të Ftohtë. Ndoshta  Uashingtoni do të dëshironte të kundërpërgjigjej, por do të ishte shumë i fragmentuar për ta bërë këtë, ose kështu të paktën mendonin në Moskë.

Këto dështime ishin të dukshme që në fillim të luftës. Rusia angazhoi 3 formacione ushtarake të blinduara për ta thyer rezistencën ukrainase, për të cilën besonte se do të ishte shumë inferiore dhe e izoluar nga ndihma amerikane. Kjo nuk ndodhi. Rusët u bllokuan shumë shpejt nga problemet e tyre logjistike, por edhe raketat amerikane antitank Javelin.

Tanket ruse ngrinë në vend ose përparuan shumë pak. Për shkak të guximit të madh të ukrainasve në fushën e betejës, rusët u detyruan që të rivlerësonin kundërshtarin e tyre.

Por ata ndryshuan taktikat e tyre pa e ndryshuar mendimin mbi armikun e tyre. Edhe pse i konsoliduan forcat e tyre në Donbas, dhe zhvilluan një betejë të gjatë atje, ata nuk përparuan drejt Ukrainës perëndimore.

Më pas u tërhoqën drejt kufirit të tyre. Dhe ky ishte një moment vendimtar për Rusinë. Ishte e qartë se ukrainasit ishin një forcë luftarake domethënëse dhe koherente, dhe ishte e qartë se Shtetet e Bashkuara nuk do ta kufizonin mbështetjen e tyre, ndërsa edhe polakët e shtuan stërvitjen e ukrainasve.

Gjatë gjithë kohës, shërbimet e inteligjencës së vendeve të NATO-s bënin harta të vendndodhjes së forcave ruse dhe parashikonin lëvizjet e tyre. Këto të dhëna i dërgoheshin në kohë reale ushtrisë ukrainase. Në shumë raste, forcat ukrainase ishin në gjendje të sulmonin forcat ruse në pikën më të cënueshme ose të tërhiqeshin kur ofensivat ruse u dukeshin shumë të kushtueshme për t’i rezistuar.

Pikërisht në këtë moment, rusët duhet të kishin rivlerësuar gjasat e tyre për të pasur sukses. Operacionet sulmuese të Moskës kishin pasur vetëm një sukses të kufizuar. Forca ukrainase e tejkaloi atë ruse dhe luftoi me më shumë disiplinë, ndërsa furnizimi dhe inteligjenca e SHBA-së vazhdoi e pandërprerë.

Rusia ruajti një fuqi të mjaftueshme potenciale për ta alarmuar Perëndimin, të cilën duhet ta kishte përdorur për të kërkuar paqen përmes negociatave. Me fjalë të tjera, Rusia duhet të kishte ndjekur këshillën e feldmarshallit gjerman Gerd Von Rundshted për atë që duhej bërë afër fundit të Luftës së Dytë Botërore. Përgjigja e tij: “Bëni paqe ju budallenj!”.

Duke pasur parasysh besimin me të cilin Rusia e nisi sulmin në shkurt, arritja e paqes ishte e paimagjinueshme. Pasi shumica e lidershipit do të shiheshin nga rusët si mashtrues. Putini ka synuar që ta kthejë luftën nga një pushtim rus në një pushtim amerikan të Rusisë.

Ai ka kërcënuar me luftë bërthamore, dhe ka mobilizuar mijëra rekrutë të rinj, të cilët mund të stërviten për t’u hedhur një betejë deri në fund të dimrit, ose ndoshta asnjëherë. Pjesa më e vështirë e një lufte është përfundimi i saj pa fitore. Shtetet e Bashkuara e vuajtën këtë në Vietnam.

Janë luftërat që duken në pamje të parë të lehta, ato që janë ndonjëherë më të vështirat për t’u zhvilluar dhe gjithmonë më të vështirat për t’u pranuar. Askush nuk dyshoi, në Rusi apo SHBA, se Lufta e Dytë Botërore do të ishte e gjatë, e vështirë dhe ndoshta e humbur.

As Rusia dhe as Shtetet e Bashkuara nuk e menduan se mund të humbin në Afganistan. Ka diçka të çuditshme me besimin. Brenda kufijve të realitetit, besimi është thelbësor për të zhvilluar një luftë. Lufta më e vështirë është ajo në të cilën komandanti mendon se fitorja është e garantuar.

Kur Rusia nisi luftën në Ukrainë, ajo besonte se edhe vetëm shikimi i tankeve ruse që po mësynin do ta shpërbënte në panik ushtrinë ukrainase. Çdo ndryshim që atëherë është cilësuar nga Moska si “aksident”, në vend të asaj që ishte vërtet: një luftë e nisur plot siguri për fitoren, po përballet tani me realitetin e një force armike superiore ndaj saj.

Shqetësimi mund të jetë produktiv. Mohimi është parathënia e dëshirës. Në luftë, mohimi i vazhdueshëm i realitetit është vdekjeprurës. Putin është përgjegjës pasi është presidenti i Rusisë. Por përgjegjësi kanë edhe shtabi i përgjithshëm i ushtrisë dhe shërbimet e inteligjencës. Ajo që ka ndodhur në Ukrainë është një ndarje sistematike e lidershipit, që e çon vendin në një luftë të llogaritur gabim, duke këmbëngulur se fitorja është aty tek dera.

Luftëra të tilla përfundojnë zakonisht me vdekje politike. Vietnami i dha fund karrierës së presidentit amerikan Lindon Xhonson, ndërsa Lufta e Dytë Botërore regjimeve fashiste në Japoni dhe Gjermani. Secili luftoi me shpresën se do të ndodhte diçka. Në fakt nuk ndodhi asgjë që ata shpresonin.

Pyetja kryesore është: Çfarë e nxit Rusinë të mendojë se mund të fitojë javën e ardhshme, kur nuk ka fituar për 7 muaj? Ndonjëherë për këtë lloj pyetje ka një përgjigje, por politikanët rusë po ua hedhin fajin të tjerëve për dështimin. Për ata që nuk e nisën luftën, janë të lehta thirrjet për paqe.

 

George Friedman është një parashikues gjeopolitik me famë ndërkombëtare. Themelues dhe drejtues i think-tankut “Geopolitical Futures”.

(Opinioni është marrë nga “Geopolitical Futures” dhe është përkthyer nga Bota.al)

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme