Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Çfarë kërkoi Stoltenberg në Ballkanin Perëndimor

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 24.11.2023 09:08
Blerim Shala
Blerim Shala

Një deklaratë e Volodymyr Zelenskyt, Presidentit të Ukrainës, që Rusia mund të shkaktojë telashe të reja në Ballkanin Perëndimor, u pasua me vizitën në këto anë të Evropës të Jens Stoltenbergut, Sekretarit Gjeneral të Aleancës Veri-Atlantie.

E tëra mund të jetë koincidencë apo rastësi. Megjithatë, Stoltenberg pati takime në Prishtinë, Sarajevë dhe Beograd, me autoritetet më të larta të Kosovës, Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Serbisë  (shtetet që nuk janë anëtare të Paktit NATO), teksa në Shkup mblodhi liderët e Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Malit të Zi (shtetet që tashmë janë në Aleancën Veri-Atlantike).

Nuk ka qenë aspak e vështirë të dihet qëllimi i këtij turneu diplomatik të Stoltenbergut, i cili mbeti në krye të Paktit NATO përtej mandatit të tij për shkak të luftës në Ukrainë.

Në rrethanat që mbretërojnë në Veriun e Kosovës tash e një vit, kryetema e sigurisë dhe e stabilitetit në këtë pjesë të Evropës mbetet raporti në mes të Kosovës dhe Serbisë, i cili mbetet tutje i tensionuar, megjithëse javëve të fundit nuk janë shënuar incidente të rënda.

Por, askush nuk mund të ofrojë garanca për NATO-n dhe Stoltenbergun që në Veriun e Kosovës nuk mund të ketë përsëritje të përplasjeve të ekstremistëve me trupat e KFOR-it (siç ishte rasti me ato të fundmajit të këtij viti në Zveçan), apo edhe involvim të grupeve paramilitare serbe (ngjarja e njohur në Banjskë).

Për këtë shkak, Stoltenberg edhe publikisht e tha që Aleanca Veri-Atlantike do ta rrisë numrin e trupave të KFOR-it, dhe që ky mision do të ketë praninë më të madhe në Kosovë në dhjetë vitet e fundit.

Sidoqoftë, në bazë të deklaratave të dëgjuara në paraqitjen para mediave të Stoltenbergut dhe Presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit të tyre në Beograd, u konfirmua sërish që Beogradi zyrtar është realisht sfida më e madhe për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

Vuçiq u mor, në këtë rast, me qëndrimin e Stoltenbergut që spikaste shtimin e trupave ushtarake serbe në zonën kufitare në mes të Serbisë dhe Kosovës si shqetësim të tij dhe të Brukselit. Sipas Presidentit Vuçiq, Serbia është shtet sovran dhe askush nuk mund t’i përzihet në vendimmarrjen që përkon me vendosjen e trupave të veta në cilëndo pjesë të këtij shteti.

Natyrisht, një deklarim i tillë publik nuk mund t’i shmanget konkludimit që ai ishte njëkohësisht pjesë e fushatës parazgjedhore të Vuçiqit për zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 17 dhjetorit, dhe një flakaresh për vet Stoltenbergun dhe për qëllimin e tij kryesor gjatë këtij turi diplomatik.

Kur dihet që Marrëveshja tekniko-ushtarake e Kumanovës (9 qershor, 1999), është ende në fuqi në mes të Paktit NATO dhe Serbisë, Presidenti i Serbisë nuk mund të sillet në këtë mënyrë kur dihet që Aleanca Veri-Atlantike (nëse diçka të tillë rekomandon Komandanti i KFOR-it), mund fare lehtë të rekomandojë rivendosjen e Zonës tokësore pesë-kilometërshe, në brendinë e territorit të Serbisë dhe atë njëzet kilometershë, në qiellin mbi Serbinë.

Duket që është edhe një arsye shtesë pse Vuçiq u tregua aq i pamatur dhe agresiv në këtë konferencë për shtyp, në prani të Sekretarit të Përgjithshëm të Paktit NATO.

Stoltenberg, edhe një herë përsëriti që NATO pret një bashkëpunim të mirëfilltë të autoriteteve serbe në dy raste të njohura të cenimit të sigurisë në Kosovë, për të siguruar drejtësinë: Atë të sulmit mbi forcat e KFOR-it në komunën e Zveçanit  (që u veçua si invidenti më i rënë që prej se ky Mision u vendos në Kosovë, në muajin qershor të vitit 1999) dhe tjetrin të Banjskës, kur grupi paramiltar serb, i udhëhequr nga Milan Radoiçiq, vrau një polic të Kosovës dhe u përfshi në një përleshje të hapur me forcat policore të Kosovës.

Nuk ka fare shenja të qarta të lideri i Serbisë do të pranojë që njëmend të bashkëpunojë me faktorin ndërkombëtar në adresimin ligjor të këtyre dy rasteve, të cilat në të vërtetë kanë një adresë të vetme: Milan Radoiçiqin.

Apo, ai do ta ndryshojë këtë qëndrim të tij refuzues vetëm nëse kupton që do të ketë pasoja të mirëfillta nga BE-ja dhe ShBA-ja.

Vuçiq nuk mërzitet fort për deklaratat e Stoltenbergut.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme