Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Çfarë do të ndodhte po të mos ishin partizanët e Fadil Hoxhës?

123
string(16) "Nexhmedin Spahiu" string(59) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2021/08/spahiu.png"
nga Nexhmedin Spahiu 21.04.2016 16:02

Nëse nuk do të ekzistonte ai grusht partizanësh në krye me Fadil Hoxhën, çfarë do të ndodhte me  kosovarët?

Përgjigjja është e thjeshtë: Asgjë me keq se sa ka ndodhur. Shqiptarët, kroatët, boshnjaët, bullgarët e Maqedonisë (maqedonët e sotëm), italianët e Istrës e Dalmacisë, e gjermanët e hungarezët e Vojvodinës janë trajtuar si popuj të mundur.

Fadil Hoxha nuk arriti t’i shpëtonte kosovarët nga hakmarrja e fituesve (serbëve). Tek e fundit, as Llazar Kolishevski nuk arriti t’i mbronte bullgarët (maqedonët) nga hakmarrja serbe, e madje as Tito kroatët (30.000 kroat jane ekzekutuar brenda disa ditëve nga partizanët më 1945).

Tek serbët si popull fitimtar nga Lufta e Dytë Botërore, nuk pati ekzekutime masive. Vërtet që Drazha Mihajlloviqi, Nikolla Kallabiqi e disa udhëheqës çetnik u dënuan me vdekje, por kjo mund të konsiderohet eliminim politikanësh për pushtet, siç pati edhe në shekullin XIX mes politikanëve serbë, por partizanët serbë nuk e masakruan popullin e vet.

Nëse kosovarët shpëtuan më mirë se gjermanët e Vojvodinës, ata duhet të jenë falenderues ndaj Cubrilloviqit e Andriqit, të cilët në elaboratin e tyre të dytë , hartuar për udhëheqësit komunistë të Jugosllavisë më 1944 me titull “Zgjidhja e problemit të pakicave etnike në Jugosllavi” prioritet i dhanë dëbimit të gjermanëve dhe italianëve, sepse sipas tyre, vendet e tyre amë mund të këndellen shpejt dhe dëbimi i tyre të pamundësohet, ndërsa për shqiptarët, sipas tyre, ka kohë, sepse nuk ka gjasa që shteti i tyre amë, Shqipëria, të konsolidohet.

Dhe faktori i dytë, që i bëri kosovarët të shpëtojnë më mirë se gjermanët, kroatët, bullgarët (maqedonët) është fakti se shqiptarët të udhëhequr nga NDSH rezistuan deri më 1947. Kur u thye rezistenca, tashmë kishte veç 2 vjet që kishte përfunduar Lufta e Dyte Boterore dhe masakrat e deportimet në kohë paqeje janë më të vështira për shkak të reagimit të opinionit publik ndërkombëtar. Kështu që kosovarët nga deportimi i shpëtoi rezistenca e NDSH-së e jo ekzistenca e partizanëve të Fadil Hoxhës.

Argumentim të ngjashëm me këtë që dha Azem Vllasi për Fadil Hoxhën e partizanët e tij përdorin edhe socialistët në Shqipëri.

Ata thonë se po të mos ishte Lufta Antifashiste Nacional Çlirimtare e partizanëve shqiptarë, Shqipëria nuk do të radhitej me fitimtarët dhe rrjedhimisht do të pësonte keq. Po çfarë të këqijash mund të pësonte Shqipëria më shumeë se sa komunizmin stalinist?

Harrohet një fakt, nga Lufta e Parë Botërore. E gjithë klasa politike e Shqipërisë, ishte e radhitur me humbësit (Austro-Hungarinë e Gjermaninë). I vetmi politikan shqiptar që ishte radhitur me fituesit (serbët e francezët), ishte Esad Pashë Toptani (1863-1920). Edhe atë e vrau qeveria e Tiranës me kryeministër Sylejman Delvinën (1871-1933) përmes vrasësit me pagesë Avni Rrustemi (1895-1924). Por Shqipërinë nuk e gjeti ndonjë e keqe më e madhe se që do ta gjente me Esad Pashë Toptanin.

Tani me çfarë kriteri Esad Pashë Toptani na qenka tradhëtar e partizanët shqiptarë na qenkan patriotë pse paskeshin qenë të vetmit shqiptarë që qenkan radhitur me shtetet fituese të Luftës së Dytë Botërore?

Natyrisht, përderisa periudha e Luftës së Dytë Botërore, i njëjtëson Enver Hoxhën (1908-1985) e Fadil Hoxhën (1916-2001) , periudha e pasluftës i përdallon ata. Derisa krimet e luftës së Enver Hoxhës vijojnë duke u bërë edhe më monstruoze pasluftës deri në vdekjen e tij, karriera politike e Fadil Hoxhës vjen duke u moderuar.

Në fund të fundit, edhe serbët e konsideruan si një luftëtar që bënte kompromise me nacionalistët shqiptarë. Derisa Enver Hoxha, pasi vret nacionalistët shqiptarë, fillon t’i vrasë edhe shokët e tij më të ngushtë, Fadil Hoxha nuk ka vrarë asnjë shok të vetin të luftës, përkundrazi me kalimin e kohës e ndan pushtetin apo i akomodon në shoqërinë kosovare edhe me familjarët e atyre që i kishte vrarë më 1944, 1945, 1946 e 1947.

Gjithë këto fakte bëjnë atë që Fadil Hoxha të mos hidhet në “pleh të historisë”, vend të cilin e meriton Enver Hoxha, por edhe nuk mund të konsiderohet “yndyrë e historisë” ku bën pjesë ta zëmë Shaban Polluzha.

 

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme