Çelësi i dialogut të suksesshëm me Serbinë 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 27.03.2021 11:07 27.03.2021 11:07 Politika kosovare kur bëhet fjalë për raportin e saj me sprovën e dialogut me Serbinë, me synim të arritjes së Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve, që prej vitit 2015-të e këndej (pra, në gjashtë vitet e fundit), është shquar me një tensionim të lartë të trefishtë politik. Së pari, gjë që ka qenë e pritshme (kështu do të jetë derisa të arrihet Marrëveshja Gjithpërfshirëse me Serbinë, e cila në themelet e saja duhet ta ketë njohjen formale reciproke), kemi pasë tensione të mëdha në dialogun me autoritetet më të larta të Beogradit, në mungesë të rezultateve të pritura prej nesh dhe prej kryeqendrave të Perëndimit. Pastaj, një periudhe disavjeçare kohore (2011-2015) kur dukej që Prishtina dhe Beogradi, pikërisht përmes dialogut, do ta krijojnë mekanizmin për zgjidhjen e problemeve imediate dhe atyre afatgjata në marrëdhëniet në mes tyre, u zëvëndësua me atë kapitullin tjetër kur dialogu u bë burimi kryesor i problemit për shkaqe të shumëfishta, të cilat janë pak a shumë të ditura për të gjithë ne. Nuk ka kurfarë shenjash që do të ketë, në javët dhe muajtë e ardhshëm, shtensionim të raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë, qoftë edhe gjeste dhe veprime simbolike të cilat nuk munguan (përkundrazi) në vitet 2013, 2014. Ndërsa pa krijuar një atmosferë më pozitive për bisedimet e Brukselit (do të mbetet roli lehtësues i BE-së edhe në të ardhmen, jo vetëm në vijim të ri-konfirmimit të mandatit të Miroslav Lajčakut si Emisar Special për dialogun, por edhe si pasojë e ri-vendosjes së bashkëpunimit transatlantik në mes të Administratës së Presidentit Amerikan Biden dhe të BE-së) nuk mund të ketë kurfarë përparimi as në substancën e takimeve midis përfaqësuesve më të lartë të dy shteteve të cilat pritet të ri-nisin në javët e ardhshme. Së dyti, dialogu me Beogradin, që prej vitit 2015-të, në atë formën më të qartë dhe me pasoja evidente politike (sepse dihet që gjithmonë ka pasur ndër ne kundërshtarë të tij, por ata kanë qenë goxha të margjinalizuar deri në këtë vit, kur ndodhi ai mobilizimi i madh i opozitës parlamentare) u bë burim i tensioneve të mëdha të brendshme politike në Kosovë. Akuzat dhe kundër-akuzat nga ai ‘katalogu klasik shqiptar’ (ku fjala tradhti është nocion ‘kujdestar’ për përdorim të përditshëm) e bënë të veten dhe ne ia lidhëm vetes duartë dhe këmbët duke mos shprehur një vullnet të qartë politik as për jetësimin e detyrimeve të cilat i patëm pranuar me Pakon e Presidentit Ahtisaari, përmes të cilës u bëmë shtet i pavarur, apo të atyre që dilnin nga dialogu i Brukselit, të cilat i pati mbështetur me një shumicë të kërkuar prej dy të tretave, Kuvendi i Kosovës. Për më shumë, politika kosovare zgjodhi vullnetarisht ngecjen apo vendnumërimin politik kur bëhej fjalë për të ofruar propozime të veta se çka do të duhej bërë me dialogun me Serbinë, apo si do të duhej t’i qasemi kësaj sfide të pashmangshme politike që ka atë dimensionin e brendshëm (roli i Serbisë brenda Kosovës, veçmas në Veri), atë rajonal (normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë), dhe atë ndërkombëtarë (stabilizimi afatgjatë ndërkombëtarë i shtetit të Kosovës). Së treti, dhe këtu rezoni politik kosovar pësoi një rënie të madhe (apo, ne u ballafaquam me një deficit të madh të arsyes politike), ne arritëm t’i tensionojmë edhe raportet tona me SHBA-në dhe me BE-në për shkak të dialogut me Serbinë, i cili siç e dimë të gjithë, nuk mund të ketë një epilog apo përfundim të duhur, pa mbështetjen e madhe të Washingtonit, Brukselit, Berlinit dhe Parisit. U bënë shkas apo sebep edhe ato raportet e çrregulluara të brendshme politike, jo vetëm në atë relacionin në mes të pushtetit dhe opozitës, por edhe brenda vet pushtetit (siç ishte rasti me Qeverinë e udhëhequr nga Kryeministri Ramush Haradinaj dhe me atë të prirë nga Albin Kurti) për ta mëdyshur atë bashkëpunimin jetik, për interesat e Kosovës në përgjithësi, në mes të Prishtinës dhe Washingtonit, Prishtinës dhe Brukselit, Berlinit dhe Parisit. Dialogu i Prishtinës dhe Beogradit, pra, ‘prodhoi’ tri fronte tensionesh për Kosovën: Me Serbinë (gjë që ka qenë dhe është e pashmangshme), me Perëndimin (krejtësisht e panevojshme) dhe me vetëveten (që nuk ka qenë e domosdoshme). Politika kosovare, e cila vetëm pak javë më parë, përmes zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, përjetoi një ri-konfigurim të madh të vetin nuk do të mund të merret si duhet me dialogun me Beogradit, tej atyre vlerësimeve për prioritetet e veta të brendshme dhe ndërkombëtare, nëse nuk do të arrijë të shmangë tensionet e brendshme dhe ato me partnerët kryesorë ndërkombëtarë. Në shikim të parë, së paku, duket që arritja e kësaj vlere politike është jo vetëm e dëshirueshme, por edhe e mundshme. Nëse merren parasysh prononcimet publike të gjithë protagonistëve politikë të brendshëm, por edhe ato të Presidentit amerikan Biden (aty janë edhe Brukseli, Berlini dhe Parisi, megjithë hezitimeve të njohura të tyre që ta bëjnë të ditur publikisht qëndrimin e tyre për këtë çështje) nuk ka fort dilema se si do të duhej të përmbylleshin bisedimet e autoriteteve më të larta të Prishtinës dhe Beogradit. Njohja reciproke formale në mes të Kosovës dhe Serbisë është çelësi i kësaj Marrëveshjeje. Ky fakt do të duhej gjithsesi të reflektohej në raportet tona me Washingtonin, Brukselin, Berlinin dhe Parisin. Në anën tjetër, arritja e një konsensusi të brendshëm politik, për të cilin flitet tash e shumë vite, është kusht pa të cilin nuk bën për finalizimin (eventual) të bisedimeve të rënda me autoritetet e Beogradit. Edhe pse Albin Kurti dhe Lëvizja ‘Vetëvendosje’ kanë shënuar, në zgjedhjet e 14 shkurtit, një fitore të madhe, të paparë në këtë historinë e demokracisë kosovare, megjithë faktin që Kurti arriti ta bëjë vet Qeverinë e Kosovës (edhe kjo ndodhi për të parën herë në demokracinë e vendit) nuk ka dyshim që atij i duhet bashkëpunimi me partitë e tjera shqiptare parlamentare nëse dëshiron ta fuqizojë pozicionin e Kosovës në këto bisedime. Ky fuqizim do të duhe të shprehej me mbështetjen për dialogun e Brukselit nga tetëdhjetë deputetë shqiptarë të Kuvendit të Kosovës (së paku), sepse kjo ‘shumicë e kualifikuar’ do të duhej pastaj ta përkrahte, apo edhe ta refuzonte një Propozim Marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë. Poqëse nuk do të ketë shtensionim të raporteve të brendshme, si dhe të atyre në mes të Prishtinës dhe Perëndimit në trajtimin apo adresimin e temës së dialogut, nuk do të mund të bëhen hapat vendimtarë në përmbylljen e dialogut me Serbinë. Kjo duhet të jetë e qartë për të gjithë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.