Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Bota e vitit 2025

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 24.10.2024 09:00
Blerim Shala
Blerim Shala

Janë të pakta problemet ndërkombëtare të cilat Amerika mund të adresojë dhe t’i zgjidhë vet. Megjithatë, nuk ka problem madhor në Botë që mund të trajtohet dhe të mbyllet pa Amerikën.

Ky mendim i takon Hillary Clintonit, ish-Sekretares së Shtetit në SHBA  (në vitet 2009-2013). Clinton ka dhënë këtë vlerësim vite më parë, në rrethana krejtësisht tjera  (shumë më të favorshme për Amerikën dhe Perëndimin), por realisht, qëndrimi i ish-pretendueses për postin e Presidentit të SHBA-së  (në zgjedhjet e vitit 2016), nuk ka humbur gjë në vlerë. Mbase, është e kundërta që mund të thuhet.

Zatën, ky qëndrim ka kaluar dy testet më të mëdha dhe më të rrezikshme që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë  (në vitet 1989-1991): Atë të Luftës në Ukrainë, të shkaktuar nga agresioni i Rusisë mbi një shtet sovran  (që nga muaji shkurt i vitit 2022), dhe këtë të Luftës në Lindjen e Mesme, në mes të Izraelit, Hamasit, Hezbollahut dhe Iranit (që nga muaji tetor i vitit 2023).

Nëse këtu për pak çaste hamendësojmë që SHBA do të ‘abstenonte’ nga këto dy sprova të jashtëzakonshme të sigurisë ndërkombëtare, apo që Washingtoni thjeshtë do të merrej vetëm me punët e veta pa ndërhyrë fare në këto dy përplasje që sfidojnë rrezikshëm paqen rajonale dhe më gjërë, mund lehtë të merret me mend se çka do të ndodhte në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme.

Rusia e Vladimir Putinit pas pushtimit të Ukrainës do t’ia mësynte Moldavisë dhe do t’i kërcënonte shtetet e Baltikut. Perëndimi i Evropës, dashtë e pa dashtë do të duhej të përgatitej për një përballje frontale me forcat ruse, teksa ekonomia e Evropës do të pësonte rënien më të rëndë që nga paqja e vitit 1945, pas kapitulimit të Nazizmit në Gjermani.

Natyrisht, në atë rast edhe Ballkani Perëndimor do të bëhej një lëmsh politik dhe i sigurisë me pasoja lehtë të parashikueshme.

Në rastin e Luftës në Lindjen e Mesme, vet ekzistenca e Izraelit do të vihej në pikëpyetje  (më shumë se kurrë në gjithë ekzistencën e këtij shteti të pavarur), teksa Irani do të përpiqej që t’i ndryshonte me themel hartat gjeopolitike të kësaj pjese të Botës, e cila nuk njeh paqe dhe stabilitet në njëqind vitet e mbrama.

Ky përshkrim fare i shkurtër, por thuaja qind për qind i sakt  (nuk duhet të kesh fare dije të madhe për t’i bërë këto konkludime), mjafton për të kuptuar se çfarë ndikimi jetik ka pasur Amerika, në këtë mandatin e Presidentit Biden, që mos të ndodhë ndryshimi thelbësor në barashpeshën gjeo-politike në Evropë dhe në Lindjen e Mesme.

Ka qenë ky një angazhim shumë i veçantë politik, diplomatik dhe ushtarak i SHBA-së, që ka konfirmuar, në rastin e Ukrainës dhe Evropës, qëndrueshmërinë e partnerititet evro-atlantik dhe rëndësinë thelbësore të ekzistencës së Paktit NATO, dhe në rastin e Lindjes së Mesme, peshën specifike të afërsisë së SHBA-së me vendet arabe, si dhe bashkëpunimin me shtetet e tjera perëndimore  (përfshirë këtu Francën dhe Britaninë e Madhe), të cilat kanë mbajtur të izoluar një luftë që edhe sot e kësaj dite kërcënohet ta kthejë në zjarr gjithë Lindjen e Mesme.

Vrojtuesit e vëmendshëm të këtyre dy luftërave të cilat përmbysën shumëçka në Rendin ndërkombëtarë të krijuar pas dështimit të Projektit komunist të Bashkimit Sovjetik, paralajmërojnë që viti 2025 do të jetë, sipas të gjitha gjasave, viti kur në një mënyrë apo tjetrën, do të mbërrihet një armëpushim në te dy këto fushëbeteja.

Por, një armëpushim i imponuar nga vet rrethanat e luftës, kur më nuk mund të mbërrihen caqe të reja në një konflikt, nuk mund dot të shndërrohet në një paqe afatgjatë, pa gjetur zgjidhjet politike për problemet të cilat ishin shkaktare të fillimit të luftimeve.

Aktualisht, pakkush ka guximin që të parashikojë se cili do të mund të ishte epilogu diplomatik dhe politik i këtyre dy luftërave.

Në rastin e Ukrainës, mbase, mund të ndodhë që të mbërrihet te një ‘konflikt i ngrirë’  (mbi vijat e frontit që do të mund të stabilizohen), por kjo nuk do të ishte zgjidhje, por vetëm një prolongim i luftës.

Njësoj do të mund të ndodhte edhe në Lindjen e Mesme.

Sidqoftë, në të gjitha variantat e mundshme të rrjedhës së ngjarjeve në Ukrainë dhe në Lindjen e Mesme, roli i Amerikës do të jetë vendimtar.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme