‘Basti’ i Lumir Abdixhikut në Prishtinë 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 16.03.2021 15:35 16.03.2021 15:35 Blerim Shala Lumir Abdixhiku vetëm pesë javë më parë, apo, pak para se në Kosovë të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare, nuk ka mundur dot të paramendohet si Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës. Për shumë shkaqe, të cilat janë pak a shumë të njohura për të gjithë ne. Një muaj pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, Lumir Abdixhiku, në Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së, fitoi bindshëm garën për Kryetarin e katërt në historinë gati 32 vjeçare të ekzistimit të LDK-së, me votimin e fshehtë, me një relacion apo epërsi ndaj kandidatëve të tjerë, përafërsisht të njejtë si Albin Kurti dhe Lëvizja ‘Vetëvendosje’ në zgjedhjet e teta parlamentare në historinë e demokracisë në Kosovën e lirë, në relacion me partitë e tjera në Kosovë. Nga ky pikëshikim, nuk ka aspak dyshim që ai ‘Termeti politik’ i shkaktuar nga Kurti dhe ‘Vetëvendosje’ një muaj më parë, ka tronditur me themel godinën e LDK-së, pas rezultateve më të këqija në historinë e kësaj partie, dhe ka krijuar rrethana kur jo vetëm që Lumir Abdixhiku u bë kandidat për të Parin e LDK-së, por për më shumë, ai ishte favorit për ta fituar këtë garën në LDK, gjë që u konfirmua në votimin e bërë në Kuvendin e jashtëzakonshëm të kësaj partie. Kështu po del që fitorja e Albin Kurtit në zgjedhjet parlamentare dhe humbja e rëndë e LDK-së, u bashkuan për të krijuar ambientin politik kur në LDK, zgjedhja e Lumir Abdixhikut, i cili i ka pasë vetëm 16 vjet kur Dr.Ibrahim Rugova u vu në ballë të LDK-së (në një moshë 45 vjeçare), u vlerësua si zgjidhja e vetme për këtë parti. ‘Efekti Kurti’ (me fitoren e tij absolute në zgjedhjet e 14 shkurtit), duket që do të ketë ndikim edhe në partitë e tjera tradicionale të Kosovës, të cilat dashtën apo nuk dashtën, duhet të ballafaqohen një kohë të gjatë me pasojat e disfatës së madhe në zgjedhjet parlamentare të para një muaji. Abdixhiku si Kryetar i LDK-së me të gjitha strukturat e reja të saj (Kryesinë dhe Këshillin e Përgjithshëm), nuk do të ketë shumë kohë për ta mëkëmbur partinë më të vjetër në Kosovë, sepse në muajin tetor do të mbahen zgjedhjet e rregullta lokale. Bazuar në rezultatet e zgjedhjeve parlamentare, LDK i ka punët keq në të gjitha komunat të cilat i ka fituar në zgjedhjet e vitit 2013-të, teksa në kryeqytetin e Kosovës, në Prishtënë (ku LDK ka qenë në pushtet prej vitit 2000 deri në vitin 2013, për këtë shkak Prishtina është llogaritur si ‘bastion i LDK-së), diferenca në mes të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ dhe LDK-së njëmend është drastike: Kurti dhe partia e tij kanë marrë 71.873 vota (ose 65%), teksa LDK ka fituar katër herë më pak, apo 17.961 vota (ose 16%). Duket që ka një ngjashmëri interesante për fatet e LDK-së dhe Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ si subjekte politike. Në zgjedhjet lokale të vitit 2013-të, fitorja e Shpend Ahmetit, si kandidat i ‘Vetëvendosjes’ për postin e Kryetarit të Prishtinës, në dyluftimin e tij me Isa Mustafën, si Kryetar i atëhershëm i komunës dhe i LDK-së, ka pasë pasoja vendimtare për mbijetesën e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ si subjekt, i cili në nivel vendi, në votimet për Asambletë komunale pati ra nën 10%. Ahmeti me fitoren e tij në këtë garë siguroi që ‘Vetëvendosje’ të vazhdojë betejën e saj politike për të qenë faktor i rëndësishëm në Kosovë, më vonë, (prej vitit 2017 e tutje), edhe t’i fitojë zgjedhjet. Anasjelltas, kjo disfatë zgjedhore e Isa Mustafës do të shënonte fillimin e erozionit politik të LDK-së, i cili në këtë variantin më të keq do të shfaqet në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. Synimi i LDK-së për të dëshmuar, sa më parë që është e mundur, që është në rrugë të mirë për tu ngjitur në nivelet ku ka qenë më parë, dhe madje, ta përgatitë terrenin për një fitore eventuale parlamentare, realisht, kërkon një rikthim të madh në Prishtinë, në zgjedhjet e ardhshme lokale të tetorit të këtij viti. Diçka e tillë, shikuar nga perspektiva e sotme duket e pamundur, madje, për secilin kandidat të LDK-së që ia mësynë këtij posti në Prishtinë, një ambicje e tillë duket një ‘vetëvrasje politike’. Me raportin e forcave në zgjedhjet parlamentare, ashtu siç është shfaqur në Prishtinë, del që kandidati i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ për Kryetar të Prishtinës (teksa flitet që Arben Vitia, ish-Ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e parë të Albin Kurtit, do të mund të nominohej për këtë pozitë, e cila në atë kierarkinë politike të Kosovës, për nga rëndësia dhe fuqia politike dhe financiare vjen menjëherë pas Kryeministrit dhe Presidentit të vendit), do të mund të fitonte qysh në rrethin e parë të zgjedhjeve. Lumir Abdixhiku, si Kryetar i sapozgjedhur i LDK-së, i cili më parë është përfolur si njëri prej kandidatëve të mundshëm të kësaj partie për të Parin e Prishtinës, do të gjindet, sipas të gjitha gjasave, para dy mundësive, kur bëhet fjalë për këtë garën e Prishtinës. Ta gjejë një kandidat të ri për këto zgjedhje, detyra parësore e të cilit do të ishte ta rrisë votën e LDK-së në Prishtinë, për ta dëshmuar kështu që ‘shërimi’ i kësaj partie ka nisur; Të kandidojë vet për Kryetar të Komunës, duke hedhur veten në një ‘bast’ të madh politik, i cili do të mund të çojë në dy epilogë krejtësisht të ndryshëm. Nëse Abdixhiku do t’i fitonte zgjedhjet në Prishtinë për postin e Kryetarit të Kryeqytetit, pa kurfarë dyshimi do ta stabilizonte veten për një kohë të gjatë si lider i LDK-së, dhe për më shumë, qysh në fund të këtij viti, kur LDK shënon 32 vjetorin e krijimit të vet, ai me të drejtë do të pohonte që LDK është në rrugë të mirë të mëkëmbjes si parti në skenën politike kosovare. Në të kundërtën, humbja e tij do të ishte një tjetër disfatë e hidhur e LDK-së, teksa vet pozita e tij si Kryetar i LDK-së, do të pësonte një devalvim evident politik. Por, diçka e tillë mund t’i ndodhë edhe me humbjen e një kandidati tjetër të LDK-së për postin e Kryetarit të Prishtinës, në varësi prej rezultatit të tij në këto zgjedhje (a do të ngjitet LDK më lartë se ku ka rënë në zgjedhje e përgjithshme). klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.