Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë: Fushatë parazgjedhore apo Opsion real (II) 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 02.02.2021 10:06 02.02.2021 10:06 Interes sipëror i kombit shqiptar mbetet ruajtja e shtetit të Kosovës, dhe fuqizimi i rolit politik të shqiptarëve si komb në këto anë dhe në Evropë. Në përgjithësi pra, kur trajtohet dhe analizohet çështja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, është iluzion i madh dhe pamaturi e skajshme politike të mendohet që pa i plotësuar të gjitha këto kushte apo kritere (për të cilat u shkruajt dje), do të mund të mbërrihet tek ajo dita kur qytetarët e Kosovës, do të mund të shprehnin vullnetin e tyre për ndryshimin e statusit të Kosovës, dhe të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë, përmes votimit në një Referendum. Në anën tjetër, janë lehtë të justifikueshme pakënaqësitë dhe frustrimet e politikanëve të Kosovës me qasjen e BE-së ndaj Kosovës, veçmas prej vitit 2018-të e tutje, kur Kosova përmbushi edhe kriterin e fundit për sigurimin e të drejtës të udhëtimit pa viza në Zonën Schengen për qytetarët e vet. Të gjithë ne e dimë që Brukseli (për shkaqe të njohura, apo, në vijim të kundërshtimit të Francës dhe të disa shteteve të tjera anëtare të BE-së), pa asnjë arsye të vetme nuk po ia ofron qytetarëve të Kosovës këtë të drejtë të merituar që nga muaji mars i vitit 2018-të, kur në Kuvendin e Kosovës ndodhi Ratifikimi i Marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Malit të Zi për shenjimin e kufirit. Në anën tjetër, mungesa e unitetit në BE për njohjen e shtetit të Kosovës, (pesë shtete të BE-së sot e kësaj dite nuk i janë bashkuar shteteve të tjera anëtare në pranimin e pavarësisë së Kosovës), ka hisen më të madhe ndërkombëtare në atë pamundësimin e sigurimit të qëndrueshmërisë afatgjatë të Kosovës si shtet. Për këtë shkak zatën, Brukseli nuk ka pasur mundësi (dhe kështu është sot e kësaj dite), që të jetë më këmbëngulës, më imponues, me kategorik në dialogun e udhëhequr prej Përfaqësusve të lartë të tij (Shefave të EEAS-it, apo, Catherine Ashton, Federica Mogherinit dhe Josep Borrelit, në harkun kohor 2011-2021), në mes të autoriteteve të Kosovës dhe të Serbisë, duke qartësuar afatet kohore për kryerjen apo përmbylljen e këtij dialogu, dhe duke e paralajmëruar edhe publikisht vet përmbajtjen e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse në mes të këtyte dy shteteve, për të cilën zatën ka folur qartë Administrata e kaluar amerikane e Presidentit Trump (kjo Marrëveshje duhet të ndërtohet mbi njohjen formale reciproke në mes të këtyre dy shteteve). Megjithatë, teksa pakënaqësitë dhe shqetësimet tona, qofshim politikanë, analistë, apo qytetarë të Kosovës, me mënyrën se si po trajtohet Kosova në BE, janë të arsyeshme dhe të shpjegueshme, nuk duket, së paku jo në rrethanat e tanishme, që BE-ja do ta ndryshojë në një të ardhme të afërt raportin e saj ndaj Kosovës, nëse ne i bëjmë një lloj Ultimatumi publik Bashkimit Evropian, duke konstatuar që vitit 2025 është viti i fundit kur Brukseli duhet t’ia ‘sqarojë hesapet’ që i ka me ne, sepse në të kundërtën, ne do ta mbajmë Referendumin dhe do të bashkohemi me Shqipërinë. Nuk ka dyshim që liderët institucional të Kosovës, të cilët do ta kenë legjitimitetin e fituar nga zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit, duhet të gjejnë mënyrën për t’ua bërë me dije politikanëve kryesorë në BE, por gjithashtu edhe atyre në Paris dhe në Berlin (kur dihet pesha dhe rëndësia e Francës dhe Gjermanisë brenda BE-së), që Kosova duhet të sigurojë përfitimet e pritura politike në BE, në përputhje të plotë me mënyrën se si do ta përmbushë MSA-në (Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit), dhe të gjitha obligimet e tjera që përkojnë me Agjendën e integrimit të Kosovës në BE. Gjithashtu, dialogu i përfaqësuesve të lartë të Prishtinës dhe Beogradit nuk mund të vazhdojë në pafundësi (në muajin mars të këtij viti bëhen dhjetë vjet që prej fillimit të dialogut të Brukselit), apo, duhet të ketë një afat të prerë kohor për rrumbullakësimin e tij, sikurse që duhet të dihet edhe përmbajtja e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë. Megjithatë, nuk shihet që ne si Kosovë, në të ardhmen e afërt do të mund të krijojmë relacione të kushtëzimit me Brukselin, të cilat madje, dikujt mund të duken edhe raporte të kërcënimit tonë ndaj BE-së, duke e përmendur si Opsionin B për Kosovën si shtet atë modelin e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, qoftë pas vitit 2025, apo, edhe më herët. Ne kemi mbërri, si Kosovë, si politikë, këtu ku jemi, duke u çliruar nga Serbia dhe duke u bërë shtet i pavarur të cilin e kanë njohur SHBA-ja dhe shtetet më të rëndësishme dhe më të fuqishme të Perëndimit (përfshirë këtu Gjermaninë dhe Francën), me një qasje të gjithanshme, e cila është shquar me një afërsi evidente ndaj vlerave Perëndimore në përgjithësi, pastaj, ndaj interesave të SHBA-së, të Aleancës Veri-Atlantike dhe BE-së në rajon (stabilizimi afagjatë i Ballkanit Perëndimor), dhe duke pasë parasyshë zgjedhjen tonë (të përkrahur nga Shqipëria dhe elitat politike shqiptare në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi dhe në Serbi), sipas të së cilës, bërja e shtetit të Kosovës është çelësi për zgjidhjen e çështjes shqiptare në Ballkan. Ndryshimi i kësaj politike, e cila ka determinuar arritjet më të mëdha të kombit shqiptar në fund të shekullit të kaluar dhe në dhjetëvjetëshin e parë të këtij shekulli (çlirimin e Kosovës në vitin 1999, pavarësimin e Kosovës në vitin 2008, dhe inkuadrimin e Shqipërisë në Paktin NATO në vitin 2009), nuk mund të bëhet, dhe as të shpallet në mënyrë të njëanshme, pa siguruar së pari një konsensus kombëtar në Kosovë dhe në Shqipëri, pa ruajtur partneritetin me SHBA-në dhe me Perëndimin, të krijuar me politikën të mençur të Lëvizjes paqësore për pavarësi të viteve të nëntëdhjeta, dhe me luftën e drejtë të UÇK-së (të viteve 1998, 1999) dhe pa e siguruar atë stabilitetin afatgjatë rajonal. Në këtë kontekst mund të thuhet që edhe duke i marrë parasyshë të gjitha ndërlikimet dhe vështirësitë në procesin e arritjes së një qëndrueshmërie afatgjatë të shtetit të Kosovës, të cilat janë edhe pasojë e mungesës së unitetit politik në BE dhe i një ngecjeje të Brukselit për t’i mbetur besnik Agjendës së vet për zgjerimin kah Ballkani Perëndimor, interes sipëror i kombit shqiptar mbetet ruajtja e shtetit të Kosovës, dhe fuqizimi i rolit politik të shqiptarëve si komb në këto anë dhe në Evropë (në përgjithësi), duke e bashkërenditur politikën bilaterale, rajonale dhe ndërkombëtare midis dy shteteve, apo, midis Kosovës dhe Shqipërisë, me atë qëllimin kryesor të bërjes së Kosovës dhe Shqipërisë shtete anëtare të Aleancës Veri-Atlantike dhe të Bashkimit Evropian. Zatën, kombi shqiptar në shtetet e Kosovës dhe të Shqipërisë, nuk ka alternativë tjetër pos përfshirjes politike, ushtarake, ekonomike, qytetëruese (tek e fundit), në Perëndim, apo në NATO dhe në BE, duke ruajtur gjithmonë afërsinë me SHBA-në. Ky orientim dhe ky drejtim nuk ka si të ndryshojë dhe në asnjë variant nuk duhet të kontestohet prej nesh. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.