Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë: Fushatë parazgjedhore apo Opsion real (I) 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 01.02.2021 14:15 01.02.2021 14:15 Cilat tema janë të pashmangshme për të gjithë ata politikanë të Kosovës të cilët tani e shtrojnë për diskutim çështjen e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë? Pse ky solucion në rrethanat e tanishme është i pamundur? Pa pritë e pa kujtue (si thuhet ndër ne), çështja e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë është bërë një temë e fushatës për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit të këtij viti. Së pari, Ramush Haradinaj, lideri i AAK-së dhe i nominuari i kësaj partie për postin e Presidentit të Republikës së Kosovës, nisi të flasë për këtë çështje, teksa më pas, atij iu bashkua edhe Albin Kurti, lideri i Lëvizjes ‘Vetëvendosje’ dhe i propozuari i saj për detyrën e Kryeministrit të Qeverisë së Republikës së Kosovës, i cili deri tash (së paku), ka qenë i vetmuar në skenën politike të Kosovës në promovimin e kësaj ideje. Haradinaj e shfaqi dy javë më parë idenë e tij për Referendumin i cili do të duhej të mbahej në Kosovë për bashkimin me Shqipërinë, nëse deri në vitin 2025-të, BE-ja nuk do ta ndryshojë qasjen e saj ndaj Kosovës, apo, nuk do t’i ofrojë një perspektivë të qartë për përfshirje në proceset integruese në BE. Dihet që aktualisht, në rrethanat që në BE mbizotërojnë në tri vitet e fundit, Plani për Zgjerimin e Bashkimit Evropian me gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor (WB6), ka statusin e vendnumërimit të plotë, mbi të gjitha për shkak të qëndrimit këmbëngulës të Emanuel Macronit, Presidentit të Francës, i cili preferon një Reformim të thellë të BE-së para se të bëhet një hap i vetëm në drejtim të zgjerimit të BE-së. Kurti, në anën tjetër, iu rikthye kësaj teme (të cilën realisht, asnjëherë nuk e ka braktisur në të kaluarën, sepse ajo bën njërën prej shtyllave identitare të Lëvizjes ‘Vetëvendosje’), në një bisedë virtuale me redaktorët e Revistës politike të Oksfordit, duke insistuar në të drejtën për Referendum (si të tillë) për bashkimin paqësor të Kosovës me Shqipërinë, sepse sipas tij, dhuna, apo lufta (‘e tretë ballkanike’, siç u shpreh ai), nuk ka çfarë të kërkojë në shfrytëzimin dhe jetësimin (eventual) të kësaj të drejte. Nuk është e qartë, së paku në rrethanat e tanishme, si do të sillen për këtë çështje liderët dhe partitë e tjera që do të marrin pjesë në zgjedhjet e përgjithshme, apo, a do të bëhet ajo, apo jo, në ditët e ardhshme, një temë e debateve politike parazgjedhore televizive. Çfarë mund të parashihet qysh tash është që Ramush Haradinaj do të vazhdojë ta trajtojë mundësinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë pas disa viteve, teksa nuk do të ishte aspak befasuese nëse edhe Albin Kurti nuk do të prononcohet sërish për këtë opsion politik. Janë disa Konkludime të rëndësishme politike të cilat me gjasë mund të shfaqen a të sipërfaqësohen këtu, në adresim të kësaj nisme politike, në ambientin politik të fushatës parazgjedhore. Së pari, pa kurfarë dyshimi mund të thuhet që kjo çështje nuk ka çfarë të kërkojë në një kampanjë për zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit. Tema e bashkimit të mundshëm të Kosovës me Shqipërinë, është gabim të shtrohet në kontekstin e synimit të liderëve dhe të partive tona politike për të mbledhur sa më shumë vota të qytetarëve, për të pasur sa më shumë mandate në Kuvendin e Kosovës. Nëse ndonjëherë duhet të shqyrtohet edhe kjo temë, ajo assesi nuk bën të adresohet nën tensionet e fushatës, apo para votimeve, por vetëm pasiqë të arrihet një stabilitet institucional i Kosovës, dhe pasi të hapet kjo çështje njëkohësisht me vet Shqipërinë si shtet, me SHBA-në dhe me BE-në. Reagimi imediat mohues i Ambasadorit të SHBA-së në Prishtinë Philip Kosnett kundër kësaj ideje, tregoi shumë qartë se cili është qëndrimi amerikan për këtë variant apo mundësi politike, në një të ardhme afatmesme. Së dyti, kur dihet përmbajtja e Kushtetutës së Republikës së Kosovës (Neni 1, Pika 3), dhe nëse mirret parasyshë historiku i Lëvizjes politike për pavarësimin e Kosovës, nuk është aspak vështirë të konkludohet që një kërkesë e këtillë e dy pretendentëve për postet kryesore në shtetin e Kosovës, atë të Presidentit dhe të Kryeministrit, është në kundërshti me Kushtetutën e Kosovës. Respektimi i kësaj Kushtetute është obligimi i parë i secilit politikan të Kosovës, veçmas nëse bëhet fjalë për politikanët që kanë ambicje dhe synim për tu vënë në ballë të Republikës së Kosovës. Pa ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, ndërsa dihen procedurat se si ajo mund të amandamentohet, edhe në këtë kontekstin e aprovimit të së drejtës për Referendum për qytetarët e Kosovës, të cilët në atë rast, do të mund ta shprehnin vullnetin e tyre për këtë të drejtë (eventuale), nuk mund kjo temë ta merr fare mbështetjen e domosdoshme kushtetuese dhe ligjore. Tek e fundit dihet pse transformimi i FSK-së në Forcat Mbrojtëse të Kosovës, në muajin dhjetor të vitit 2018-të, u bë me rrugë ligjore në Kuvendin e Kosovës e jo me amadamente kushtetuese, siç kishte qenë synimi i jonë, madje, me përkrahjen e plotë të SHBA-së dhe të Paktit NATO. Së treti, autorët dhe përkrahësit e këtij modeli, asnjëherë deri më tash nuk e kanë shpjeguar dhe sqaruar në detale se çka do të nënkuptonte në të vërtetë bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, tej atij mekanizmi politik dhe ligjor që do të duhej të aplikohej në këtë rast, apo, përtej Referendumit. Pra, a do të kishim të bëjmë në këtë rast me një bashkim të mirëfilltë të Kosovës me Shqipërinë, i cili do të nënkuptonte që shqiptarët e Kosovës të heqnin dorë vullnetarisht prej pavarësisë së Kosovës, dhe prej një historie të njohur për të gjithë ne, që nga viti 1989-të (krijimi i partive të para demokratike në Kosovë), e deri në vitin 2008 (kur u shpall shteti i Kosovës), apo, ky bashkim do të ndërtohej sipër një Unioni të dy shteteve, gjegjësisht, të Kosovës dhe Shqipërisë (siç e përmendi një herë Ramush Haradinaj). Apo, madje, bëhet fjalë për një solucion të tretë, të ndërmjemë, të një Federate të dy Republikave. Sidoqoftë, në të gjitha variantat, nëse synojmë që për këtë temë të flasim (dhe të shkruajmë) në mënyrë të pjekur, për jetësimin e çfarëdo bashkimi të Kosovës me Shqipërinë, duhet pra siguruar ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës, nëse natyrisht në Shqipëri do të dukej qartë vullneti për këtë model apo variant të zgjidhjes së raporteve në mes të Kosovës dhe Shqipërisë (sepse në të kundërtën, nuk do të kishte përputhje të vullnetit të shqiptarëve të Kosovës me ata të Shqipërisë), pastaj, do të duhej siguruar përkrahjen e SHBA-së dhe të BE-së për një gjë të tillë, më në fund, dhe gjithsesi me vlerë dhe peshë të njejtë politike dhe diplomatike si këto kushtet e mëparme, do të duhej gjetur mbështetjen e shteteve fqinje për një bashkim të këtillë, i cili nuk do të duhej të ndikonte në destabilizimin e kësaj ane të Evropës, sepse në të kundërtën, nuk do të mund të procedohej me këtë opsion politik. Në këtë kontekst, teksa me të drejtë theksohet (nga ana e Albin Kurtit, në atë bashkëbisedimin me redaktorët e revistës politike të Oksfordit), që varianti i bashkimit të Kosovës me Shqipërinë nuk mund assesi të bëhet përmes një lufte të re ballkanike, apo, nëpërmjet të tragjedive të reja, (të cilat gjithsesi do ta kthenin edhe një herë përmbys rajonin, kësaj here duke marrë ne si shqiptarë fajësinë mbi vete), mund të thuhet po ashtu që është një naivitet politik të mendohet që Kosova do të mund ta ruante tërësinë territoriale dhe kufijtë në të cilët është shpallur shtet i pavarur, me 17 shkurt të vitit 2008, poqëse do të bashkohej me Shqipërinë. Kjo temë do të hapej gjithsesi nga ana e autoriteteve më të larta të Serbisë (do të ishte befasi e madhe po të jetë ndryshe), duke insistuar në një demarkacion në mes të dy shteteve (Serbisë dhe Shqipërisë), i cili do të nënkuptonte një ndryshim thelbësor të kufijve në Veri të Kosovës, si dhe duke kërkuar nja avansim sinjifikativ të statusit të Kishës Ortodokse Serbe (SPC), në gjithë pjesën tjetër të Kosovës e cila do t’i bashkohej Shqipërisë, përmes fitimit të së drejtës së eksterritorialitetit për manastiret dhe kishat kryesore serbe. Për Serbinë, në këtë rast, natyrisht që rëndësi të madhe do të kishte fakti që me një solucion të kësisojtë, Beogradi nuk do ta kishte obligim të bënte fare Marrëveshje madhore politike me Kosovën (këtë do ta bënte me Shqipërinë), dhe që gjithsesi do t’i shmangej problemit kryesor që Beogradi ka në bisedimet e Brukselit, e që ka të bëjë me njohjen formale të shtetit të Kosovës. Nesër: Interes sipëror i kombit shqiptar mbetet ruajtja e shtetit të Kosovës, dhe fuqizimi i rolit politik të shqiptarëve si komb në këto anë dhe në Evropë. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.