Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Bashkimi Evropian dhe Serbia

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 10.05.2025 10:06
Blerim Shala
Blerim Shala

Sa ishte në Amerikë, u sëmurë. Sepse i dështoi takimi i tij i paralajmëruar aq shumë dhe aq me pompë me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

U shërua në ndërkohë në Beograd dhe mbërriti në Rusi, për të marrë pjesë në ceremoninë e shënimit të tetëdhjetë vjetorit të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore  (në frontin e Evropës), dhe për tu takuar me Presidentin e Rusisë, Vladimir Putin.

Bëhet fjalë natyrisht për Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Në ditët kur ky e konfirmoi që do të shkojë në Moskë për të qenë pjesë e kësaj kremte të Rusisë, Vuçiq mori mesazhe publike nga ana e Kaja Kallas, Përfaqësueses së Lartë të BE-së, sipas të cilave prania e tij në Rusi do të ketë pasoja të mëdha për rrugëtimin e Serbisë në Bashkimin Evropian.

Ajo tha pos tjerash që Vuçiq duhet të zgjedhë  (më në fund, do të mund të shohej këtu, sepse kjo kërkesë i është bërë atij nga ana e Brukselit që nga fillimi i luftës në Ukrainë, në dimrin e vitit 2022), a dëshiron të bëhet me Rusinë apo me Evropën.

Në javën vijuese në një vizitë rajonit do të vjen Antonio Costa, Presidenti i Këshillit Evropian. Kjo turne diplomatike në këto anë të Evropës që janë mbetur ’as këndej dhe as andej’  (sepse Bashkimi Evropian nuk po e bën zgjedhjen finale çka do të bëjë me Ballkanin Perëndimor), do të përfshinë edhe Beogradin, ku Costa do të pritet edhe nga Presidenti i Serbisë Vuçiq.

Me gjasë, ndëshkimi politik dhe diplomatik i Serbisë për shkak të udhëtimit të Vuçiqit në Moskë dhe takimit të tij me Putinin, do të ndodhin më vonë nga BE-ja.

Kështu duhet thënë. Duke ditir që diçka e tillë nuk do të ndodhë.

Siç po thuhet dhe po përsëritet, që nga shtatori i vitit 2023, kur ndodhi sulmi i forcave paramilitare të Serbisë në policinë e Kosovës në fshatin Banjskë, jo vetëm nga ana e BE-së por edhe nga instancat tjera relevante perëndimore dhe shtetet veç e veç, që pushteti në Serbi duhet të gjejë dhe t’i ndëshkojë autorët e kësaj ngjarjeje në Banjskë.

Ata, realisht, janë të vetë-gjetur dhe të vetë-shpallur  (këtë e dimë të gjithë), dhe ata nuk kanë adresa private, sepse këtë sulm nuk e kanë bërë kokë në vete, por nën organizimin e plotë të pushtetit serb.

Natyrisht, ata, në krye me Milan Radoiçiqin, i cili për më shumë është në ‘Listën e Zezë’ të Amerikës, për shkaqe ekonomike-korruptive por edhe në vijim të rolit të tij në vrasjen e politikanit të njohur serb të Kosovës  (Oliver Ivanović), nuk do të burgosen dhe dënohen kurrë sa të jetë në pushtet ai që është përgjegjës për Banjskën: Presidenti Vuçiq.

Përshkrimi i deritashëm i sjelljeve dhe veprimeve të Presidentit Vuçiq, dhe i fjalëve, sjelljeve dhe mos-veprimeve të Bashkimit Evropian ndaj tij  (edhe pse ky është zënë shumë herë në pozitë ’jashtë loje’, sipas rregullave politike dhe diplomatike të BE-së), aq sa tregon se çka po bën Vuçiq, poaq tregon dhe dëshmon çka nuk po bën BE-ja, teksa vet ka paralajmëruar që do të bëjë.

Për më shumë, në ndërkohë, veçmas gjatë këtij viti, ka qenë fare lehtë të kuptohet natyra e mirëfilltë autokratike e pushtetit të Vuçiqit, kur ky u përballë me Lëvizjen studentore që kohë pas kohe madje merrte formën e një rebelimi gjithëpopullor.

Nuk dihet pra a do ta mbijetojë Vuçiq vitin 2025, si lider i Serbisë. Por këtu kalkulimet e BE-së janë ’status neutrale’  (ndaj gjendjes në Serbi), apo, ato do të ndryshojnë vetëm nëse do të merret vesh fare qartë që studentët dhe të tjerët do ta zëvendësojnë pushtetin e tanishëm në Serbi.

Natyrisht, Vuçiq do të vazhdojë ta shesë naracionin e tij për të qenë mirë edhe me Moskën, edhe me BE-në, edhe me SHBA-në  (të mos e harrojmë Kinën këtu), duke i thënë bashkëbseduesve të tij lindor dhe perëndimor që vetëm me ta ai ka lidhje të sinqertë dhe miqësore, teksa me të tjerët e ka sa për interes.

Këtë do t’ia thotë edhe Antonio Costa-s kur do ta pret javën tjetër në Beograd.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme