Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Banjska para një viti: Përplasja e dy realiteteve

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 24.09.2024 14:26
Blerim Shala
Blerim Shala

Historia e Kosovës, e cila duket se ende nuk është mbyllur, apo, akoma ka çka të na flet deri në rrumbullakësimin e plotë të saj, në ata kapitujt kyç të lirisë, të pavarësisë dhe të sigurimit afatgjatë të shtetësisë, ka përplot orë dhe data të veçanta, ka shumë toponime, pa të cilat asnjëherë nuk do të mbërrinim ku jemi sot.

Ato data dhe toponime kanë përshpejtuar, shpeshherë edhe në mënyrë dramatike këtë ecjen e vazhdueshme të popullit të Kosovës drejt përmbushjes së qëllimeve politike.

Këto ditë dhe këto vende përshkojnë luftën dhe paqen tonë, ngritjen demokratike, organizimin politik, sakrificën sublime, çlirimin dhe krijimin e shtetit.

24 shtatori i vitit të kaluar  (2023), dhe vendi i quajtur Banjskë, në komunën e Zveçanit, tashmë janë pjesë e kësaj historie të Kosovës.

Shteti i Kosovës para dymbëdhjetë muajsh u përball me sfidën më të madhe të sigurisë që nga krijimi i tij, me 17 shkurt të vitit 2008.

E dimë çka ndodhi atë ditë. Për më shumë, e kemi të njohur edhe cilat ishin synimet e grupit paramilitar serb të prirë nga Milan Radoiçiq, të përgatitur, të organizuar dhe të ushtruar nga shteti i Serbisë: Duhej nisur një ‘kryengritje’ të armatosur, për shkëputjen e Veriut të Kosovës.

Rrallëherë një ngjarje e këtyre përmasave, shfaqet me një qartësi të madhe, evidente dhe akuzuese, çfarë ishte ky dyluftimi i Kosovës dhe Serbisë, i cili ndodhi në fushëbetejën e Banjskës, në mes të Policisë së Kosovës dhe këtij grupi paramilitar.

Falë pamjeve të kthjellta të dronëve, pastaj, braktisjes së blindave, veturave, armëve, materialëve dhe dokumenteve të shumta nga ky grup, as 72 orë pas kësaj ngjarjeje që mori një tjetër dëshmor shqiptar (rreshterin Afrim Bunjakun), sekush këndejpari dhe në kryeqendrat perëndimore, kishte mundësi ta bënte rekonstruimin e detalizuar të gjithë këtij rrëfimi që nuk kishte si të befasonte këdoqoftë që e njeh pushtetin në Serbi.

I ballafaquar me një shumësi të kësisojt faktesh të cilat nuk kishin si të përgënjeshtroheshin, apo të kontekstualizoheshin brenda një naracioni të tij të njohur për të gjithë, Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, detyroi Milan Radoiçiqin që të pranojë se ai ka qenë në ballë të këtij operacioni, dhe për më shumë, që askush tjetër pos tij nuk është përgjegjës për këtë agresion të Serbisë mbi Kosovën.

‘Komandant Millani’, siç kishte dëshirë ta thërrinin ‘Ushtria’ e tij, kaloi 24 orë në mbajtje policore, ndaj tij nisën hetimet në bazë të një kallëzimi penal, por gjithë vitin e lumë ky e kaloi në liri, pa aktakuzë në Serbi, teksa kryeqytetet perëndimore tash e një vit këmbëngulin që ky rast duhet të procesohet deri në fund nga gjyqësia serbe.

Në anën tjetër, pak ditë më parë Prokuroria Speciale e Kosovës  (SPRK), ngriti një Aktakuzë përmbajtësore për ‘Rastin Banjska’, i cili në të vërtetë, do të mund lirisht të pagëzohej si ‘Rasti Serbia’ i Presidentit Aleksandar Vuçiq.

Nuk ka dyshim që Banjska është një pikë kthese në këtë rrjedhën paralele të realitetit me atë të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të dy shteteve.

Ky është zatën një fakt që nuk ka si të mos merret parasyshë: Dialogu në Bruksel dhe realiteti në Veriun e Kosovës, deri vonë kanë paraqitur dy botëra të ndryshme, teksa ideja e këtyre bisedimeve, të nisura në pranverën e vitit 2011, ka qenë që Veriu i Kosovës, të përfshihet në këtë realitetin e ri të Kosovës, të njohur nga shumë shtete në Botë, pra, në atë të shtetit të Kosovës.

Banjska e 24 shtatorit të vitit të kaluar ishte një përplasje e madhe, e zhurmshme dhe e përgjakshme, në mes të një dialogu në Bruksel i cili nuk arriti dot ta përmbushë atë qëllimin e para më shumë se një decenie, dhe realitetit në Veriun e Kosovës.

Normalizimi i gjendjes në Veriun e Kosovës, në të gjitha dimensionet e saj, është kusht për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, dhe jo anasjelltas, siç pretendon dhe synon Beogradi zyrtar.

Ky zatën është mësimi kryesor politik i Banjskës. Dhe ky mësim duhet të jetë, realisht, busolla e procesit të dialogut të Brukselit.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme