Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Auto-amnestia e Vuçiqit

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 28.02.2024 08:25
Blerim Shala
Blerim Shala

Më 24 shkurt, apo pak ditë më parë, u bënë dy vjet nga fillimi i Luftës në Ukrainë, e cila nisi me agresionin e forcave ushtarake të Rusisë së Vladimir Putinit mbi shtetin e Ukrainës.

Supozohej, atëbotë, në shkurtin e vitit 2022, që kjo do të jetë një luftë fare e shkurtër, apo që jo më larg se brenda një jave, Ukraina do të dorëzohej, në vijim të shpërpjestimit të madh të forcave ushtarake. Por, një tjetër shpërpjestim ishte vendimtar për fatin e kësaj lufte, së paku në javët dhe muajtë e parë: Ai i vullneteve. Ukrainasit hynë në luftë me vullnet për ta ruajtur lirinë, e rusët, me vullnet për pa pushtuar një vend.

Sidoqoftë, hyrja në vitin e tretë të luftës në Ukrainë u përcoll me shumë vlerësime dhe analiza të cilat pos që u morën me shkaqet e mirëfillta të nisjes së saj, shfaqën edhe parashikimet për rrjedhën e luftës tash e tutje.

Megjithatë, duket që Mykhailo Podolyak, këshilltari më i njohur i Presidentit të Ukrainës Volodymyr Zelenskyy, me një fjali të vetme e përshkruajti më së miri synimin kryesor të Rusisë në këtë luftë, në Ukrainë. Sipas tij: ‘Rusia nuk po luftën për territore. Ajo po lufton për të drejtën e vet të jetojë në të kaluarën’.

Të jetojë në të kaluarën që nuk ekziston më.

Edhe pse nuk ka ‘Time Machine’ që të kthen në të kaluarën, kur Rusia ishte Perandori  (komuniste, si Bashkimi Sovjetik, bëhet fjalë për variantin e fundit të Perandorisë ruse), megjithatë, Rusia e Vladimir Putinit pikërsht përmes marrjes së territorit, në këtë rast të Ukrainës, e zyrtarizon të drejtën e vet për të jetuar në të kaluarën, sepse i kthehet pushtimeve që i ka pasur gjatë historisë.

Mbase, Podolyak e ka lënë anash këtë mundësi të interpretimit.

Por vlerësimi i këshilltarit të Presidentit të Ukrainës për qëllimet e njëmendta të luftës ruse në Ukrainë, vlen qind për qind kur bëhet fjalë për politikën e sotme të Serbisë së Presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Vuçiq dhe politika zyrtare serbe, jetojnë në të kaluarën, dhe atë në të kaluarën e trefishtë: Atë të mitizuar të shekullt XIV, (në Mesjetë), atë të Luftës së Parë Botërore  (kur u krijua Mbretëria e Jugosllavisë), dhe atë të viteve të nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, kur mbi të gjitha me fajin e saj  (dhe në vijim të rrethanave të reja ndërkombëtare, pas prishjes së Murit të Berlinit dhe Rendit ndërkombëtar të ’Luftës së Ftohtë’), RSFJ u bë shkrumb dhe hi, dhe kur u krijuan shtatë shtete të reja në ish-hapësirat e Jugosllavisë.

Vučić dhe Serbia e sotme kanë shpallur një auto-amnesti për të gjitha fajet, për të gjitha gabimet, për të gjitha krimet dhe të gjitha tragjeditë e shkaktuara prej Beogradit zyrtar dhe pushtetit të atëhershëm serb të Slobodan Miloševićit.

Për më shumë, Vučić dhe pushteti i tij përsërisin shumë shpesh  (gjthnjë e më shpesh në dy vitet e fundit, apo që prej se ka nisur Lufta në Ukrainë), që Perëndimi ka shkelur brutalisht sovranitetin e RFJ-së së atëhershme  (në vitin 1999), dhe që për më shumë, ka grabitur një pjesë të territorit të saj, të cilin e ka bërë shtet të rremë  (Kosovën).

Ky interpretim i Aleksandar Vuçiqit i ngjarjeve historike në Kosovë në fundvitet e nëntëdhjeta, nuk ka gjë të përbashkët me atë historinë e mirëfilltë e cila është tragjike për popullin shqiptar në Kosovë.

Por, duket që për Vuçiqin kjo e kaluar, kjo histori, nuk është e mbyllur. Përkundrazi.

Pikërisht për këtë shkak, Vuçiq vazhdimisht përsëritë, që prej se në fundshkurtin e vitit të kaluar është arritur Marrëveshja themelore për ecjen para drejt normalizimit të marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, që ai nuk do ta pranojë integritetin territorial të Kosovës.

Këtu pra ndërlidhen ajo mësymja ruse për të kaluarën dhe për territoret në Ukrainë, me këtë politikën zyrtare të Serbisë së Presidentit Vuçiq me të cilën nuk pranohet e kaluara dhe synohet ri-pushtimi i Kosovës.

Mbase, pyetja kryesore që duhet bërë Presidentit Vuçiq nga ana e diplomatëve dhe politikanëve perëndimorë tash e tutje, është kjo: ’A e njeh ti të kaluarën e Serbisë në vitet e nëntëdhjeta?’.

Përgjigja në këtë pyetje do t’i tregojë të gjitha. Pa fare dyshim.

 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme