Amshimi si perspektivë kohore e raporteve Kosovë - BE - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Amshimi si perspektivë kohore e raporteve Kosovë – BE

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
04.12.2020 10:08

BE-ja e sotme nuk di çka të bëjë me Kosovën, teksa edhe tek ne, për shkaqe të shumta (ku ka sa të duash’autorësi vendore’), është humbur filli i Agjendës Evropiane të Kosovës, apo, as ne nuk dimë çka të bëjmë me BE-në.

 Marrëdhëniet, gjithnjë e më të ndërlikuara, përherë e më të vështirësuara në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian, mund të shpjegohen dhe të interpretohen edhe duke marrë parasysh dimensionin kohor.

Fare thjeshtë: Kur bëhet fjalë për detyrimet që Kosova i ka ndaj BE-së, përmbushja e të cilave, duhet shtuar këtu, është interes jetik i vet Kosovës  (të stabilizimit afatgjatë të shtetit të Kosovës), flitet për urgjencë, për afate të qarta kohore, ndërsa anasjellas, kur trajtohen obligimet e BE-së ndaj Kosovës, ato kanë pak-a-shumë njësi matëse amshimin, pos tjerash, pasi kund nuk ka kornizë as të përafërt kohore brenda të cilave do të mund të jetësoheshin këto zotime dhe detyrime të BE-së.

Këtu së paku mund t’i marrim katër shembuj të cilët konfirmojnë që Brukseli zyrtar nuk dëshiron fare të përcaktojë një afat kohor për kryerjen apo përmbylljen e këtyre temave, të cilat ndryshe, janë tepër të rëndësishme për shtetin e Kosovës dhe për qytetarët e tij.

Gjithçka nis me çështjen e famshme të Liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në marsin e vitit 2021, apo, për pak më shumë se tre muaj, bëhen tre vjet të plota që prej se autoritetet e Kosovës, përmes Vendimit të Kuvendit të Kosovës, kanë përmbushur edhe kriterin apo kushtin e fundit  (të 95-tin me radhë), për ta fituar këtë të drejtë për qytetarët e Kosovës.

Që prej atëherë, ne të gjithë mashtrojmë veten duke i thënë njeri-tjetrit që në fund të qershorit a në fund të dhjetorit, në kryesimin e këtij apo atij shteti të BE-së, ne do të mund të udhëtojmë pa viza në Evropë.

Për më shumë, sot askush në Bruksel nuk është në gjendje që t’ua thotë troç e hapur qytetarëve të Kosovës kur këta do ta fitojnë këtë të drejtë të cilët e kanë merituar tash e tre vjet.

Nuk ka fare afat kohor për këtë lajm të mirë nga BE-ja, i cili do të ishte një konfirmim i mirëfilltë i përkushtimit të BE-së për Kosovën dhe i perspektivës evropiane të Kosovës dhe të qytetarëve të saj.

Shembulli i dytë lidhet me dialogun në mes të instancave më të larta të Prishtinës dhe Beogradit. Edhe pse vet Miroslav Lajčak, Emisari Special i BE-së për këto bisedime, të cilat do të duhej të përmbylleshin me një Marrëveshje Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve të këtyre dy shteteve, ka pohuar disa herë që ai beson që ky dialog ka njësi matëse muajt  (e jo vitet), në Bruksel nuk ka farë vullneti që të bëhet një përkufizim kohor brenda të cilit Prishtina dhe Beogradi zyrtar do të duhej të mbërrinin tek epilogu i kësaj ndërmarrjeje të BE-së, që në marsin e vitit të ardhshëm  (2021), do të hyjë në decenien e dytë, teksa në përgjithësi, negociatat dhe bisedimet midis përfaqësuesve të Kosovës dhe Serbisë po zgjasin qe 22 vjet të plota.

Edhe këtu pra del që amshimi është kategoria kohore e BE-së.

Rasti apo shembulli i tretë në një mënyrë apo tjetrën ndërlidhet me këtë të më parmin.

Këtu kemi të bëjmë me temën apo çështjen kyç të raportit të BE-së me Kosovën dhe pesë shtetet e tjera të Ballkanit Perëndimor  (të njohur me shkurtesën WB6, apo Western Balkans Six), që përkon me mundësinë e integrimit apo të përfshirjes së këtyre shteteve në anëtarësinë e BE-së, që tash njeh 27 shtete  (pas largimit të Britanisë së Madhe pas Brexit-it).

Në muajin shkurt të vitit 2018-të, Jean-Claude Juncker, Presidenti i Komisionit Evropian pati publikuar ‘Strategjinë për zgjerimin e BE-së me shtetet e WB6’, e cila pos që ri-shfaqte një zotim të qartë të BE-së për përfshirjen e këtyre shteteve në Bashkimin Evropian, në vija të trasha paralajmëronte edhe kornizën kohore brenda të cilës këto shtetet mund të anëtarësohen në BE.

Gjithçka në këtë aspekt do të mund të niste në vitin 2025, me Malin e Zi dhe Serbinë, për të vazhduar tutje, me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, dhe për tu përmbyllur me Kosovën dhe Bosnjën dhe Hercegovinën.

Nuk duhet pasur farë informacioni të veçantë për zhvillimet në BE, për të konkluduar që kjo Strategji e Juncker-it, e cila pos tjerash, duhej të inkurajonte Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vučićin, për ta nënshkruar Marrëveshjen me autoritetet më të larta të Prishtinës për normalizimin e marrëdhënieve, është zhvlerësuar krejtësisht, apo që tema e zgjerimit të BE-së me WB6 aktualisht nuk ekziston fare në instancat vendimmarrëse të Brukselit.

Edhe këtu pra mund të thuhet që ‘Vetëm Zoti e di se kur do të hynë këto shtete në BE’.

Më në fund, qytetarët e Kosovës kuptuan pak ditë më parë për një tjetër shembull të raporteve të BE-së me Kosovën që njeh amshimin si masë kohore.

Skena politike e Kosovës dhe qytetarët e Kosovës morën vesh pra që Dhomat e Specializuara në Hagë, apo, një Gjykatë që do të duhej të merrej me krimet e pretenduara në harkun kohor 1998-2000 të cilat i Referohen Raporteve të Dick Martyt dhe Clint Williamsonit, nuk kanë fare afat kohor të caktuar të funksionimit të tyre, apo, që vetëm instancat më të larta të BE-së  (pas marrjes së Raportit nga vet Kryetarja e kësaj Gjykate), mund të vendosin për përfundimin e punës së këtyre Dhomave.

Diçka e tillë është realisht frustruese për të gjithë kosovarët, sepse është e ditur për të gjithë që ka relacion të varëshmërisë së madhe në mes të stabilizimit afatgjatë të politikës kosovare dhe rrjedhës së gjykimeve dhe të epilogut të tyre në kuadër të Dhomave të Specializuara në Hagë.

Për kosovarët është e pakuptimitë dhe e palogjikshme që nuk ka afat kohor për përmbylljen e punës së këtyre Dhomave të Specializuara, të cilat janë së paku në letër, Gjykatë e Kosovës.

Tashmë kanë kaluar pesë vjet që prej se Kuvendi i Kosovës pati votuar për themelimin e tyre.

Në përgjithësi pra, edhe këta katër shembuj, dëshmojnë që shumëçka nuk është në rregull kur flitet për marrëdhëniet në mes të BE-së dhe Kosovës.

Nuk duhet shumë mend për të mbërritë tek një fjali dëshpëruese  (për qytetarët e Kosovës), që BE-ja e sotme nuk di çka të bëjë me Kosovën, teksa edhe tek ne, për shkaqe të shumta  (ku ka sa të duash ’prodhim vendor’ apo ’autorësi vendore’), është humbur filli i Agjendës Evropiane të Kosovës, apo, as ne nuk dimë çka të bëjmë me BE-në.

Në këto rrethana, kush nuk di, as këtu dhe as në Bruksel çka do të ndodhë tash e tutje në raportet e BE-së me Kosovën, nëse nuk do të ketë së shpejti Marrëveshje në mes të Kosovës dhe Serbisë, teksa diçka e tillë nuk duket fort realiste, së paku nga perspektiva e sotme.

lajme të ngjashme