11:00, 12 Dhjetor 2019 Autor: Baton Haxhiu

Është shumë mirë të jesh ambasador në Kosovë.

Ke pushtet të madh, ndonjëherë edhe vendimmarrës. Shpesh, më tepër se ministrat që dalin nga vota e qytetarëve.

Shqiptari në esencën e etikës së tij etnokulturore krenohet me mikpritjen. Prandaj, diplomatët e vendeve kryesore perëndimore që e ndihmuan pavarësimin e Kosovës – amerikanët, britanikët, gjermanët – patjetër trajtohen me respekt madhështor.

Veçanërisht amerikanët.

Mirëpo, pikërisht një diplomat amerikan me status të përkëdhelur duhet të ketë dyfish më tepër kujdes. Përveç kornizës së rregullatorit diplomatik ligjor të shtetit të tij dhe të Kosovës, ai parimisht duhet të jetë më i vëmendshëm kur është fjala për konfigurimet e brendshme politike. Fuqia e madhe ia imponon këtë qasje delikate.

Nëse e dënon dhunën në politikë, këtë duhet ta bëjë në mënyrë konsistente, e jo ta amnistojë kur t’i konvenojë; nëse kërkon transparencë e paanësi nga mediat dhe shoqëria civile ndaj partive, interesave apo grupeve të caktuara, së pari duhet vet të jetë shembull i objektivitetit në raport me faktet.

E lexova intervistën e Ambasadorit Amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, dhënë Gazetës Express.

Ambasada Amerikane e paska marrë betimin e Kryeministrit në Ardhje se do të konsultohen dhe të merren vesh për çdo gjë të rëndësishme. Dhe se dhuna politike është pjesë e së kaluarës. Lajm i mirë për Isa Mustafën.

Në pjesën qendrore të intervistës, më shumë se një diagnozë e thjeshtë për një ambasador ndaj një lideri politik, dalin edhe këshilla, sugjerime, pse jo edhe instruksione të qarta se si duhet të sillet qeveria e preferuar nëse s’dëshiron të ketë telashe me amerikanët.

Intervista e meriton një analizë të vëmendshme.

Kosnett duket se ka marrë garancitë, prandaj konstaton: “Albin Kurti është njeri shumë inteligjent dhe shumë i pjekur“.

Vlerësim populist i nivelit që më së pari do të duhej ta shqetësonte vet Albin Kurtin.

Më tej thotë: “Unë jam i sigurt se ky koalicion do të formohet efektivisht”. Është i bindur se qeveria është e gatshme.

Por, kur pyetet nëse VV dhe LDK  “do ta zgjidhin problemin rreth pozitës së Presidentit”, respekton protokollin si azil: “Nuk mendoj që më bën mirë mua që si ambasador i huaj në këtë fazë të analizoj dhe të jap opinione për këtë”.

Sidoqoftë, nuk mungon disponimi pozitiv i bazuar në njohuritë që ne si publik s’i dimë: “Jam i bindur se dy partitë do të gjejnë zgjidhje për këtë”.

Lëvdatat e paargumentuara bëhen absurde kur prej tij kërkohet decidivisht profilizimi i Albin Kurtit. Ai nuk e thotë asnjë fjalë për raportet e deridjeshme, tejet problematike dhe të tensionuara, mes Kurtit/Vetëvendosjes dhe Ambasadës Amerikane në Kosovë, por përqendrohet vetëm në potencialin pozitiv për ndryshim të koalicionit të mundshëm. Besimi i tij më shumë përmban instruksione sesa siguri se do jetë ashtu siç i kanë premtuar:

“Mendoj se z. Kurti e di shumë mirë për rolin që e luan një lider i opozitës për të sfiduar ide dhe për të krijuar politika është i ndryshëm nga roli që e luan si një kryeministër i shtetit, ku të duhet t’i bësh bashkë të gjithë në frymën e bashkimit shtetëror. Ai është njeri shumë inteligjent dhe shumë i pjekur. Ai ka bërë të qartë se Vetëvendosje ka lënë dhunën politike në të kaluarën. Është një parti e re, është një epokë e re. Pres me padurim për të punuar me të, ashtu siç kam punuar dhe bashkëpunuar me liderë të tjerë të partive politike në këtë shtet”.

Mirëpo, nuk është kaq e thjeshtë.

Kurti nuk do ta pranojë Listën Serbe në qeveri. Kështu është deklaruar disa herë. Ndërkaq Kosnett shprehet: “Mendoj se Lista Serbe është një realitet politik… Po, Beogradi ka shumë ndikim në Listën Serbe”.

Qëndrimet e tij dalin diametralisht të kundërta me ato të Kurtit, apo ndoshta edhe këtu ka ndonjë premtim të ri të Kryeministrit në Ardhje që ka të bëjë me “pjekurinë”?

“Është e rëndësishme për SHBA’në që liderët politikë, të gjithë liderët politikë të Kosovës, të mos mendojnë vetëm për përkatësitë etnike të tyre, por për identitetin shtetëror të tërë vendit”, thotë Kosnett.

Sërish dallime të mëdha mes tij dhe Kurtit – veçanërisht nëse merret në konsideratë ikonografia e VV-së gjatë fushatës zgjedhore – dalin në pah edhe kur Ambasadori Amerikan i jep prioritet identitetit shtetëror në raport me atë etnik.

Optimist i informuar del Kosnett edhe atëherë kur flet për bashkëpunimin e ardhshëm mes Kurtit dhe Thaçit: “Nuk kam asnjë dyshim se z. Kurti, kur të bëhet kryeministër, do të ndërtojë një marrëdhënie profesionale dhe konstruktive me presidentin Thaçi”.

Vlerësimi i tij për ecurisë e deritashme të dialogut dallon katërçipërisht prej atij të Kurtit: “Puna që është bërë deri tani mes Presidentit Thaçi dhe Presidentit Vuçiq nuk duhet të injorohet dhe të hidhet anash”.

Duket se Ambasadori s’e paska dëgjuar Kurtin kur ka deklaruar se “nuk do të ngutet me angazhimin në Dialog”, sepse “nuk është prioritet”, prandaj vazhdon me instruksionet:

“Ne do të donim të shihnim dy qeveritë në vijën e fillimit sa më shpejt që është e mundur, sa të formohet qeveria e Kosovës. Dhe pastaj ne duam t’i shohim ato duke arritur në vijën e cakut”.

Është krejtësisht i qartë synimi i Ambasadorit Kosnett.

Ai dëshiron që t’i largojë të gjitha dyshimet publike për ndonjë rezervë eventuale amerikane ndaj Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, si dhe t’ua dëshmojë qytetarëve kosovarë përkrahjen e madhe aktuale për fituesin e zgjedhjeve.

Injorimi i çështjeve problematike e fuqizon edhe më shumë këtë perceptim.

Kosnett i drejtohet Kurtit, duke ia ofruar i pari publikisht dorën e mirëbesimit për rrugën e vështirë që i pret, plotësisht i vetëdijshëm për hendekun e madh politik dhe ideologjik që qëndron si pikëpyetje e madhe mbi raportet e Ambasadës Amerikane me Lëvizjen Vetëvendosje.

Ai dëshiron që – në mënyrë indirekte – t’i bëjë presion publik liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, duke e ditur se përkrahja politike amerikane është një aset që çmohet jashtëzakonisht nga qytetarët kosovarë, të cilët e sanksionojnë elektoralisht mosshfrytëzimin e tij.

Problemi nuk mund të jetë tek vullneti dhe gatishmëria e Ambasadorit Kosnett për të bashkëpunuar me njeriun më të votuar në Kosovë, por te tentimi i pabazuar për ta na e prezantuar një “Albin Kurti të ri, që ka ndryshuar shpejt”.

Kjo formë e lëvdatave me bollëk, ende pa u krijuar qeveria dhe me shumë paralajmërime që janë në kundërshtim me planifikimet amerikane, nxit dyshime për qëllimet e fundme.

Një lider politik i përmasave të Albin Kurtit nuk ndryshon shpejt.

Këtë do ta kuptojë edhe Ambasadori Kosnett.

Nëse vërtet ende nuk e ka kuptuar.

 

 

Lajme të tjera