Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Aktgjykimi final i një Miti  

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 30.06.2021 14:39

Sa herë vjen 28 qershori, si një datë kalendari, në Serbi, ri-kthehet ajo ‘Ora e historisë’ për  rëndësinë e jashtëzakonshme që ka kjo ditë në atë ‘Kalendarin e historisë dhe të politikës’  së Serbisë, me një qëllim fare të qartë: Fati i një beteje ushtarake, në një ditë të vetme, në  vitin e largët të Shekullit XIV (më saktësisht, në vitin 1389), i ka dhënë ‘tapinë’ e  përjetshme Serbisë mbi Kosovën.  

Nuk është aspak me rëndësi çka ka ndodhë prej asaj dite në Kosovë e deri më sot, në  historinë dhe në politikën e Kosovës dhe të Serbisë. 

Nuk është fare me peshë se cila ka qenë dhe cila është përbërja etnike e Kosovës. Nuk ka hiç vlerë tragjedia e njohur, e rëndë dhe e dhimbshme e shqiptarëve të Kosovës e  ndërlidhur me të jetuarit e tyre nën okupimin e Serbisë, në thuaja gjithë Shekullin e XX  (prej vjeshtës së vitit 1912 deri në pranverën e vitit 1999). 

Nuk ka lidhje se çfarë ka përjetuar krejt Ballkani dhe Evropa gjatë Shekullit XX, si është  zhbë shteti i dikurshëm i përbashkët, RSFJ, dhe kush është përgjegjës për katër luftërat e  njëpasnjëshme në harkun kohor 1991-1999, dhe për intervenimin e Aleancës Veri Atlantike në Kosovë dhe në Serbi, në pranverën e vitit 1999.  

Të gjithë këta Kapituj, mbi të cilin është bërë, është ndërtuar realiteti në Kosovë, i cili pos  tjerash njeh një Mision Ushtarak të NATO-s këndejpari, një Administratë Ndërkombëtare,  të UNMIK-ut, më në fund, edhe shpalljen e pavarësisë së Kosovës, nga Kuvendi, për  politikën serbe në përgjithësi, fatkeqësisht, edhe për shoqërinë serbe, në masë të madhe,  nuk bëjnë aspak punë, nuk vlejnë hiç fare. 

Miti mbi Betejën e Kosovës, i krijuar nga politika, letërsia dhe shkenca serbe e Shekullit  XIX, me qëllime të qarta që çlirimin e merituar nga Perandoria Osmane, ta transformojë  në krijimin e një shteti të madh serb, i cili gjithsesi duhet ta përfshijë edhe Kosovën si  territor, sundon me politikën serbe tash e një shekull e gjysmë.  

Teksa një Mit pushtoi politikën dhe shoqërinë serbe, shteti i Serbisë pushtoi realitetin në  Kosovë mbi këtë të drejtë, por mbi të gjitha, mbi supremacinë ushtarake dhe mbi fuqinë e  organizimit shtetëror. 

Një herë pra u dasht që Kosova të ‘kolonizohet’ përmes një Miti, përmes një konstrukti të  këtillë artificial, e pastaj, ndodhi edhe kolonizimi i mirëfilltë ushtarak, politik, madje edhe  etnik, me synim të ndryshimit të strukturës etnike të Kosovës.  

Që prej vitit 1912 e deri më sot, kemi pra një përplasje të madhe në mes të një Miti të  prodhuar qëllimshëm, i cili nuk ka të bëjë thuaja fare me historinë e njëmendtë, dhe të një  Realiteti i cili ka qenë refleksion i historisë së mirëfilltë të kësaj treve, të përbërjes etnike  të saj, të rezistencës politike dhe ushtarake të shqiptarëve të Kosovës, e cila arriti pikën më  të lartë, ngadhnjimtare, me Lëvizjen politike të viteve të nëntëdhjeta për pavarësi, dhe me  Luftën çlirimtare të UÇK-së. 

Disfatat e njëpasnjëshme politike, historike, madje edhe juridike (në ICJ, në Gjykatën  Ndërkombëtare të Drejtësisë, në Hagë, në muajin korrik të vitit 2010), ato të mirëfilltat pra,  të Serbisë në Kosovë, nuk mjaftuan që në Serbi të ndodhë prishja e Mitit për Betejën e Kosovës, e cila në realitet, shumë më tepër e mbanë peng vet politikën dhe shoqërinë serbe,  të tashmen dhe të ardhmen e Serbisë, se sa Kosovën. 

Kosova ka paguar një çmim të tmerrshëm për këtë Mit të krijuar në Serbinë e Shekullit  XIX. Pa kurfarë dyshimi. Po e paguan madje ende ‘Ratën e interesit’ të këtij Miti, për  shkaqe të njohura për të gjithë ne.  

Por çmimin më të lartë të mundshëm po e paguan, realisht, vet politika dhe shoqëria e  Serbisë. 

Teksa ky Mit sundon politikisht në Serbi, nuk mund të ketë normalizim të mirëfilltë të  marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë, sepse ç’njohja e këtij Miti dhe njohja e  Realitetit të Kosovës, është kusht pa të cilin nuk bën nëse Beogradi zyrtar njëmend dëshiron  të ketë Marrëveshje Gjithpërfshirëse me Prishtinën zyrtare. 

Normalizimi i raporteve në mes të Kosovës dhe Serbisë pra, nuk mund të bëhet ashtu si  duhet, me njohjen reciproke në mes të dy shteteve, e cila nuk ka si të ndodhë pa e pranuar  realitetin në Kosovë, pa shkurorizimin e certifikueshëm dhe të vërtetueshëm të Serbisë nga  Miti për Betejën e Kosovës. 

Njëlloj, nuk mund të ketë as evropeizim të mirëfilltë të politikës dhe të shoqërisë serbe,  dhe as inkuadrim të Serbisë në BE, derisa të mos hiqet dorë vullnetarisht, me mend, me  bindje, me arsye, nga ky Mit.  

Nuk ka Serbi Evropiane dhe Mit mbi Betejën e Kosovës. 

Këto të dyjat nuk mund të shkojnë së bashku. 

Në përvjetorin e gjashtë qind të Betejës së Fushë Kosovës, me 28 qershor të vitit 1989, në  atë majen e popullaritetit të tij, në Gazimestan, me helikopter pati ardhë lideri i atëhershëm  serb, Slobodan Milošević, për ta mbajtur, , para një milion qytetarëve, atë fjalimin namëkeq  për Kosovën dhe Jugosllavinë e atëhershme. 

Vetëm 12 vjet më vonë, me 28 qershor të vitit 2001, sërish me helikopter, Milošević, i  Akuzuar dy vjet më parë për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Kosovë, do të  bartet prej burgut të Beogradit në territorin e Bosnjës dhe Hercegovinës, dhe prej aty, në  qelinë e burgut të ICTY-t, Tribunalit të Hagës në Scheveningen. 

Megjithatë, Milošević nuk do të dënohej në Hagë, sepse do të vdes me 11 mars, të vitit  2006, në qelinë e tij. 

Sidoqoftë, proceset e njohura politike dhe historike të viteve të nëntëdhjeta në hapësirën e  ish-RSFJ-së, dhe pastaj, edhe të viteve 2006 (pavarësimi i Malit të Zi), dhe 2008  (pavarësimi i Kosovës), kanë shënuar atë Aktgjykimin final të politikës së Serbisë që nisi  në Kosovë dhe mori fund në Kosovë. 

Por Aktgjykimi final për një Mit që prodhoi aq shumë tragjedi në Kosovë dhe në rajon,  ende nuk është shpallur. 

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme