Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Aktakuzë morale për politikën e tashme të Serbisë

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
nga Blerim Shala 04.05.2024 10:05
Blerim Shala
Blerim Shala

Javëve të fundit Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, dhe e gjithë përcjellja e tij politike në Serbi dhe në Republika Sërpska (Bosnjë dhe Hercegovinë), janë vë në ballë të një ndërmarrjeje të përbashkët të mohimit të një historie të konfirmuar në të gjitha mënyrat e mundshme, përfundimisht me Aktygjykimet e Tribunalit Ndërkombëtar të Hagës për krime lufte (ICTY), që në muajin korrik të vitit 1995 në Srebrenicë dhe rrethinë është kryer akti i gjenocidit, më i rëndi në një luftë.

E tëra kjo bëhet nga Vučić dhe elita zyrtare politike serbe, sepse Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me 13 maj, pritet ta miratojë Rezolutën për Srebrenicën, dhe ta inaugurojë 11 korrikun si Ditën e kujtimit të kësaj ngjarjeje të tmerrshme.

Në asnjë fjalë të vetme të kësaj Rezolute të inicuar fillimisht nga Gjermania dhe Ruanda (e të përkrahur më pas nga shumë shtete, përfshirë këtu edhe Shqipërinë), nuk pohohet që kombi serb është komb gjenocidal, të cilën gjë, si kundërakuzë, e përmend vazhdimisht, Presidenti i Serbisë.

Kjo nuk është dhe as që mund të jetë temë e kësaj Rezolute. Askush nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë synime të tilla. Këtu nuk ka fare dyshim.

Megjithatë, janë së paku disa elemente shumë të rëndësishme në përmbajtjen e këtij Dokumenti, të cilat qysh tash janë shumë problematike për pushtetin në Serbi, por edhe për thuaja të gjithë politikanët në Serbi dhe gati kudo në Ballkan, të cilët në këtë mënyrë, kolektivisht dhe konsensualisht, marrin përgjegjësinë për mohimin e gjenocidit në Srebrenicë, si dhe qysh tash i kundërvihen synimeve kryesore të kësaj Rezolute, duke u nisë këtu me krijimin e një kulture të kujtimit për këtë ditë të turpshme në historinë e re të Evropës.

Para se të gjithash pra, Presidenti Vučić dhe të gjithë ndihmësit e tij, kundërshtojnë me këmbëngulje të pashoqe kualifikimin që në korrikun e vitit 1995 në Srebrenicë forcat ushtarake të Republikës Serbe, kanë bërë gjenocid mbi popullatën boshnjake. Sipas politikanëve serbë, aty ka ndodhë një ’krim i tmerrshëm’, por jo gjenocid. Kështu del, dashtë e pa dashtë, që kjo Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, do të ketë ’rreze veprimi’ jo vetëm në vërtetimin çfarë ka ndodhë në Srebrenicë të Bosnjës lindore gati katër dekada më parë, por edhe çka është bërë në Serbi dhe në Republikën Serbe tash e dhjetëra vjet.

Politika zyrtare serbe në Beograd dhe në Banja Llukë asnjëherë nuk e ka pranuar këtë cilësim të tragjedisë së Srebrenicës.
Për më shumë, pushteti i Vučićit në Serbi, jo vetëm që ka mohuar aktin e gjenocidit të lidershipit politik dhe ushtarak serb të kohës, por, ka instaluar kulturën e mosndëshkimit të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit të bëra në frontet e ish-Jugosllavisë, duke përfshirë këtu edhe Kosovën.

Politikanët dhe ushtarakët serbë që janë dënuar në ICTY me burgime shumëvjeçare për rolin e tyre në tmerret e luftës në Kosovë, pas vuajtjes së dënimit janë pritur thuajse janë shquar me heroizëm në këtë luftë, në të cilën mbi 90 për qind të viktimave shqiptare kanë qenë civilë shqiptar, fëmijë, gra, pleq.

Pra, të trija këto çështje theksohen në këtë Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Të trija ato sipërfaqësojnë natyrën e mirëfilltë të pushtetit të tashëm të Presidentit të
Serbisë, Aleksandar Vučić: Ky pushtet nuk njeh krimet që Serbia e Slobodan Miloševićit i ka bërë në Kraoci, në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe në Kosovë, ka instaluar kulturën e
mosndëshkimit të këtyre krimeve dhe më në fund, ka promovuar kriminelët e luftës si atdhetarë të mëdhenjë të popullit serb.

Është thënë disa herë që Rezolutat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së nuk kanë karakter obligativ juridik. Megjithatë, është ana morale dhe politike këtu që shquhet në rastet e këtilla.

Pastaj, pushteti serb e ka të qartë që rrugëtimi i Serbisë për në Bashkimin Evropian nuk ka si të mos hasë në pengesat e mirëfillta ligjore të Brukselit zyrtar, sepse një politikë, por edhe një shoqëri e këtillë e Serbisë, nuk ka si të kualifikohet për t’u bërë pjesë përbërëse e Bashkimit Evropian. Srebrenica dhe kujtimi për të janë, në këtë aspekt, një mal i pakalueshëm politik dhe
moral për Serbinë e Aleksandar Vučićit.

*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber.

*Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.

lajme të ngjashme