Abstenimi i rrezikshëm i BE-së  - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

Abstenimi i rrezikshëm i BE-së 

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
03.11.2021 14:14

Zgjedhjet për pushtetin lokal në një shtet që nuk është fare anëtar i Bashkimit Evropian,  siç u pa ditëve të fundit, po analizohen dhe po vlerësohen si ngjarje që ka lidhje të  drejtpërdrejtë me politikën e BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor, apo me abstenimin e  qëllimshëm të Brukselit zyrtar për ta vazhduar tutje ndërmarrjen e zgjerimit të vet me  shtetet e kësaj ane të Evropës. 

Zoran Zaev, Kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, ka dhënë dorëheqje nga kjo  pozitë, si dhe në atë të Kryetarit të partisë, për shkak të rezultatit të dobët të partisë së tij  (SDSM, Partia Social-Demokrate e Maqedonisë), në zgjedhjet për pushtetin komunal. Zaev po llogaritet, edhe në analizat e mediave perëndimore, si viktimë e premtimeve të  pambajtura të BE-së ndaj Qeverisë së tij, pas arritjes së Marrëveshjes historike të Prespës  (në vitin 2018), me Qeverinë e Greqisë fqinje, për ndryshimin e emrit të shtetit, dhe të  gjitha atributeve të tjera që përkonin me këtë emër (të Maqedonisë). Një tjetër Bashkim Evropian, ai i cili kishte Javier Solanën si Kryediplomatin e saj, i pati  mundësuar Maqedonisë të nënshkruajë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (SAA), në  vitin 2001, madje, realisht, edhe pa i përmbushur të gjitha kriteret, sepse këtij shteti, aso  kohe, kur ishte i kërcënuar nga problemet e shumta të brendshme, përfshirë edhe konfliktin  e armatosur, i duhej një mbështetje dhe një perspektivë evropiane. 

Ky Bashkim Evropian, 40 muaj pasiqë Shkupi dhe Athina zyrtare nënshkruan  Marrëveshjen e madhe e cila tejkaloi kontestin historik dhe politik që njohu një çerek  shekulli të plotë, nuk është në gjendje, apo, edhe nuk ka vullnet dhe forcë, që t’i hapë  negociatat me Maqedoninë e Veriut për integrim në BE. 

Pengesat të cilat në ndërkohë i ka krijuar Bullgaria, kanë mundur të tejkalohen po të kishte  këmbëngulësi diplomatike të Brukselit. Por këtu dihet botërisht që Bullgaria nuk është  problemi kryesor. 

Këtë dështim jorrallë po e përmend edhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, (edhe pse  më shpesh e bën këtë në takimet që ka me bashkëbiseduesit e BE-së se sa në deklarimet  publike), kur konstanton që ai nuk sheh që në rrethanat e tanishme dikush mund t’i  garantojë që BE-ja do ta mbajë fjalën e vet për përfshirjen e Serbisë në BE, edhe nëse  arrihet Marrëveshja Gjithpërfshirëse me instancat më të larta të Kosovës.  

Në anën tjetër, janë bërë 44 muaj që prej se Kuvendi i Kosovës, me Ratifikimin e  Marrëveshjes ndërshtetërore për shenjimin e kufirit me Malin e Zi (në muajin mars të vitit  2018-të), përmbushi kriterin e fundit për Liberalizimin e vizave. BE-ja edhe këtu nuk  mbajti zotimin e vet, i cili kishte domethënien që qytetarët e Kosovës, me pasaporta  biometrik dhe pa viza të udhëtojnë në Evropë, apo, në Zonën e Schengenit. 

Aktualisht, askush në Bruksel, edhe prej autoriteteve më të larta të BE-së, nuk është në  gjendje t’i thotë Prishtinës zyrtare se kur do të ndodhë Liberalizimi i vizave. Po e njejta qasje e rrudhjes së krahëve e Brukselit zyrtar përkon edhe me kohën kur BE-ja  do të mund të fillojë negociatat me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut për  inkuadrimin e tyre në BE.

Ky abstenim prej rolit të vet historik, politik dhe strategjik, nga ana e BE-së, veçmas gjatë  këtij viti është përcjellur me një shqetësim në rritje, të shpërfaqur gjithnjë e më qartë dhe  kumbueshëm, nga Brukseli zyrtar, për ndërhyrjet politike, ekonomike dhe të sigurisë së  Rusisë dhe Kinës në Ballkanin Perëndimor. 

U përmendën madje edhe interesat gjeo-politike të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Është shumë vështirë, në mos edhe e pamundur të kuptohet se si mund të koekzistojnë, kjo  qasja e refuzimit për tu marrë me ardhmëninë e Evropës (dhe të BE-së, si shtëpi e  përbashkët e shteteve evropiane), me këtë të shqetësimit në rritje e sipër për rrjedhat  problematike në shumicën e shteteve të Ballkanit Perëndimor, të cilat njohin ndërthurrjen  në mes të arsyeve të brendshme dhe rolit që Rusia dhe Kina kanë në këto shtete. Nuk ka dyshim që disfata e Zaevit dhe partisë së tij në zgjedhjet lokale njeh edhe atë  autorësinë e brendshme, të përgjegjësisë së tij dhe të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut.  Por gjithashtu, gjithsesi është e qartë që një pasivitet evident i BE-së dhe një aktivitet i  rëndomtë (i viteve të fundit), i Rusisë, ka hisen e vet në rezultatin final të këtyre zgjedhjeve. Gjendja, në këtë aspekt pra, të përplasjes në mes të forcave politike pro-evropiane (dhe  pro-perëndimore), dhe pro-ruse, ka marrë përmasa dramatike në Bosnjë dhe Hercegovinë,  ku situata është më e keqe që nga përfundimi i luftës, i arritur me Marrëveshjen e Daytonit  (1995). 

Një konflikt i kësisojt është publik dhe i vrazhdë (madje), edhe në Malin e Zi. Objektivisht, në gjithë Ballkanin Perëndimor, vetëm në Kosovë dhe në Shqipëri, nuk ka  konfrontim të këtij lloji, për shkaqe të njohura për të gjithë. 

Por, teksa vetëm pak javë më parë, në Bruksel, në Washington dhe në kryeqendrat e tjera  të Perëndimit, Maqedonia e Veriut llogaritej se është një shtet stabil në këtë aspekt, me  adresa të qarta të një pushteti pro-evropian, së shpejti këtu mund të ndryshojnë gjërat për  të keq. 

Lajmet e këtilla të këqija, sipas të gjitha gjasave, vetëm sa do të shtohen në muajtë dhe vitet  e ardhshme nëse BE-ja do të vazhdojë të ushtrojë politikën e abstenimit të rolit të vet primar  politik dhe diplomatik që ka në Ballkanin Perëndimor. 

lajme të ngjashme