Abstenimi i Perëndimit në Ballkanin Perëndimor 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 18.09.2021 20:05 18.09.2021 20:05 Nuk mbahet në mend për vite të tëra, në mos edhe më shumë, apo, prej pavarësimit të Malit të Zi (në vitit 2006), dhe të Kosovës (në vitin 2008), që kjo anë e Evropës e njohur si Ballkani Perëndimor (ky emërtim është në fuqi që nga Samiti i BE-së në Selanik, në vitin 2003), është përballur me tensione kaq të mëdha, të cilat mund të marrin edhe kahje të rrezikshme të destabilizimit të rajonit. Deri pak vite më parë, supozohej që poqëse Kosova dhe Serbia, do ta nënshkruajnë Marrëveshjen Gjithpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve, me njohjen reciproke formale si çelës të saj, dhe nëse Bosnja dhe Hercegovina do të reformohej, Ballkani Perëndimor do të hyjë një një periudhë të stabilitetit afatgjatë, i cili pos tjerash, do të reflektohej edhe me zgjerimin e BE-së me gjashtë shtetet e njohura me atë shkurtesën WB6 (Kosova, Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bosnja dhe Hercegovina, Serbia). Ky skenar dukej i arritshëm, pos tjerash, sepse Mali i Zi i shpëtoi grushtshtetit (në vitin 2016), Maqedonia e Veriut një përpjekjeje për konflikt etnik (në vitin 2017), teksa te dy shtetet u bënë shtete anëtare të Aleancës Veri-Atlantike, Mali i Zi në vitin 2017 e Maqedonia e Veriut në vitin 2020. Në këtë kontekstin gjeopolitik, dukej pra që Rusia nuk arriti dot ta përmbushë synimin e vet strategjik që ta pamundësojë shtritjen e Paktit NATO edhe kah Mali i Zi dhe Maqedonia, teksa Shqipëria ka vite që është në Aleancë (që prej vitit 2009), teksa në Kosovë, NATO është i pranishëm që nga qershori i vitit 1999. Por ja që konkludimet politike që Ballkani Perëndimor e ka kaluar më të keqen, që prej përfundimit të luftërave gjatë shpërbërjes së ish-RSFJ-së (në vitin 1999) e këndej, apo, që në një të ardhme jo edhe të largët do të ndodhë inkuadrimi i këtyre gjashtë shteteve në BE, për ta siguruar stabilitetin dhe qëndrueshmërinë afatgjatë, dolën të jenë të parakohshme, në mos edhe iluzione. Qoftë edhe një Rekapitulim fare i shkurtër i zhvillimeve muajve në fundit në këtë pjesë të Evropës, fare lehtë të shpie në përfundim që rrjedha e ngjarjeve ka nisë të merr një drejtim shumë problematik. Dialogu i autoriteteve më të larta të Kosovës dhe Serbisë, i ri-nisur në pranverën e këtij viti, ende nuk është përqëndruar aty ku duhet: Në përgatitjen e Marrëveshjes Gjithpërfshirëse, Ligjësisht Obligative, në mes të këtyre dy shteteve. Ky duhet të jetë thelbi i dialogut, të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, i cili në marsin e këtij viti hyri në vitin e 11-të të ekzistencës së tij. Ky dialog nuk mund të vazhdojë kështu pafundësisht, apo, sa më parë që është e mundur, duhet të ecet kah epilogu i tij, i cili është fare i qartë për të gjithë ata që kanë sadopak njohuri për Kosovën dhe për marrëdhëniet e Kosovës dhe Serbisë, si gjatë historisë, ashtu edhe tani. Situata në Bosnjë dhe Hercegovinë, një shtet i cili shpeshherë është përshkruar si një ‘Përbindësh Administrativ’, (i tillë ishte krijuar në Konferencën e Daytonit, në vitin 1995, me qëllim që sa më parë që është e mundur të arrihej paqja), sa vjen e ndërlikohet, me një përplasje tashmë publike në mes të prijësve të entitetit serb në këtë shtet dhe Christian Schmidtit, Përfaqësuesit të Lartë ndërkombëtarë. Më në fund, Mali i Zi, i cili deri para dy viteve shquhej me një stabilitet politik, javëve të fundit u bë kryelajm në rajon, por edhe më gjërë, në mediat evropiane, për shkak të zhvillimeve të njohura në Cetinë, me Kishën Ortodokse Serbe (SPC), të cilat ishin fare pranë një konflikti të rëndë. Teksa secili prej këtyre shembujve i ka veçoritë e veta të brendshme dhe historike, duket se janë tri elemente të përbashkëta të tyre, të cilat veç e veç dhe në tërësinë e tyre, janë, mbi të gjitha, shkaktarë të këtyre zhvillimeve shumë problematike. Elementi i parë buron nga qasja e gabueshme, e cila po vërehet gjithnjë e më shumë, e BE-së, e ndaljes së procesit të zgjerimit të BE-së me shtetet e Ballkanit Perëndimor. Kjo qasje e ‘Abstenimit politik dhe historik’ e Brukselit zyrtar, e ka lënë, objektivisht, pezull, ndërmarrjen e këtyre shteteve për tu bërë anëtar të BE-së. Disa paralajmërime të pranverës së këtij viti, edhe me atë ‘Working Paper’ të Josep Borrellit, Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, i cili në përmbajtjen e tij ishte i sakt dhe shpresëdhënës, dolën të jenë vetëm një justifikim i Brukselit, pa efekte të mirëfillta politike. Për më shumë, ngjarjet e fundit goxha dramatike në Malin e Zi të para disa ditëve, janë përcjellur, nga ana e BE-së, me deklarata të përgjithësuara, të cilat nuk paralajmërojnë një angazhim më efektiv në ndaljen e teposhtëzes së rrezikshme në këtë shtet. Elementi i dytë ri-shfaq atë interesimin e Rusisë që ta shfrytëzojë çdo mundësi për të dhënë ‘kontributin’ e vet për destabilizimin e kësaj pjese të Evropës. Elementi i tretë përkon me ringjalljen, gjithnjë e më të qartë, madje, më brutale të lidershipit të tashëm të Serbisë, i cili personifikohet me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiqin, për të ecur vendosmërisht kah ri-kthimi i ndikimit të vet kudo që është e mundur, në Kosovë, në Bosnjë dhe Hercegovinë, tani edhe në Mal të Zi, në kuadër të Projektit të ‘Botës Serbe’ (‘Srpski Svet’), i cili tutje nuk po shkakton kurfarë shqetësimi në BE, teksa ditëve të fundit ka shenja në SHBA që zhvillimet në Mal të Zi, mund të jenë pjesë përbërëse e relativizimit, në mos edhe të përmbysjes së gjithë atij investimi ushtarak, politik dhe ekonomik të Perëndimit, për ta paqëtuar një herë e mirë Ballkanin Perëndimor. Sidoqoftë, së paku në rrethanat e tanishme, mund të konstatohet me saktësi që ekziston një shpërputhje problematike në mes zhvillimeve në këto anë të Evropës dhe interesimit të Perëndimit për tu marrë me to në mënyrë aktive. Ky është lajmi më i keq i mundshëm për Ballkanin Perëndimor. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.