A ka vend në BE për mohuesit e Gjenocidit? 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 05.08.2021 14:30 05.08.2021 14:30 Për t’u bërë një shtet pjesë e Bashkimit Evropian si strukturë, dhe e Perëndimit, si Qytetërim, duhet jo vetëm që ai shtet ta bën pushtetin demokratik, përmes zgjedhjeve të lira në një garë të shumë partive dhe politikanëve, ta ketë Kushtetutën që i garanton të drejtat e barabartë të të gjithë qytetarëve, ta ketë Sundimin e ligjit si prioritet absolut, ta siguron një minimum të mirëqenies sociale, por edhe të përqafon vlera të caktuara politike të cilat nuk bën dhe nuk mund të mëdyshen, e lëre më të braktisen pas secilit ndryshim të pushtetit në atë vend. Këto vlera pos tjerash, e vendosin një raport të Evropës dhe të Perëndimit ndaj historisë, ndaj një të kaluare e cila veçmas në harkun kohor 1914-1945 (që bashkon dy Luftërat botërore), ka qenë tragjike, me autorësi të qartë të shkaktarëve të tmerreve të cilat sollën një hap larg humnerës Evropën dhe Qytetërimin e saj. Qartësia e plotë, e prerë, kategorike, e sakt, për këtë historinë tragjike të Evropës, ka qenë kusht pa të cilin nuk bën për të hyrë në ndërmarrjen e përbashkët të Bashkimit të Evropës, ashtuqë asnjëherë më të mos përsëritet kjo histori. Ndryshe, po të mos ndodhte ky qartësim i mirëfilltë i historisë, pastaj, adresimi i saj me mekanizmat e drejtësisë ndërkombëtare (Tribunali i Nurembergut, para se të gjithash, por edhe gjykatat e shteteve të veçanta), nuk do të mund të hyhej dot në këtë Projekt madhor të Evropës dhe të Perëndimit, i cili pos tjerash ka nënkuptuar krijimin e përbashkët të ardhmënisë politike dhe ekonomike në BE, dhe mbrojtëse-ushtarake, në Aleancën Veri-Atlantike (Pakti NATO). Ballkani Perëndimor nuk mund të gjejë dot ndonjë ‘Rrugë origjinale’ në këtë drejtim, as për ta lënë prapa vetes një herë e përgjithmonë një histori tragjike të ndodhur në vitet e nëntëdhjeta, as për të ndërtuar raporte të fqinjësisë së mirë në mes shteteve të kësaj ane të Evropës, dhe assesi, as për tu përafruar kah anëtarësimi në Bashkimin Evropian. Drejtësia Ndërkombëtare në këtë rast (ajo e ICTY-t, apo të Tribunalit të Hagës), nuk arriti t’i adresojë si duhet përgjegjësitë konkrete për krimet e luftës, krimet kundër njerëzimit, dhe krimin e gjenocidit. Në anën tjetër, mënyra se si intepretohet javëve dhe muajve të fundit, në vitin 2021, historia e luftërave të përgjakshme në harkun kohor 1991-1999 (në atë ‘Hartën rrugore’ që nisi me Slloveninë dhe Kroacinë, vazhdoi me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe përfundoi me Kosovën), në shtetet që dolën pas vetë-shkatërrimit të ish-RSFJ-së, nuk lë kurfarë dyshimi: Lufta e dikurshme me mjete ushtarake, ku nuk kursehej gjë prej gjëje, tani është zëvëndësuar me një luftë politike, diplomatike dhe mediatike, për ta mëdyshur një histori shumë mirë të njohur për të gjithë, apo, edhe për ta ndryshuar ate. Njëlloj si herën e parë, në vitet e nëntëdhjeta, kur ndodhën luftërat e përgjakshme dhe shkatërrimtare, edhe kësaj here, kur flitet për një luftë politike, diplomatike dhe mediatike, Beogradi dhe Udhëheqësit e Serbisë janë autorët kryesorë të saj, duke u përkrahur nga politikanët serbë të shteteve të tjera të rajonit (veçmas në Bosnjë dhe Hercegovinë, por edhe në Mal të Zi dhe në Kosovë). Sebepi i fundit (si thuhet), u bë mënyra se si po trajtohet në Serbi dhe gjetiu, në shtetet e tjera të kësaj ane të Evropës, Gjenocidi i Srebrenicës (korriku i vitit 1995, kur mbi 8200 boshnjakë të tri gjenaratave të ekzekutuan për ditë të tërë), i cili ndryshe, tash e sa vite nuk është më vetëm kategori politike, dhe as vetëm vlerësim historik, por është Aktgjykim i plotëfuqishëm gjyqësor si në ICTY (në Tribunalin e Hagës), ashtu edhe në ICJ (Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë). Nga ky pikëshikim pra, mohimi që në Srebrenicë ka pasë Gjenocid, në verën e vitit 1995, është para se të gjithash, kundërshtim i gjyqësisë/ drejtësisë ndërkombëtare, e Verdikteve të saja, të cilat, si të tilla, janë certifikuar nga BE-ja dhe Perëndimi. Natyrisht, Verdikti gjyqësor është ai konfirmimi final i një të vërtete të njohur politike dhe historike për tmerrin e Srebrenicës. Krijimi, në anën tjetër, i shtatë shteteve të reja nga tetë njësitë federale të ish-Jugosllavisë, në harkun kohor 1992-2008, (prej Sllovenisë dhe Kroacisë, deri te Kosova), është vërtetim politik dhe historik i përgjegjësisë finale të Serbisë për gjithë këto luftëra. Në përvjetorin e 26 të Gjenocidit të Srebrencës, Josep Borrell, Përfaqësuesi i lartë i BE-së konstatoi, plotësisht me të drejtë, që në BE nuk mund të ketë vend për mohuesit e këtij Gjenocidi. Natyrisht, në BE nuk ka dhe nuk mund të ketë vend as për mohuesit e krimeve të tmerrshme të bëra gjatë Luftës në Kosovë (në vitet 1998, 1999). Ky konstatim i tij natyrisht na kthen tek ai qëndrimi i shprehur fare në fillim të këtij shkrimi që përqafimi i vlerave të përbashkëta të Evropës dhe Perëndimit është kusht pa të cilin nuk bën nëse një shtet synon, me të vërtetë, të bëhet pjesë përbërëse e BE-së. Mohimi pra i Gjenocidit të Srebrenicës, realisht, është një vi e qartë që ndanë shtetet dhe shoqëritë që duan të bëhen Evropë dhe Perëndim, nga shtetet që i kanë këto synime. Kështu po del që një ngjarje e largët, e shënuar në vitin 1995, në Bosnjën Lindore, por e cila me përmasat e saja të skëterrshme ka siguruar mbamendjen e përhershme, po bëhet një lloj i ‘Testit shumë të rëndësishëm’, se kush çka synon të bëjë, prej shteteve të Ballkanit Perëndimor, kur flitet për të ardhmen e vet në Evropë dhe në Perëndim. ©klankosova.tv *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.