‘A ju kemi thënë?’ 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 25.09.2023 16:58 25.09.2023 16:58 ‘A ju kemi thënë?’ Nuk ka fjali më të shkurtër, më të qartë dhe më të saktë me të cilën autoritetet e Kosovës mund të ofrojnë shpjegimin e tyre për ngjarjet e kësaj të diele, me 24 tetor, në komunikimin me politikanët dhe diplomatët perëndimor. Natyrisht, në fund të saj mund ta shtojnë një tjetër fjali: ‘Por ju, nuk na besonit’. S’ka kurfarë dyshimi që ajo çfarë ndodhi një ditë më parë, në fshatin Banjskë të komunës së Zveçanit, do të ndikojë në mënyrë të ndjeshme që naracioni i Prishtinës zyrtare të fitojë në peshë, dhe që ai i Beogradit zyrtar të pësojë një rënie të madhe. E naracionet në politikë mund të kenë vlerë vendimtare. Këtë e dimë të gjithë ne. Veçmas muajve të fundit. Kësaj here pra, ky sulm ndaj forcave të rendit të Kosovës, i cili këtupari por edhe në Perëndim u kualifikua njëzëri si ‘akt terrorist’ (por që lirisht do të mund të cilësohej dhe si rebelim i armatosur, apo edhe si agresion i Serbisë mbi territorin e Kosovës), nuk solli me vete asnjë fije dyshimi se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Situata është brutalisht e qartë, dhe ajo njeh vetëm dy ngjyra në përshkrimin dhe analizën politike: bardh dhe zi. Paralajmërimet që diçka e tillë mund të ndodhë në Veriun e Kosovës, shkojnë prapa, si këtu ashtu edhe në Perëndim, që prej ditëve të para të fillimit të luftës në Ukrainë. Dihet pse. Pastaj, që prej majit të këtij viti e tutje, ishin shenjat evidente se në ç’drejtim mund të destabilizohet gjendja e sigurisë në këto anë të Kosovës. Në përleshjen e grupeve radikale serbe me ushtarët e KFOR-it, për herë të parë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, patëm mbi 90 trupa të KFOR-it që u lënduan lehtë dhe rëndë. Në ditët vijuese, forcat speciale serbe kidnapuan tre polic të Kosovës, të cilët u liruan vetëm pas një presioni të madh ndërkombëtar. Shpërthimin e bombave të ndryshme në Veri, duket se kush më nuk e numëron që nga vjeshta e vitit të kaluar. Megjithatë, kulminacioni i kësaj fushate për ta shndërruar Veriun e Kosovës në zonë të kërcënimeve të vazhdueshme të sigurisë, u shënua këtë të diele me daljen në skenë të këtij grupi të armatosur deri në dhëmbë (si thuhet), me pamjet të cilat për brezin që e mbanë në mend luftën në Kosovë, nuk ka si të mos i kujtojë njësitë speciale serbe të cilat bënin kërdinë në të katër anën e këtij vendi. Me siguri, në ditët vijuese do të zbardhen shumë detale të tjera që do të dëftojnë se kush dhe si e organizoi këtë grup, çfarë ndodhi që i gjithë operacioni mori kahjen të cilën vështirë që e kanë dëshiruar ata që e organizuan ate, dhe mbi të gjitha, cili është roli i Serbisë në gjithë këtë rrëfim. Sepse, askush nuk ka dyshime që kush në të vërtetë qëndron prapa këtij zhvillimi, që risolli Kosovën në kryelajmet ndërkombëtare, pas atyre që kanë të bëjnë me luftën në Ukrainë. Pesë muaj para kësaj përleshjeje të armatosur në mes të Policisë së Kosovës dhe këtij grupi terrorist, apo, me 24 prill, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pati dalë me një deklaratë, duke ofruar interpretimin e tij të zgjedhjeve për pushtetin lokal në katër komunat e Veriut, të cilat u karakterizuan, si dihet, me bojkotimin e tyre nga popullata lokale, i cili u urdhërua nga ai, dhe u ekzekutua nga strukturat e tij paralele në Kosovë. Pos argumenteve të zakonshme të tij të servuara në të gjithë ‘kalibrat’ e tij politik, Vuçiq për herë të parë, doli me një konstatim që ishte rrënqethës dhe i rrezikshëm njëkohësisht. Ai pohoi që pas këtyre zgjedhjeve, po fillon okupimi i Veriut të Kosovës, teksa populli serb do të gjej mënyra për t’i rezistuar këtij okupimi. Që ky konstatim nuk ishte i rastësishën, u kuptua edhe më pas, kur jo vetëm ai, por edhe figurat tjera kryesore të ’Listës Serbe’, e përsëritën ate. Shumë herë, madje. Nuk ka si të mos vendoset lidhja e drejtpërdrejtë në mes të këtij vlerësimi të Vuçiqit, të thënë pesë muaj më parë, dhe ngjarjeve të djeshme në fshatin Banjskë të Zveçanit. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.