A jemi gati ta ndërtojmë Kosovën e vitit 2040, apo do të mbesim në vitin 1999? 123 string(13) "Dardan Sejdiu" string(69) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2025/12/Dardan-Sejdiu.-1.jpg" nga Dardan Sejdiu 18.12.2025 12:46 18.12.2025 12:46 Kosova po e nis dekadën e tretë të pasluftës me një pyetje të rëndë që ende mbetet pezull: Çfarë shteti, saktësisht, po përpiqemi të ndërtojmë? Nëse i vini veshin politikës sonë ditore, krijohet përshtypja se projekti madhor i Republikës është thjesht fitimi i debateve të vjetra, atyre të para dhjetë apo njëzet viteve. Fjalori ndërrohet, fytyrat në televizion rrotullohen, por skenari mbetet kokëfortësisht i njëjti. Mbrohemi, akuzojmë, arsyetohemi, rihapim betejat e së djeshmes dhe premtojmë rregullimin e padrejtësive të kaluara. Ajo që rrallë bëjmë, është të përshkruajmë qartë dhe konkretisht vendin ku duam të jetojmë pas pesëmbëdhjetë vitesh dhe rrugën që na çon deri atje. Askush nuk e tregon seriozisht dhe me vendosmëri inxhinierinë e ndërtimit të së ardhmes. Ndërkohë, realiteti dhe koha ecin pamëshirshëm. Kosova ka një popullsi të re, një diasporë të integruar në ekonomitë më të avancuara të botës, qasje në tregjet evropiane dhe një shoqëri shumë më të kthjellët politikisht sesa i njihet merita. E megjithatë, modeli ynë i zhvillimit është i brishtë, për të mos thënë i paqëndrueshëm. Produktiviteti është i ulët, deficiti tregtar i lartë dhe kronik, ndërsa vendet cilësore të punës krijohen jashtë Kosovës, jo brenda saj. Në këtë sfond, sistemi pensional dhe ai shëndetësor po shkojnë symbyllur drejt një muri demografik. Rreziku nuk është ndonjë kolaps dramatik; këtë e kam theksuar disa herë. Rreziku është diçka më e heshtur dhe, në disa aspekte, më e rrezikshme: një tjetër dekadë e çuar dëm, me ngecje ekonomike, emigrim të përhershëm dhe një politikë të ngujuar në kampet e konfliktit të djeshëm. Nëse duam rezultat tjetër, na duhet një rrugë tjetër. Një rrugë që me vetëdije largohet nga menaxhimi i përhershëm i krizave dhe fokusohet te ndërtimi i së ardhmes. Nga “skena krizash” te sensi i drejtimit Për pjesën më të madhe të pasluftës, Kosova ka funksionuar në “regjim krizash”. Herë kriza ishte kushtetuese, herë diplomatike, herë politike e herë ekonomike, dhe kohëve të fundit, shpesh të gjitha bashkë. Ky mentalitet, fatkeqësisht, i ka formësuar edhe institucionet tona. Jemi bërë të shkathët në reagim, improvizim dhe mbijetesë. Por çalojmë rëndë në planifikim, në vendosjen e prioriteteve dhe në zbatimin afatgjatë. Jemi pa plan, pa kondicion dhe pa durim strategjik. Nëse synojmë standarde jetese të ngjashme me Evropën, menaxhimi i krizave nuk mjafton. Na duhet ajo që kishin vendet e tjera të suksesshme në zhvillim: një sens i qartë drejtimi dhe një shtet i aftë që nuk frikësohet nga ambicia. Një shtet që e mundëson zhvillimin, në vend se vetëm të administrojë mungesat dhe të shpërndajë ndihma sociale. Kjo kërkon ndryshim të rrugës, jo thjesht rregullim të shpejtësisë. Së pari, Kosova duhet të prodhojë më shumë nga ajo që konsumon dhe të eksportojë më shumë nga ajo që prodhon. Nuk ka prosperitet të qëndrueshëm nëse importojmë përherë ushqimin, mobiliet, materialet ndërtimore dhe inputet industriale, ndërsa eksportojmë shumë pak. Remitencat dhe ndihmat e kanë zbutur dhimbjen, por nuk e kanë shëruar problemin strukturor. Së dyti, shteti duhet të heqë dorë nga iluzioni bipolar se ose mund të kontrollojë gjithçka, ose nuk duhet të merret fare me asgjë. Vendet e zhvilluara nuk u pasuruan duke ia lënë krejt tregut të lirë, e as duke futur çdo gjë nën kontroll të drejtpërdrejtë politik. Ato ndërtuan shtete funksionale që investuan në aftësi, infrastrukturë dhe sektorë strategjikë derisa këta u rritën, e më pas u hapën gradualisht kur prodhuesit vendorë ishin gati për konkurrencë ndërkombëtare. Së treti, mbrojtja sociale duhet trajtuar si siguri produktive, jo si lëmoshë. Njerëzit marrin rreziqe, investojnë dhe zgjedhin të qëndrojnë në vendin e tyre vetëm kur besojnë se një sëmundje, papunësia apo pleqëria nuk do t’i rrënojë plotësisht. Një sistem pensional dhe shëndetësor kredibil, bashkë me rrjetet bazike të sigurisë shoqërore, nuk janë luks që vjen pas zhvillimit, por janë vegla për zhvillim. Dhe për fund, politika duhet gjykuar nga rezultatet, jo nga zhurma në media. Akuzat e mëdha e të shpeshta nuk janë tregues zhvillimi. Në thelb, ajo që po propozoj është një paketë zhvillimore. Unë po e quaj “Paradigma e Re e Kosovës”. Është qëllimisht anti-populiste, sepse britmat nuk ndërtojnë fabrika. Është anti-militante, sepse mobilizimi i përhershëm rreth konflikteve të vjetra e rraskapit shoqërinë. Është anti-elitiste, sepse në një vend të vogël, çdo strategji që funksionon vetëm për një grup të ngushtë është e destinuar të dështojë për të gjithë. Dhe po, besoj fort se është edhe mbi-partiake. Qeveritë mund të mos pajtohen për instrumentet dhe shpejtësinë, por busulla duhet të mbetet e njëjtë: më shumë prodhim, më shumë eksport, më shumë siguri, më shumë kapacitet shtetëror. Si përkthehet kjo në praktikë, përtej sloganeve për “reforma” që të gjithë thonë se i mbështesin? Në thelb: Tre motorë zhvillimi Kosovës i duhen tre motorë që punojnë në sinkron. Të prodhojmë më shumë, të shesim më shumë Motori i parë është industrializimi serioz dhe orientimi kah eksporti. Vendet që e ngushtuan hendekun me ekonomitë e pasura nuk e bënë këtë duke u mbështetur vetëm në shërbime me vlerë të ulët. Ato ndërtuan ndërmarrje që e shndërrojnë lëndën e parë dhe dijen në produkte e shërbime me vlerë të shtuar, e pastaj i shesin ato përtej kufijve. Në Kosovë kjo do të thotë të ndalemi së trajtuari industrinë si term nostalgjik dhe të fillojmë ta trajtojmë si sfidë financiare, inxhinierike dhe dizajni. Sot, shumica e prodhuesve janë biznese të vogla e të mesme. Janë tepër të vogla për makineri efikase, procese të standardizuara apo për të negociuar logjistikë të lirë. Nga ana tjetër, bankat ofrojnë kredi afatshkurtra dhe kërkojnë hipotekë për çdo gjë. Zonat “industriale” shpesh janë thjesht parcela toke pa infrastrukturë të plotë, jo mjedise të integruara prodhimi. Eksportuesit përballen shpesh të vetëm me certifikime, standarde dhe dogana. Pas 25 vitesh, ky rezultat nuk është dështim moral; është kurth strukturor. Zona industriale të mirëfillta, me energji stabile e gradualisht më të gjelbër, logjistikë dhe qendra trajnimi brenda, duhet të plotësohen me një mekanizëm për financim afatgjatë. Ky kapital / financim përfshin shfrytëzimin e një përqindjeje të rregulluar të Trustit Pensional për të financuar infrastrukturën prodhuese nën rregulla rigoroze profesionale. Gjithashtu, duhet ofruar shërbime të përbashkëta për grupe biznesesh (clusters) për certifikim, eksport dhe teknologji, në vend të subvencioneve kuturu. Mbi të gjitha, duhet të përcaktohen disa sektorë prioritarë, ku energjia e shtetit, arsimi dhe financat rreshtohen në të njëjtin drejtim. Nëse e bëjmë këtë me konsistencë për një dekadë, struktura e ekonomisë fillon të ndryshojë. Pesha e prodhimit vendor dhe e përpunimit në BPV rritet, deficiti tregtar tkurret nga sëmundje kronike në gjendje të menaxhueshme, dhe pagat rriten sepse është rritur vlera e punës. Kjo nuk është punë spektakolare për rrjete sociale. Por është vija ndarëse mes vendeve që mbesin të varura dhe atyre që fitojnë sovranitet real ekonomik. Eksporti i dijes, jo vetëm i njerëzve Motori i dytë është ekonomia digjitale dhe e shërbimeve, që mund të rritet shumë më shpejt se industria e rëndë dhe të lidhet me botën pa pasur nevojë për porte detare. Kosova tashmë eksporton qindra miliona euro shërbime çdo vit, në IT, BPO (procese biznesi) dhe shërbime të tjera profesionale, kryesisht falë iniciativës private. Të rinjtë kosovarë punojnë për Berlinin, Londrën e Nju Jorkun. Shpesh e bëjnë këtë pavarësisht sistemit, jo falë tij. Pengesat janë të njohura: Arsimi prodhon kuadro pa koordinim me tregun. Ligji i punës dhe rregulloret ende supozojnë orarin fiks 9–5 në zyrë, jo botën fleksibile dhe “remote”. Bankat ende kërkojnë tulla e tokë për kolateral. Zgjidhja kërkon që shërbimet të trajtohen si eksport strategjik, jo si aktivitet periferik i “kullerave”. Kjo nënkupton një angazhim kombëtar për aftësitë digjitale, që lidh shkollat, universitetet, akademitë private dhe kompanitë në një zinxhir të vetëm. Më tej, duhen krijuar zona të dedikuara shërbimesh digjitale, me infrastrukturë të dizajnuar për punë në distancë dhe klientë globalë. Për këtë, duhet siguruar rregulla tatimore të thjeshta e të parashikueshme për një horizont dhjetëvjeçar, si dhe kapital i durueshëm që njeh vlerën e aseteve jomateriale. Me disiplinë, Kosova mund të gjenerojë miliarda euro nga eksporti i shërbimeve brenda dekadës së ardhshme. Kjo rrit pagat, frenon ikjen e trurit dhe e bën ekonominë më rezistente, sepse po shesim mend dhe organizim, jo vetëm kilovatë dhe kilogramë. Alternativa është e dhimbshme dhe shumë e njohur për ne, vazhdojmë të trajnojmë rininë tonë vetëm për ti përshëndetur në aeroportin “Adem Jashari”. Tranzicioni i gjelbër si avantazh konkurrues Motori i tretë është më i keqkuptuari. Për shumëkënd, “agjenda e gjelbër” tingëllon si slogan luksi i Brukselit, i shkëputur nga hallet tona të përditshme. Në realitet, energjia është në zemër të problemit tonë ditor. Termocentralet e vjetra me linjit dhe çmimet e importit janë të faturuara në çmimin e bukës, në qiranë e furrave dhe në buxhetin e çdo familjeje. Kur importojmë rrymë me çmime piku, faturën e paguajmë të gjithë. Dhe nuk është vetëm rryma. Vlerësohet se ndotja e ajrit në Kosovë shkakton çdo vit qindra vdekje të parakohshme dhe një kosto ekonomike qindra milionëshe, para që humben në spitale në vend se të shkojnë në investime. Në të njëjtën kohë, Bashkimi Evropian po i mbyll gradualisht dyert për produktet e prodhuara me energji të ndotur. Pra, nuk bëhet fjalë vetëm për ajrin që thithim, por edhe për tregjet ku duam të shesim. Kosova ka dy rrugë. Të zvarritet, duke arnuar termocentralet e vjetra dhe duke shpresuar që BE-ja t’i mbyllë sytë. Ose ta trajtojë këtë si mision zhvillimor. Mision zhvillimor do të thotë zëvendësim gradual të brishtësisë me siguri, përmes burimeve të ripërtëritshme, kapaciteteve fleksibile dhe baterive; luftim të shpërdorimit përmes efiçiencës në banesa dhe industri; dhe ndërtim zinxhirësh vendorë të furnizimit, në mënyrë që paratë për panele solare dhe izolim të mbesin sa më shumë brenda ekonomisë sonë. Nëse bëhet mirë, kjo ul koston reale të energjisë në afatin kohor afatmesëm, forcon sigurinë energjetike dhe i jep industrisë sonë një kartë të fortë në Evropë. Nëse bëhet keq, na garanton kriza të përsëritura, varësi dhe izolim ekonomik. Një kontratë e re shoqërore Asgjë nga këto nuk funksionon nëse politika mbetet e bllokuar në teatrin e konfrontimit afatshkurtër. Një paradigmë e re zhvillimi kërkon një kontratë të re shoqërore. Qytetari merr pjesë në ekonomi, punon, paguan kontributet dhe investon në dijen e vet. Në këmbim, shteti garanton se puna e ndershme çon në pension të dinjitetshëm, shëndetësi funksionale dhe mundësi reale përparimi në atdhe. Kjo kërkon vendosjen e prioriteteve të qarta kombëtare (si industrializimi, digjitalizimi dhe energjia) që nuk ndryshojnë sa herë ndërrohen qeveritë. Duhet krijuar një qendër qeverisëse që harmonizon buxhetet dhe rregullat me këto misione, duke iu përmbajtur prioriteteve të vendosura, e jo zhurmës së konflikteve të vjetra. Gjithashtu, nevojitet një njësi profesionale për zbatim (delivery unit) e cila mat rezultate, jo fjalë. Dhe së fundmi, një Trust Pensional që sillet si investitor strategjik në të ardhmen e vendit, jo thjesht si një qese e madhe parash për fondet e huaja. Kjo nuk është utopi teknokratike ku politika zhduket. Është thjesht ngritje e standardit të seriozitetit në qeverisje. Zgjedhja para nesh: 2040 apo 1999? Sidoqoftë, ne mund të vazhdojmë të jetojmë në të kaluarën, duke e organizuar politikën rreth “armiqve” dhe ankesave të vjetra, me shpresën se zhvillimi vjen vetvetiu. Ose mund të vendosim që dekada e tretë e lirisë të jetë ndryshe; që politika të matet me aftësinë për të ndërtuar shoqëri zhvillimore dhe jo vetëm tregime viktimizimi. Rruga përpara nuk është magji. Rruga përpara kërkon parqe industriale që funksionojnë, reforma në arsim, rregullatorë të “mërzitshëm”, qeverisje korporative në ndërmarrjet publike, financa strategjike për prodhuesit vendor, sektor strategjik të identifikuar dhe përkrahur, investime të mençura të Trustit dhe durim. Asnjëra nga këto nuk bëhet virale në TikTok. Por kështu rriten shtetet serioze. Ato nuk besojnë se zhvillimi është fat, por fillojnë ta trajtojnë si plan pune. Kosova ende ka kohë. Pyetja është: a jemi gati t’i ndalim betejat e vjetra mjaftueshëm gjatë, sa për të ndërtuar diçka që do të ketë vlerë në vitin 2040?