Fakti NATO në Kosovë dhe në rajon 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 22.05.2021 10:32 22.05.2021 10:32 Gjatë vizitës së tij zyrtare në Pragë, në kryeqytetin e Republikës së Çekisë, e cila ndodhi pak ditë më parë, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, mori një ‘dhuratë’ politike dhe diplomatike nga nikoqiri i tij, Presidenti Miloš Zeman, në trajtë të kërkim faljes, në emrin e tij, për fushatën ajrore të Aleancës Veri-Atlantike, të pranverës së vitit 1999, në Kosovë dhe në Serbi. Miloš Zeman në atë kohë ka qenë Kryeministër i Çekisë, e cila me 12 mars të atij viti (1999), apo, vetëm 12 ditë para se të niste kjo fushatë, së bashku me Poloninë dhe Hungarinë u bë pjesë përbërëse e Paktit NATO. Zeman e vlerësoi si gabim të madh, që e tejkalon madje një krim, këtë luftë ajrore të NATO-s, të cilën, vetëm pak javë më parë, Ambasadorët e SHBA-së dhe të Gjermanisë në Beograd (Serbi), e cilësuan si veprim të domosdoshëm për parandalimin e gjenocidit në Kosovë. Fushata ajrore e Aleancës Veri-Atlantike e pranverës së vitit 1999, siç na kujtohet të gjithë neve, pati koinciduar me shënimin e 50 vjetorit të krijimit të Paktit NATO, në vitin 1949, me qëllim të shpëtimit ushtarak dhe politik të Evropës nga Bashkimi Sovjetik, i cili arriti t’i dyzojë dy procese shumë të rëndësishme ushtarake: Çlirimin nga Gjermania naziste të shumë shteteve në pjesën Qendrore dhe Lindore të Evropës, me okupimin nga Bashkimi Sovjetik komunist të këtyre shteteve. Po mos të themelohej, prej SHBA-së, Pakti NATO, dhe sikur mos të ishte krijuar, nga Administrata e Presidentit Truan, Fondi Marshall, nuk do të ndodhte një herë mëkëmbja ekonomike e Evropës, dhe së dyti, nuk do të garantohej paqja dhe siguria afatgjatë e Evropës. Po mos të ishte SHBA-ja me Aleancën Veri-Atlantike, dhe me këmbënguljen e vet për ta fituar ‘Luftën e Ftohtë’ në atë përballjen titanike ushtarake dhe politike me Bashkimin Sovjetik dhe Paktin e Varshavës të krijuar prej tij, kurrë nuk do të ndodhte bashkimi i Evropës (pas vitit 1989), kurrë nuk do të çliroheshin shtetet e okupuara prej Bashkimit Sovjetik, dhe natyrisht, asnjëherë nuk do të mund një politikan çfarë është Miloš Zeman të bëhej President i Çekisë. Dhe Zeman, gjithashtu, nuk do ta kishte mundësinë që ta priste në takim homologun e tij të Serbisë dhe të shprehej ashtu siç bëri, për fushatën e Paktit NATO. Zeman del kështu një President apo një politikan, që nuk e njeh historinë e vendit të tij dhe të Evropës të gjysmës së dytë të Shekullit XX, dhe po ashtu, ai, kur me një deklaratë të vetme pendesë kërkon falje për fushatën e Aleancës Veri-Atlantike të vitit 1999, njëkohësisht i jep mbështetje të gjitha tragjedive të shkaktuara nga forcat serbe në Kosovë, në vitet 1998, 1999. Mos të harrojmë që Serbia e atëhershme ka qenë ajo që ka kundërshtuar Marrëveshjen Paqësore të ofruar në Konferencën e Rambouilletit. 2 Ky është një konkludim fare i logjikshëm: Kushdoqoftë që kundërshton luftën e NATO-s në Kosovë, në pranverën e vitit 1999, ai e njeh të drejtën e Serbisë së Slobodan Miloševićit, për ta kthyer gjithë Kosovën në arkipelag të varreve masive. Dhe anasjelltas. Ashtu siç edhe është pritur, deklarimi i Zemanit (ndryshe, Presidentit Çek i cili në vet politikën e këtij shteti cilësohet si një politikan pro-rus që nuk mbrojti pozicionin e shtetit të vet në konfrontimin e fundit të spiunazhit me Federatën e Rusisë), për një ngjarje madhore të historisë së re të Kosovës dhe të Paktit NATO, u përcoll me një eufori politike dhe mediatike në Serbi, madje, edhe me paralajmërime që Zeman nuk do të mbetet i vetmi, ndër politikanëh dhe diplomatët e shteteve anëtare të Aleancës Veri-Atlantike, i cili do të shpreh pendesën dhe kërkim faljen për fushatën e Paktit NATO të vitit 1999. Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vučić, përndryshe, para se të pritej nga Miloš Zeman në Pragë, pati takim në Bruksel me Jens Stoltenbergun, Sekretarin e Përgjithshëm të Paktit NATO. Para se të bisedonte me Stoltenbergun, Vučić, me atë qasjen e tij të rëndomtë të krijimit të krizave artificiale politike dhe diplomatike, paralajmëroi që së shpejti ’një shtet i fuqishëm do ta inicojë largimin e KFOR-it dhe të UNMIK-ut nga Kosova’. Kushdo që ka fare pak dije për mënyrën se si janë krijuar Misionet e KFOR-it dhe të UNMIK-ut në Kosovë, në muajin qershor të vitit 1999, e di që kjo ka ndodhur me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (10 qershor, 1999), që kjo Rezolutë është në fuqi sot e kësaj dite, dhe që ajo do të zëvendësohet me një Rezolutë të re të instancës më të lartë ndërkombëtare, kur të arrihet Marrëveshja Gjithpërfshirëse në mes të Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të këtyre dy shteteve. UNMIK nuk ka farë roli në Kosovë që prej se Kosova është bërë shtet i pavarur, ndërsa KFOR mbetet, si Mision ushtarak, garantuesi final i sigurisë dhe stabilitetit në Kosovë, e cila gjë i është rikujtuar autoriteteve më të larta të Serbisë në disa raste viteve të fundit (në vitet 2017 dhe 2019). KFOR, sipas të gjitha gjasave, do të qëndrojë këndejpari, jo vetëm derisa të ndodhë Normalizimi i marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë (pas nënshkrimit të Marrëveshjes eventuale ligjësisht obligative midis autoriteteve më të larta të dy shteteve), por forcat e KFOR-it do ta përcjellin edhe ndërmarrjen e shumëpritur të nënshkrimit të PFP-së (Partneritetit për Paqe), në mes Kosovës dhe Aleancës Veri-Atlantike, dhe vet anëtarësimin e Kosovës në NATO. Në përgjithësi, historia e angazhimit të NATO-s në Kosovë (më para, edhe në Bosnjë dhe Hercegovinë), shfaqet si ai vendimi kyç i SHBA-së dhe i Evropës, për t’i ndalur luftërat e njëpasnjëshme në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor, dhe për t’i krijuar rrethanat që në Kosovë të vendoset paqja, të inicohet ndërmarrja e krijimit të pushtetit demokratik, dhe e zgjidhjes së çështjes së Kosovës. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.