1999: Një dialog civil lufte për granata, masakra dhe bukë 123 string(12) "Gazmend Syla" string(65) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2023/01/gazmend-syla.jpg" nga Gazmend Syla 25.04.2024 15:34 25.04.2024 15:34 Gazmend Syla Bare, Shalë e Bajgorës, fundprill i vitit 1999. Një shi i imët e i ftohtë, që në momente duket se trashet për t’u shndërruar në fjolla bore, e bën edhe më të zymtë e më të mërzitshme ditën, edhe ashtu të rëndë e të pashpresë në këtë fshat. Dy burra, ish minatorë të Trepçës, kanë dalë në oborrin e një shtëpie të djegur, muaj më pare, gjatë një ofensivë të forcave serbe. Me sy e me veshë janë nga Vidishiqi, një katund matanë majës së malit, pas lagjes së tyre. Atje, pareshtur e pamëshirshëm, bien granata me të cilat Serbia sulmon UÇK-në dhe civilët në këtë zonë. “Pasha Zotin mu ka mush menja qi 10 santin (cm) e kanë ungj Gradinën, qaq shum qi e kan granatue”, thotë njëri nga ta, rreth 50 vjeç, baba i 6 fëmijëve. Gradina është një mal që i vjen si njëfarë mburoje Vidishiqit. “Shuj bre allahile!”, i thotë kusheriri i tij, disa vite më i vjetër. “Qysh ungjet gjith ajo bjeshk? Krejt granatat që i ka Serbia me i gjujt s’ka qa i ban Gradinës!” “Tybe po! Masanej kan me ja nis kah na, e kan me na ba rrafsh me tokë edhe neve në Bare”, vazhdon i pari. Ai dridhet teksa flet, si pasojë e etheve të luftës por edhe e të ftohtit deri diku të pazakonshëm të prillit, në Shalë. “Mos u tut qikaq shumë he burrë! Ma zi se thmija po bahesh! Maj ymyt n’Zot e n’djemt tanë”, i thotë i dyti. Edhe njëri dhe tjetri kanë djem në UÇK, të cilët në këtë ditë, sikur edhe shumë muaj më herët, janë duke luftuar forca e Serbisë nëpër pika të ndryshme të Zonës së Shalës së Bajgorës. Ashiqare që i pari ka goxha arsye për sikletin e tij. Granatimet kanë zgjatur shumë. Shpresat e tij për të shpëtuar gjallë janë të imëta, edhe nëse predhat pushojnë. “Mos na mytshin granatat, kanë me ardh, me na nxan t’gjallë e me na masakrue”, insiston ai. “Eu tvraft aj Zot, po qysh vec zi po mënon!”, i thotë kushëriri i tij. Ky, megjithatë, e ka zor të gjejë argumente që këmbësoria serbe nuk do të vijë edhe në Bare, pas Vidishiqit, kur t’i ndal granatimet. Por, ai ka besim të madh se nuk do t’i zënë të gjallë këta dy dhe familjet e tyre. “N’ardhshin kamsoria na ikum. Gjan e gat janë Barja e Shala. Tyben n’tum kan nxan t’gjallë kurrë. Veç n’kofsha budall me ju nejt gaditun tuj i prit”, thotë ai. Por, i pari, nuk lëshon pe hiq në pesimizmin e tij. “Ani pra, po mos t’na masakrofshin, kena me dek uni”, vazhdon ai që me të drejtë aludon në mungesa drastike të ushqimit për banorët që kanë mbetur këndej pari, por edhe në pothuajse krejt pjesët tjera të Kosovës. “T’u thaftë goja”, i thotë i dyti. “Hajt se kush s’u dek uni dej sot, as n’luftë. E qon Zoti bukën, kah se menojna hiq”. As kjo nuk është ngushëllim për pesimistin. “Ti thuej qa t’duesh, po un s’kam trohë ymyti qi pshtojmë najqysh. Ja kena me dek pej granatave, ja kan me na masakrue, ja kena me dek uni!”, ngul këmbë i pari. … Serbët kanë hyrë këmbë në Bare, pak ditë më vonë, po minatorët nuk i kanë zënë dot. Këta nuk kanë vdekur as nga uria. Të dy i shpëtuan luftës, pa familjarë të vrarë, të plagosur ose të humbur, po me gjithçka tjetër të djegur e shkatërruar. Njëri nga ta, më i moshuari, ka vdekur 10 vjet pas lufte nga një sulm rrufe në zemër. Tjetri vazhdon ende ta shijojë humbjen poshtëruese të Serbisë dhe lirinë madhështore të Kosovës, të fituar falë luftës së UÇK-së dhe ndërhyrjes e NATO-s. Nganjëherë del te vendi i 25 vjetëve më parë, ku e kur nuk besonte që dita tjetër nuk do ta gjente të gjallë. Me shumë siguri, i sjell në mendje kujtimet e asaj kohe. E ndoshta, edhe qesh me vete, për sikletin pesimist, mbase te ekzagjeruar të atij fundprilli.