15 Teza për Historinë e Kosovës - Klan Kosova


Na ndiqni në:


Get it on Google Play Download on the App Store

15 Teza për Historinë e Kosovës

123
string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg"
24.03.2021 09:53

Këtë të mërkurë, më 24 mars, shënojmë 22 vjetorin e fillimit të Fushatës ajrore të Aleancës Veri-Atlantike për çlirimin e Kosovës.

Në rikujtimin e kësaj ngjarjeje madhore, njërës prej atyre që përkufizon në mënyrë thelbësore historinë e Kosovës, mbase ia vlen të bëhet një lloj i Rekapitulimit të shkurtër të historisë së Kosovë, që prej vitit 1912, deri në vitin 2008, duke pasur si Pikë të Parë, fillestare, atë kulminacionin e kësaj historie, apo, 17 shkurtin e vitit 2008, kur Kosova u bë shtet i pavarur. 

 

  1. Kosova nuk do të bëhej shtet i pavarur, më 17 shkurt të vitit 2008, pa Propozimin Gjithpërfshirës të statusit të Kosovës të përgatitur nga Presidenti Ahtisaari, me 26 mars të vitit 2007, pas 14 muajsh të bisedimeve në mes të Delegacioneve të Kosovës dhe të Serbisë, në kuadër të Procesit të Vienës dhe atij të Trojkës së Emisarëve Special të SHBA-së, BE-së dhe Federatës së Rusisë.  
  2. Ndërmarrja ndërkombëtare për adresimin e statusit të Kosovës, nuk do të niste, pa emërimin e Presidentit Ahtisaari, me 10 nëntor të vitit 2005, Emisar Special për statusin e Kosovës të Kofi Annanit, Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së.
  3. Martti Ahtisaari nuk do ta merrte këtë detyrë nga Kofi Annani, pa një unitet të krijuar në Grupin e Kontaktit për domosdoshmërinë e zgjidhjes së çështjes së statusit të Kosovës, i cili do të shprehet edhe me miratimin e Dhjetë Parimeve Prijëse të Grupit të Kontaktit, me 2 nëntor të vitit 2005, në Washington. 
  4. Faza e adresimit të statusit të Kosovës nuk do të vinte në Rend të ditës pa shterrjen e Administratës Ndërkombëtare në Kosovë  (UNMIK-ut), të krijuar me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, me 10 qershor të vitit 1999. Domosdoshmëria e zgjidhjes së statusit të Kosovës u shfaq edhe përmes pasojave të trazirave të 17/18 marsit të vitit 2004, si dhe në vijim të Planit ‘Standardet para Statusit’ të Michael Steinerit, Kryeadministratorit të Kosovës, në pranverën e vitit 2002. Me Steinerin, përmbushja e këtyre Standardeve, që duhej të hapte udhë për pavarësinë e Kosovës, lidhej edhe me konceptin e decentralizimit të pushtetit në Kosovë, në mbrojtje të interesave të komunitetit serb në Kosovë. 
  5. Administrata Ndërkombëtare në Kosovë  (UNMIK-u), në qershorin e vitit 1999, nuk do të vendosej në Kosovë, pa kapitulimin ushtarak të Serbisë  (RFJ-së) para Aleancës Veri-Atlantike  (Paktit NATO), të kodifikuar me Marrëveshjen Teknike-Ushtarake të Kumanovës, të nënshkruar me 9 qershor.
  6. Marrëveshja teknike-ushtarake e Kumanovës nuk do të arrihej pa fushatën ajrore 76 ditëshe të forcave të Aleancës Veri-Atlantike, e cila nisi në ora 8 të mbrëmjes, me 24 mars të vitit 1999.
  7. Kosova nuk do të mund të çlirohej nga Serbia pa Luftën e Paktit NATO në pranverën e vitit 1999.
  8. Fushata e Aleancës Veri-Atlantike nuk do të mund të niste me 24 mars të vitit 1999, pa Nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambouilletit  (të prodhuar në Konferencën Paqësore të Rambouilletit/ Parisit, me 6/23 shkurt, dhe 15/19 mars),  nga ana e Kryesisë së Delegacionit të Kosovës, në orët e mbrëmjes, me 18 mars të vitit 1999. 
  9. Nuk do të kishte pra luftë të Paktit NATO për Kosovën, dhe as çlirim të Kosovës  (me 20 qershor të vitit 1999), pa Konferencën e Rambouilletit dhe pa Nënshkrimin e Marrëveshjes së Rambouilletit nga Kryesia e Delegacionit të Kosovës, në përbërje: Hashim Thaçi, Kryetar i Delegacionit, Dr.Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja dhe Veton Surroi, Anëtarë të Kryesisë së Delegacionit.  
  10. Nuk do kishte Konferencë Paqësore për Kosovën, në Rambouillet të Francës, pa Luftën e UÇK-së, pa sakrifikimin e mijërave shqiptarëve të Kosovës, pa vullnetin e tyre që të vdesin për çlirimin e Kosovës.
  11. Lufta e UÇK-së nuk do të mund të kishte mbështetje aq të madhe në Kosovë, dhe nuk do të mund të justifikohej në instancat më të larta ndërkombëtare, përkundër faktit që ka qenë luftën e drejtë, e domosdoshme dhe e pashmangshme, po mos t’i paraprinte kësaj lufte Lëvizja politike paqësore për pavarësinë e Kosovës, e krijuar në dimrin e viteve 1989/ 1990, nën udhëheqjen e Dr.Ibrahim Rugovës. 
  12. Lëvizja politike dhe paqësore për çlirimin dhe pavarësimin e Kosovës, nuk do të krijohej fare pa ‘Frymën e madhe’ të ndryshimeve në ish-RSFJ, pas dyndjes së Nacionalizmit serbo-madh, pas humbjes së statusit të autonomisë politike të Kosovës, në muajin mars të vitit 1989, dhe gjithsesi, pa Rënien e Murit të Berlinit  (9 nëntor, 1989), i cili paralajmëroi fundin e Komunizmit, të ‘Luftës së Ftohtë’ dhe të Rendit Ndërkombëtar të krijuar pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
  13. Kjo Lëvizje politike dhe paqësore nuk do të kishte themel legal dhe politik, pa Kushtetutën e Kosovës dhe të RSFJ-së të vitit 1974.
  14. Kjo Kushtetutë nuk do të miratohej ndonjëherë pa rezistencën e gjithëllojshme, legale dhe ilegale, të orientimit të djathtë dhe të majtë politik, pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, me Adem Demaçin si krye-emër, pa demonstratat e vitit 1968, pa dyzimin e lidershipit të atëhershëm të Kosovës me qarqet intelektuale të vendit.
  15. Shqiptarët e Kosovës kurrë nuk do të mund të mbërrinin deri te të gjitha këto ndryshimet thelbësore të fatit të tyre, në këtë hakun kohor prej vitit 1968-të deri në vitin 2008, (pra, për 40 vjet me radhë), po mos të mbijetonin, në të gjitha mënyrat e mundshme, që prej vjeshtës së vitit 1912, pa organizuar rezistencë ushtarake dhe politike, kur Kosova do të okuphej nga Serbia, deri në ato vitet  (e shtatëdhjeta të shekullit të kaluar), kur u krijuan rrethanat fillestare dhe minimale për nismën e procesit të artikulimit institucional të vullnetit politik të shqiptarëve të Kosovës. 

 

Secili prej këtyre kapitujve të veçantë të historisë së Kosovës, prej vjeshtës së vitit 1912, deri me 17 shkurtin e vitit 2008, ka pasë rol të vetin në këtë zingjirin e pakëputur të kësaj historie, ku mungesa e secilës prej këtyre hallkave, do ta bënte të pamundur përmbylljen e suksesshme të Lëvizjes së shqiptarëve të Kosovës për çlirimin dhe pavarësimin e saj.

Nuk ka dhe nuk mund të ketë interpretim tjetër të kësaj historie, nëse duam t’i mbetemi besnik të vërtetës politike dhe historike të shqiptarëve të Kosovës.

Në këtë kontekst, rrëfimi historik për shqiptarët dhe për Kosovën, për fatin e tyre, në këtë dimensionin themelor të tij, është i përmbyllur një herë e përgjithmonë. 

 

lajme të ngjashme