Filmi ‘Megalopolis’ i Francis Ford Coppola, ky film është Amerika 123 string(12) "Blerim Shala" string(82) "https://klankosova.tv/wp-content/uploads/2017/05/Blerim-Shala-1-e1620736305698.jpg" nga Blerim Shala 19.10.2024 10:44 19.10.2024 10:44 Blerim Shala ‘Bëji filmat në të njejtën mënyrë si i ka bërë Ingmar Bergman (regjisori i paharrueshëm suedez, vër.ime), me një grup të ngushtë të bashkëpunëtorëve, me skenarin që e ke shkruar vet. Në të kundërtën, do të përfundosh i shkërmoqur nga fakti që ti po i bën gjërat për të cilat nuk je i interesuar, me skenaret të cilat nuk i kupton më së miri, me mjetet të cilat ti nuk i aprovon. Pyetja është: A mund të bësh filma më të mëdhenj, si ‘Megalopolis’ ose ‘Cure’, në këtë mënyrë? Gjithsesi, faktor përcaktues është kasta (e aktorëve, vër.ime), sepse me kastën e bërë prej yjeve vjen edhe financimi…’. Kryefjala e mëparme është nxjerrë nga ditari personal i Francis Ford Coppola-s, regjisorit të madh amerikan, të datës 15 gusht të vitit 1992. 32 vjet më pas, në këtë vit (2024), Coppola, më në fund, shfaqi filmin ‘Megalopolis’ (premierën ‘Megalopolis’ e pati në Festivalin e Filmit në Cannes, në edicioinin e tij të 77-të), të cilin e nënshkruan si producent, si skenarist dhe si regjisor, teksa në ekipin e tij janë aktorët me nam të madh si Adam Driver, Giancarlo Esposito, Shia LeBeouf, Jon Voight, Lawrence Fishburne. I bëri të gjitha si deshti vet, apo, si paralajmëroi qysh në vitin 1992 në ditar, harxhoi 120 milionë dollarë të parave të veta (nga pasuria e tërësishme prej 500 milionë dollarëve, të cilën nuk e krijoi në kinematografi por me vreshtat dhe verën që e kultivon), teksa në fund hasi në kritika të ashpëra të Hollywood-it dhe njohësve të filmit, si dhe në dështim të madh komercial. ‘Megalopolis’ nuk i ka inkasuar as dhjetë milionë dollarë deri më tash, megjithë një pompoziteti të madh mediatik që e ka përcjellur me muaj të tërë, përkundër faktit që ky film është rezultat i përpjekjeve të Coppola-s në 47 vitet e fundit, edhe pse për njohësit e Coppola-s, që i ka mbushur 88 vjet të plota, ‘Megalopolis’ ka të ngjarë të jetë edhe vepra e tij testamentare. Autori i shumë filmave të cilët lanë gjurmë të thella dhe të pashlyeshme në kinematografinë e gjysmë shekulli të kaluar, (vetëm ‘The Godfather’ dhe ‘Apocalypse Now’ do të mjaftonin për këtë cilësim të trashëgimisë së tij artistike), së paku sipas deklaratave të tij të kohëve të fundit, nuk e ka ndërmend të dorëzohet: Ai po punon paralelisht në dy filma, të cilët synon t’i realizojë në vitet në vijim. Por, t’i kthehemi filmit ‘Megalopolis’. Coppola-s i shkrepi ideja për ta bërë një film të kësisojt qysh në vitin 1977, me qëllim për të ravijëzuar në kinema një paralele historike në mes të rënies së Perandorisë Romake dhe Republikës amerikane të kohës. Tjetër Botë ishte në fuqi atëherë. Krejt tjetër Botë. Nuk kishte fare shenja që Amerika do të mund të pësonte rënie të çfarëdoqofshme, e cila qyshdoqoftë do të mund të paralajmëronte atë muzgun e kësaj republike, njëlloj siç kishte ndodhur me Perandorinë Romake shumë shekuj më parë. Coppola asnjëherë nuk pati mbështetje të industrisë filmike për projektin e tij, teksa në 40 e më shumë vitet e kaluara, ndryshoi të thuash gjithçka. Vetëm Coppola mbeti i njejtë: Guximtar, kokëfortë, këmbëngulës, kreativ. Amerika, pra, një herë u ngjit në majet e pakrahasueshme të historisë së re, në fundshekullin e kaluar, Perëndimi u duk si anë e vetme që do ta sundojë Qytetërimin në shekullin XXI, argëtimi dhe kënaqësia mbizotëruan një kohë si ‘botëkuptim’ i vetëm në të katër anët e Rruzullit Tokësor, Hollywoodi u bë emër më i njohur se Washingtoni dhe New York. Natyrisht, McDonaldsi dhe Coca Cola u shtrinë gjithkund më shpejt dhe shumë më suksesshëm se sa demokracia dhe liberalizmi. Demokracia dhe liberalizmi shkojnë dhe vijnë, teksa McDonaldsi dhe Coca Cola mbeten. Në një ambient të këtillë, nuk kishte vesh në show business për rrëfimet afër-apokaliptike të Coppola-s, të cilat kishin zënë vend në skenarin e ‘Megalopolis’, duke e ndërlidhur disi atë dekadencën, degradimin dhe kalbjen e Perandorisë Romake me atë të Republikës Amerikane. Suksesi ishte gjithandej, në Amerikë dhe në Botë, e ky (Coppola), ëndërronte me sy çelur për një makth i cili nuk shihej dhe nuk venerohej askund. As në Amerikë dhe as në Perëndim. Gjërat, megjithatë ndryshuan. Për të keq. Madje, shumë për të keq. Këtë e dimë të gjithë ne. Por, rënia politike e Amerikës dhe e Perëndimit, e cila në politikë, që nga vitet 2014-2015, do të përcjellet me një Popullizëm të pashoq që nga ai i viteve të njëzeta dhe tridhjeta në Evropë (në Itali dhe në Gjermani, dihet në të cilat rrethana), në film dhe në muzikë nuk do të shfaqet me një ngadalësim të qarkullimit të suksesshëm financiar. Përkundrazi. Megjithatë, derisa në të kaluarën e Hollywood-it, ka mundur të ndodhë dyzimi i cilësisë dhe përfitimit (shembull i të të cilit ka qenë vet Coppola, tek e mbrama), duket se Popullizmi politik u shoqërua në film, TV dhe në muzikë (me pëjashtime shumë të rralla), me një banalitet masiv, vlera e vetme e të të cilit është pushtimi i xhepave dhe i kartelave bankiere të konsumatorit. Kështu pra, filmi ‘Megalopolis’ i Coppola-s, po të ishte bërë diku në vitet e tetëdhjeta të Shekullit XX, (ta zëmë), do ta bënte kërdinë në kinematë amerikane dhe të Perëndimit, dhe njëkohësisht, do të mirëpritej me notat më të larta të mundshme të kritikëve të filmit. Por jo tash pra, në vitin 2024. Këtë duket që nuk e ka ditur më para Coppola, apo, ai e ka kuptuar këtë në mënyrën më të keqe dhe më të dhimbshme. ‘Megalopolis’ është në esencë, filmi i huaj për këtë kohë, teksa poaq është film autentik për Amerikën dhe Perëndimin e sotëm. Paradoks në vete. Kur pati mbërri në Festivalin e Cannes-it, në vitin 1979, me filmin ‘Apocalypse Now’ (për të cilin ky mori Çmimin e Palmës së Artë), Coppola u pati deklaruar korit të gazetarëve: ‘Ky (‘Apocalypse Now’), nuk është film për Vietnamin. Ky film është Vietnami’ (dihet që filmi i dedikohej luftës amerikane në Vietnam i cili pati përfunduar vetëm pak vite më parë). Po të huazohej dhe përpunohej (pak), ky citat i Coppola-s, për filmin ‘Megalopolis’, ky do të mund të na drejtohej neve në këtë mënyrë: ‘Ky nuk është film për Amerikën. Ky film është Amerika’. Dhe nuk do të gabonte fare. Filmi ‘Megalopolis’ nisë me një thënie të naratorit e cila i ri mirë periudhave të rënies së Romës antike dhe Amerikës së tashme. Kështu, dëgjojmë dhe lexojmë: ‘Kur vdes një perandori, a ndodhë kolapsi në një moment të tmerrshëm? Jo, fundi i vjen një Perandorie kur njerëzit e saj nuk besojnë më në te…’. Cullen Murphy, shkrimtari dhe gazetari amerikan, autori i një libri shumë interesant të titulluar ‘Are We Rome’ (The Fall of an Empire and the Fate of America) (apo, në shqip, ‘A jemi ne Roma’, Rënia e Perandorisë dhe fati i Amerikës), në të cilin ky i analizon anët e përbashkëta të dy Perandorive (edhe pse presidentët e SHBA-së kurrë nuk kanë pranuar që janë në krye të një Perandorie), pos tjerash shkruan: ‘Pastaj, është një fakt shumë i thjeshtë i jetës: status quo kurrë nuk mbetet i tillë. Tukididi (Thucydides, historiani i famshëm helen) vërenë që Perandoritë nisin të bien kur ato pushojnë së zgjeruari.’. Në rastin e Perandorisë Romake kjo epokë (e rënies) na del përpara në shekujt tre, katër dhe pesë. ‘Secili aksion i Romës (në këtë hark kohor, vër.ime) për ta adresuar një problem urgjent, qoftë ai ushtarak, diplomatik, ekonomik dhe politik, krijonte probleme të pasynuara.’, shkruan sakt Murphy. Nëse këtu, në këtë citat të Murphy-t, zëvendësojmë Romën në Amerikën, a nuk do të mbërrihej po në të njejtin përfundim, për gjendjen e sotme të SHBA-së, si brenda vetes ashtu edhe jashtë, në Botë, që varet shumë, kur bëhet fjalë për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, pikërisht nga Amerika? Pastaj, a nuk është e ndarë Amerika në dysh, fare në dysh, në të gjitha aspektet e mundshme kur flitet për besimin e qytetarëve të saj në te si vlerë supreme e qytetarëve të saj? Apo, lloji i besimit të këtyre qytetarëve në Amerikë dallon njëlloj si në mes të ateistëve dhe fetarëve? Ajo thënia e njohur në dollarin amerikan, ‘In God We Trust’ (‘Në Zot ne besojmë’), ka qenë identike për shumë kohë me pohimin ‘In USA We Trust’ (‘Në SHBA-të ne besojmë’). Madje, Amerika ka qenë Zoti politik i qytetarëve të saj dhe i shumë popujve anembanë Botës. Sepse ky Zot është identifikuar me lirinë, me demokracinë, me mirëqenien, me drejtësinë madje. Coppola nuk na thotë dot në filmin e tij se në të cilin shekull të rënies romake gjindet sot Amerika, teksa në historinë e qytetërimit dihet që asnjë republikë nuk ka ekzistuar më shumë se 300 vjet. Çfarë dihet është që vitin 2026-të, SHBA-ja do ta kremtojë një çerek mileniumi që prej se është krijuar, në vitin e largët 1776-të. Në librin e tij ‘Are We Rome’, Cullen Murphy thekson që krahasimi në mes të Republikës Amerikane dhe Perandorisë Romake, mund t’i ketë dy qasje dhe dy synime krejtësisht të ndryshme. E para kërkon që të nxirren mësimet e domosdoshme nga rënia romake për ruajtjen e SHBA-së si shtetit më të fuqishëm në gjithë historinë e njerëzimit. E dyta, me ngjyrime të theksuara të fatalitetit, paralajmëron fatin e njejtë të rrëzimit të këtij shteti, më së shumti në vijim të proceseve degraduese brenda vet Amerikës, e jo të dyndjes së ‘barbarëve’ nga jashtë (siç ka ndohur me Romën). Coppola në ‘Megalopolis’, i dyzon te dy këto qasje, duke ri-krijuar një kontest të moçëm dhe të njohur në atë jetëshkrimin e Romës (të Republikës së saj, kur ende pra nuk ishte kthyer në Perandori), në mes të Catilina-s dhe Ciceros-s, në vitet 63 dhe 62 para Epokës sonë. Cicero ishte njëri prej dy konzujve të Romës. Catilina, në këtë rrëfim, ia kishte mësyer që me çdo kusht, me të gjitha mjetet e mundshme, të bëhet konzull, gjë që ishte posti më i lartë në pushtetin e republikës. Ky pra i theu të gjitha rregullat e mundshme të Republikës Romake, prandaj u ndëshkua me disfatë dhe vdekje në fushëbetejë. Në ‘Megalopolis’, rolet ndryshojnë krejtësisht. Cesar Catilina, në New York-un e këtij filmi, i cili ndryshe është pagëzuar si New Rome (Roma e re), është kryearkitekti i qytetit, i cili merr Çmimin nobel për zbulimin revolucionar të një materiali të ri ndërtimor që quhet Megalon. Ai ka një aftësi të jashtëzakonshme: Mund ta ndalojë kohën dhe në atë rast, të gjithë stepen në vend. Adam Driver është aktori që e luan Catilina-n. Catilina dëshiron ta ndryshojë me ka krejt (si thuhet) qytetin New Rome, si qytet, si frymë, si botëkuptim, teksa kundërshtari i tij më i madh është Cicero, Prefekti i New Rome, i cili është i koruptuar dhe i kompromituar. Giancarlo Esposito e luan Cicero-n. Është pra kjo një përplasje në mes të ideales së mundshme dhe reales së keqe, apo, në mes të një ‘Ëndërre Amerikane’ dhe Zgjëndërrës së ankthshme. Diçka e njohur shumë mirë në rrethanat e tanishme. Apo jo. Kësaj here, në ‘Megalopolis’, kjo përplasje ka të bëjë, mbi të gjitha, me dëshirën dhe synimin e Cesar Catilina-s që ta ndryshojë shumë anën ndërtimore/ arkitektonike të New Rome, duke përdorur këtë materialin e ri të çuditshëm të quajtur Megalon, teksa Cicero e kundërshton me këmbëngulje, përfshirë këtu edhe në një debat mediatik, këtë projekt të Catilina-s, duke thënë që më mirë është të ndërtohet një kazino, i cili menjëherë do të ofronte të hyra tatimore, të cilat aq shumë i duhen këtij qyteti që gjindet një hap larg greminës së bankrotimit, se sa të merremi me projekte utopike të Catilina-s. Catilina është një krijues i posaçëm i cili njëkohësisht është në një krizë të madhe emocionale, e cila i ka rrënjët në zhdukjen e gruas së tij, teksa ky vet fillimisht ishte akuzuar për vrasjen e gruas prej Cicero-s që kishte qenë prokuror publik. Catilina sillet në fakt si një yll i rock’n’rollit, me dashnore, drogë dhe alkohol, derisa të mos njihet me Julia-n, të bijën e Prefektit Cicero. Këtu ai nisë ringjalljen e tij njerëzore e cila merr edhe më shumë krah kur e merr vesh që Julia është shtatzënë me vajzën e tyre të cilës do t’ia vënë emrin Sunny Hope. Cicero e kundërshton me ngulm këtë dashuri, por rrjedha e mëpasme e ngjarjeve në filmin ‘Megalopolis’, i vendosë gjërat në vendin e vet, për t’i dhënë një happy end kësaj vepre artistike të Coppola-s. Catilina i mbijeton një tentim-vrasjeje dhe shërohet falë materialit Megalon të gjetur prej tij, dhe pas një përpjekjeje të popullistëve për ta marrë me dhunë pushtetin në qytet (aludimet e qarta për ngjarjet e 6 janarit të vitit 2021 në Washington kur masa e protestuesve të dhunshëm hyri në ndërtesën e Kongresit të SHBA-së për ta ndryshuar rezultatin e zgjedhjeve presidenciale), ndodhë bashkimi i dy kundërshtarëve të mëdhenj, apo të Catlina-s dhe Cicero-s. Në këtë mënyrë çelet udha për ndërtimin e Megalopolis-it. Megalopolis, natyrisht, në perspektivën e Coppola-s ka domethënin e shpëtimit të Amerikës dhe të një qytetërimi të tërë. Së paku në këtë film, në ‘Megalopolis’, gjindet shpëtimi për Amerikën e kohës së sotme, duke i shpëtuar kështu fatit të Romës antike. Ndryshe, vetë titulli i filmit ‘Megalopolis’, është një referencë (krejtësisht e kuptueshme), e Coppola-s në filmin e mahnitshëm të Fritz Lang-ut (një tjetër regjisor i madh amerikan me rrënjë austriake), ‘Metropolis’ të vitit 1927. Është ky vetëm njëri prej shembujve apo rasteve kur Coppola, në mënyrën më të mirë të mundshme në këtë film i ri-sjell, përmes ri-punimit artistik, disa nga çastet më të njohura të historisë së kinematografisë amerikane të njëqind viteve të fundit. Ta zëmë, ‘Megalopolis’ gjatë gjithë kohës ka narator (ky është Laurence Fishburne, që ndryshe e luan rolin e vozitësit të Katilina-s), gjë që ka përcjellë shumë filma të periudhës klasike të Hollywood-it. Pastaj, edhe muzika e këtij filmi (apo soundrack-u), i ngjet qëllimisht kolonës zanore të filmave amerikanë të kësaj periudhe (klasike). Shumë tabllo të New Rome-s poashtu bartin në vete atë fotografinë e atyre filmave. Këtu, në atë arenën e madhe ku ndodhë një pjesë e mirë e këtij filmi, ka ngjyrimet e një spektakli të Hollywood-it që bëheshin në ri-kujtim të koloseumit romak. Gladiatorët në ‘Megalopolis’ zëvendësohen me mundësit gjigant. Këtu, në arenën që ka shumë drita dhe edhe më shumë shkëlqim, ka pika të cirkut, por ka edhe referenca të taylor-swiftizm-it, e cila është një dukuri magjepsëse e viteve të fundit, falë një mega-popullaritetit të Taylor Swift-it, pop këngëtares tejet të suksesshme amerikane. Coppola huazon edhe atë të famshmen dilemë të Hamletit të Shakespeare-t, ‘Të jesh apo të mos jesh’, të cilën e deklamon vetë kryeproragonisti Cesar Katilina. Ka edhe citate të Mark Aurelit, filozofit dhe perandorit romak. Në përgjithësi pra, nëse mund të thuhet kështu, ‘Megalopolis’ vlon nga referencat dhe citatet filozofike, filmike, letrare, por edhe politike, të Amerikës së sotme dhe të Perëndimit në përgjithësi. Natyrisht, në ‘Megapolis’ duhet të gjindet vend edhe për Vesta-n, atë hyjneshën e virgjër romake të familjes dhe të shtëpisë në religjionin romak. Këtu, Vesta kinse 16 vjeçare dhe e virgjër, në atë spektaklin e arenës, mbulohet me para të majme (mbi gjysmë milioni dollarë), nga parelitë amerikanë për të qenë gjithmonë Vesta, teksa më vonë në film zbulohet që ajo nuk i ka 16 vjet dhe nuk është fare e virgjër.Ka në ‘Megapolis’ edhe ri-sjellje të asaj droje të këtyrehershme (të ‘Luftës së Ftohtë’), të amerikanëve nga Bashkimi Sovjetik kahmoti të harruar dhe të zhdukur. Në disa raste na shfaqet një satelit gjysmë i rrënuar i Bashkimit Sovjetik që qarkullon apo bredhë në orbitë, teksa në fund rrëzohet dhe e rrënon me të madhe qytetin New Rome (apo ish- New York-un). Shumë decenie më pas pra, ankthi i madh i goditjes atomike të Bashkimit Sovjetik bëhet realitet, dhe atë përmes një sateliti që është një gërmadhë e madhe qiellore, që bie në qytet, për ta bërë gërmadhë edhe vet New Rome-n. Këtu, në ‘Megalopolis’, ka njerëz të çmendur dhe normal (a të zakonshëm), ka të korruptuar, ka idealistë, ka moralistë, ka gjithsesi dhe popullistë që janë neo-nazistë (në fakt), të cilët me gjuhën e njohur për të gjithë ofrojnë Instant Parajsë (McParajsë, do të mund të thuhej), nëse ata do ta marrin pushtetin pas zgjedhjeve. Ka vend për të gjithë dhe për gjithçka në këtë film, përderisa janë në atë linjën kryesore të naracionit të Coppola-s, për të na shfaqur të gjitha dukuritë që në masë të madhe na kanë pëcjellur tash e njëqind vjet. Në film ka tallje, ironi, sarkazëm, përbuzje, përqeshje me anën qytetëruese, politike dhe kulturore të Amerikës dhe të Perëndimit të kohëve të sotme. Në këtë aspekt, kjo është një ligjeratë filmike, artistike dhe qytetëruese e Francis Ford Coppola-s. *Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Klan Kosovës në Viber. *Klikoni KËTU për ta shkarkuar aplikacionin e Klan Kosovës në Android, dhe KËTU për iOS.