Kirurgët amerikanë testuan me sukses transplantin e veshkës së derrit tek një njeri

Kirurgët amerikanë testuan me sukses transplantin e veshkës së derrit tek një njeri

NULL NULL
1 month më parë

Për herë të parë, një veshkë derri është transplantuar në një njeri pa shkaktuar refuzim të menjëhershëm nga sistemi imunitar i marrësit. Ky konsiderohet një përparim potencialisht i madh që përfundimisht mund të ndihmojë në zbutjen e mungesave të organeve njerëzore për transplante, përcjellë Klankosova.tv.

Procedura e bërë në NYU Langone Health, në New York City, përfshinte përdorimin e një derri gjenet e të cilit ishin ndryshuar në mënyrë që indet e tij të mos përmbanin më një molekulë të njohur për të shkaktuar refuzimin pothuajse të menjëhershëm, shkruan CNN, transmeton Klankosova.tv.

Marrësi ishte një pacient i vdekur nga truri me shenja të mosfunksionimit të veshkave, familja e të cilit u pajtua me eksperimentin para se të hiqnin pajisjet që e mbanin gjallë, thanë studiuesit për Reuters.

Për tre ditë, veshka e re u ngjit në enët e gjakut dhe u mbajt jashtë trupit, duke u dhënë studiuesve qasje në të. Rezultatet e testit të funksionit të veshkës së transplantuar “dukeshin mjaft normale”, tha kirurgu i transplantit Dr. Robert Montgomery, i cili udhëhoqi studimin.

Veshka bëri “sasinë e urinës që do të prisnit” nga një veshkë njerëzore e transplantuar, tha ai, dhe nuk kishte dëshmi të refuzimit të fuqishëm. Niveli jonormal i kreatininës së marrësit, një tregues i funksionit të dobët të veshkave – u kthye në normale pas transplantimit, tha Montgomery.

Derri i ndryshuar gjenetikisht, i quajtur GalSafe, u zhvillua nga njësia Revivicor e United Therapeutics Corp. Është miratuar nga Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) në Dhjetor 2020, për t’u përdorur si ushqim për njerëzit me alergji ndaj mishit dhe si një burim i mundshëm i terapive njerëzore.

Produktet mjekësore të zhvilluara nga derrat do të kërkojnë akoma miratim specifik nga FDA para se të përdoren tek njerëzit, tha agjencia. Studiues të tjerë po shqyrtojnë nëse derrat GalSafe mund të jenë burime të gjithçkaje, nga valvulat e zemrës deri te transplantet e lëkurës për njerëzit.